Bankat e Italisë janë shqetësimi më i fundit i Eurozonës. Ata po luftojnë me një barrë borxhesh të këqija, kredi që ka të ngjarë të mos paguhen ndonjëherë plotësisht, shkruan BBC.
Ata janë një pikë e nxehtë potenciale në një ekonomi që për disa kohë është parë si rrezik në zonën e monedhës së BE-së.
Ndërkohë, qeveria italiane po shqyrton një paketë shpëtimi të sektorit bankar, e cila mund të shkelë rregullat e Bashkimit Europian.
Është madhësia e ekonomisë italiane dhe borxhi i saj qeveritar që e bën vendin një vullkan financiar që digjet në vetvete. Rreziqet janë të acaruara nga situata politike.
Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë. Barra e borxhit, varet se cilat shifra konsideroni, është sigurisht një nga më të mëdhatë në Eurozonë, në të vërtetë më e madhja me një matës.
Një nga rrënjët e problemit është performanca e mjerë ekonomike e Italisë dy dekadat e fundit. Matur nga aktiviteti i përgjithshëm ekonomik (Produkti i Brendshëm Bruto), ekonomia mbetet rreth 8% më e vogël seç ishte në fillimin e krizës financiare ndërkombëtare. Kjo është përafërsisht në të njëjtën madhësi siç ishte në fillim të shekullit.
Kjo e ka bërë të vështirë për të gjeneruar të ardhura tatimore të nevojshme për të mbajtur barrën e borxhit të ulët. Ajo ka rritur edhe shanset e bizneseve, që futen në vështirësi e nuk janë në gjendje të paguajnë këstet e tyre të kredisë.
Rezultati: bankat italiane janë të ngarkuara me një problem masiv të borxheve të këqija apo kredive me probleme (NPL), me vlerë 360 mld euro, e barabartë me rreth një të pestën e aktivitetit vjetor ekonomik të vendit.
Humbjet e rënda
Problemi është përkeqësuar nga legjislacioni i falimentimit në vend, i cili e bëri atë shumë të ngadalshëm për huadhënësit, për të marrë paratë e tyre mbrapsht, kur një huamarrës ka dështuar financiarisht. Ligji është ndryshuar nën qeverinë e Matteo Renzi-t, por ka marrë kohë për ta zbatuar në praktikë.
Një mënyrë me të cilën bankat mund të merren me kreditë me probleme është që t’i shesin ato tek investitorë të tjerë. Por vonesat në procedurat e përmbylljes, që mundësojnë kreditorët për të rimarrë paratë, do të thotë se këto marrëveshje përfshijnë ulje të thella.
Kjo, nga ana tjetër, do të thotë se bankat do të duhet të pranojnë humbje të rënda në llogaritë e tyre, duke minuar edhe më tej themelet e tyre financiare.
Një nga bankat në qendër të kësaj krize është më e vjetra në botë dhe e treta më e madhe në Itali: Banca Monte dei Paschi di Siena. Ajo është urdhëruar nga Banka Qendrore Europiane të reduktojë borxhet e këqija.
Në rastin më të mirë, problemi NPL pengon aftësinë e bankave për të dhënë kredi të reja që bizneset italiane duan për të gjeneruar një rimëkëmbje më bindëse ekonomike.
Në rastin më të keq, ekziston rreziku që dështimi i një banke të madhe mund të nisë një krizë më të gjerë financiare dhe të ngadalësojë përmirësimin.
Çmimet e aksioneve të bankave italiane janë ulur ndjeshëm; Banca Monte dei Paschi di Siena me më shumë se tre të katërtat këtë vit.
Pra, qeveria italiane po shqyrton një paketë shpëtimi. Problemi është se rregullat e Bashkimit Europian, të miratuara në prag të krizës financiare, kërkojnë nga kreditorët e një banke, në veçanti nga aksionerët, që të marrin humbjet para hyrjes së tatimpaguesit.
Nën presion
Kjo në përgjithësi ka kuptim. Aksionerët janë investitorët profesionistë, të cilët mund të përballin humbjet dhe janë gjithashtu, në teori, më të aftë për të monitoruar bankat dhe për t’i dekurajuar ato nga marrja e rreziqeve të tepërta që në fillim.
Por në rastin e Italisë, shumë prej këtyre obligacioneve janë në pronësi të investitorëve të shitjes me pakicë. Pra, duke ndjekur rregullat e BE-së dhe duke detyruar humbjet mbi këtë grup, do të ishte një gjë jo popullore në Itali dhe shumë do ta quanin si të padrejtë.
Në një kohë kur administrata e Renzi-t është tashmë nën presion, sidomos nga euroskeptikët e Lëvizja Five Star, ai është pa shumë dëshirë për ta marrë këtë rrezik politik. Ky rrezik është më i theksuar tani, para një referendumi që ai ka propozuar për ndryshimin e Kushtetutës.
Ka pasur disa përpjekje për të adresuar këtë problem duke përdorur fondet e sektorit privat, ndihmuar nga ana e bankave të fuqishme të Italisë. Disa banka kanë grumbulluar kapital shtesë nga tregjet. Por problemi vazhdon të acarohet.
Pra, ka një tërheqje politike për të anashkaluar legjislacionin e BE-së dhe për të vënë paratë publike direkt te bankat.
Por ideja është pritur ftohtë nga kancelarja gjermane Angela Merkel: “Ne kemi krijuar rregulla të veçanta për sa i përket rënies së bankave, që kanë të bëjnë me rikapitalizimin e bankave. Dhe ne nuk mund të dalim me rregulla të reja çdo dy vjet”.
Rregullat janë pjesë e një projekti shumë të rëndësishëm në Eurozonë, të quajtur bashkim bankar. Kjo ishte një përgjigje ndaj krizës financiare të rajonit, me qëllim që t’i bëjë bankat më elastike dhe të thyejë lidhjen malinje ndërmjet bankave të dobëta dhe qeverive të stresuara financiarisht. /Monitor/