Nga Boldnews.al
Një hetim i rëndësishëm për zyrtarë të lartë të Pronave në Durrës po dështon në mënyrë periodike, pas disa ndërhyrjeve proceduriale të drejtueses së institucionit, Anita Jella, e cila pritet të përballet të Premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (Vetingut).
Burime nga prokuroria e Durrësit, në komunikim me “Boldnews.al”, kanë ngritur dyshimet zyrtarët e Kadastrës dhe ALUIZNI-t në Durrës, të arrestuar së fundmi për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash, kanë fituar lirinë shumë shpejt pas ndërhyrjeve të drejtueses, Anita Jella.
Prokurorja Jella drejton institucionin e Akuzës së Durrësit prej Majit 2018, kur Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e caktoi në atë funksion pa asnjë bazë ligjore. Gjithashtu, Jella është një ndër 15 kandidatët e përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion-SPAK.
Prokurorja Jella do të jetë përballë trupës së Vetingut, të përbërë nga kryesuese Xhensila Pine dhe anëtarë Etleda Çiftja e Valbona Sanxhaktari, ku pritet të përgjigjet edhe mbi dyshimet për disa transaksione “fiktive” për marrjen e një vize në vitin 2010, si edhe të tjera çështje që lidhen me aftësinë paguese të një detyrimi për një apartament me vlerë totale 68 mijë euro.
“Dështimet” me procedurë të hetimeve
Në Gusht 2019, prokurori Arjan Ndoja nisi një hetim mbi drejtuesit e lartë të ALUIZNI-t dhe Kadastrës në qytetin bregdetar. Në vijim të veprimeve proceduriale, prokurori ka urdhëruar fillimisht ndalimin e zv.drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Arben Isaku, njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në qytet.
Më tej, prokurori urdhëroi ndalimin e zv.drejtueses tjetër të Kadastrës, Lusiena Kola, si edhe u shpall në kërkim ish-drejtori i ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi.
Por, asnjë prej këtyre zyrtarëve nuk është pas hekurave, pasi, me firmë të Jellës, akuza në gjykatë u përfaqësua nga të tjerë prokurorë, të cilët kërkuan lirimin e tyre.
Në 10 gusht të këtij viti, prokurori Ndoja kërkoi ndalimin e Arben Isakut, një prej zyrtarëve më të rëndësishëm në Durrës, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash lidhur me një pronë në bregun e Plazhit të Vjetër.
Policia nuk arriti ta ndalojë Isakun. Ai u dorëzua pas 5 ditësh, në një veprim që burimet nga Prokuroria e Durrësit e konsiderojnë si një “bashkëpunim” të tij me drejtueset e institucionit, Anita Jella e Alma Felaj, për zbutjen e pozitës së tij proceduriale.
Isaku dorëzohet në 15 gusht, në një moment kur prokurori që kishte urdhëruar ndalimin kishte marrë lejen vjetore. në seancën për masë sigurie, drejtueset e Prokurorisë së Durrësit caktojnë prokurorin Sokol Nishani për të përfaqësuar akuzën ndaj Arben Isakut. Në përfundim të seancës, zyrtari i lartë fitoi lirinë, duke qëndruar më pak se 10 orë në qeli.
Në 18 Shtator, në vijim të të njëjtit hetim, prokurori Ndoja urdhëron ndalimin e zv.drejtueses së Kadastrës, Lusiena Kola, si edhe shpallet në kërkim ish-drejtuesi i ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi.
Në seancën për masën e sigurisë për Lusiena Kolën, prokuroria e Durrësit përfaqësohet me një tjetër prokuror të caktuara nga drejtuesja Anita Jella. Prokurori i ri kërkon në seancë masën e butë “detyrim paraqitjeje”. Gjykata pranoi këtë kërkesë, duke i rikthyer zyrtares Kola lirinë shumë shpejt.
Së fundmi, prokurori Ndoja kërkoi arrestimin e drejtuesit të Kadastrës, Liridon Pula. Por, ndryshe nga dy rastet e mëparshme, kësaj radhe, prokurori i çështjes iu drejtua vetë Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, në mungesë.
Burimet nga Prokuroria e Durrësit informuan “Boldnews.al” se kërkesa e prokurorit të çështjes drejtuar Gjykatës, u mbaj për rreth 5 ditë nga drejtuesja Anita Jella, pa kryer veprimin administrativ të nënshkrimit të shkresës përcjellëse.
Vetëm pasi prokurori i çështjes, në një komunimim zyrtar me drejtuesen, i kujtoi asaj se bllokimi i dërgimit të kërkesës në gjykatë përbën shkak për nisjen e hetimit për “shpërdorim detyre” ndaj Jellës, kjo e fundit e dërgoi rastin në gjykatë.
Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën për “arrest me burg” për Liridon Pulën, i cili u prangos në zyrën e tij. Pula është i vetmi ndër zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë hetim që qëndron pas hekurave.
Pasuria
Anita Jella dhe bashkëshorti i saj, Erjon Shqarri, edhe ai prokuror prej vitit 2015, nuk përfshihen në radhën e zyrtarëve të drejtësisë me pasuri të madhe, referuar deklarimeve të tyre të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Jella ka nisur punën në vitin 2003, si prokurore në Librazhd e duke vijuar si drejtuese në atë strukturë, më pas si prokurore në Elbasan, në Durrës dhe së fundmi drejtuese e përkohshme në prokurorinë e qytetit bregdetar.
Në periudhën 2003-2010, për sa kohë ka jetuar vetëm, Anita Jella ka deklaruar vetëm pagën në prokurori dhe kursime periodike në gjendje cash. Në vitin 2010 ajo ka krijuar familje me shtetasin Erjon Shqarri, i cili nga ana e tij ishte oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Elbasanit prej vitit 2003.
Shqarri, në formularin e pasurisë për vitin 2003 deklaronte nga ana e tij se zotëronte 20 përqind të një shtëpie banimi me sipërfaqe 170 m2, në Elbasan, të përfituar trashëgimi nga gjyshi. Gjithashtu, ai deklaronte si kishte në pronësi një automjet BMW, me vlerë 2 milionë lekë, të blerë me kursimet e tij dhe të familjes së tij të origjinës.
Prej vitit 2014, Erjon Shqarri nuk deklaron pasurinë, pasi ligji përkatës i përjashtonte këtë kategori zyrtarësh për të plotësuar formularin.
Ai rikthehet si deklarues, pas martesës me subjektin Anita Jella. Në vitin 2011, bashkëshortët Jella-Shqarri porosisin një apartament në Durrës. Për këtë apartament deklarojnë se kanë paguar dy këste, me vlerë 55 mijë euro.
Si burim për shlyerjen e kësteve, Jella deklaron një kredi me afat 20-vjeçar, në shumën 5.6 milionë lekë të reja dhe pjesën tjetër nga kursimet familjare.
Në të njëjtën kohë, bashkëshorti Shqarri ishte në përfundim të shlyerjes së një kredi të marrë në vitin 2005, në vlerën 7 mijë euro.
Në 3 Maj të vitit 2014, bashkëshorti i Anita Jellës blen një automjet në shumën 250 mijë lekë, si edhe për zhdoganimin në vlerë 145 mijë lekë. Pra, në total, shpenzime për automjetin llogaritet në rreth 400 mijë lekë.
Por, vetëm dy ditë më pas, në 5 Maj 2014, Erjon Shqarri vendos ta shesë automjetin, me një vlerë 300 mijë lekë. Në formularët e pasurisë është e paqartë se cili ka qenë qëllimi i këtyre veprimeve brenda dy ditëve, të cilat, për më tepër, kanë rezultuar me humbje për Shqarrin.
Në vitin 2016, Anita Jella deklaron se ka blerë një automjet Ford Fokus, me vlerë 150 mijë lekë. Në të njëjtin vit, bashkëshorti i saj, i cili tashmë ishte emëruar prokuror në Vlorë, vendos të ndryshojë kontratën për apartamentin e porositur në vitin 2011.
Në bazë të kontratës së re, Shqarri dhe kompania e ndërtimit bien dakord që bashkëshortët prokurorë të heqin dorë nga apartamenti i porositur dhe të marrin një tjetër, në të njëjtën godinë, në të njëjtin kat, kësaj radhe me sipërfaqe 113 m2.
Në bazë të kësaj kontrate të re, bashkëshortët Jella-Shqarri do të duhet të paguajnë edhe 12.900 euro të tjera, të cilat do të likujdohen kur të nënshkruhet kontrata e shit-blerjes.
Duket si “guxim” i tepruar nga ana e çiftit të prokurorëve që kanë vendosur të ngarkohen me një detyrim të ri, ndërkohë që për shlyerjen e kësteve të para, ata kanë marrë një kredi 20-vjeçare, në përfundim të të cilës do të paguajnë rreth 7 milionë lekë të reja.
Llogaria “fiktive” për vizë
Prokurorja Anita Jella deklaron se, në 12 janar të vitit 2010 ka krijuar një llogari bankare në shumën 400 mijë lekë, me burim shumën e parave që gjendeshin në llogarinë rrjedhëse të bashkëshortit të saj, Erjon Shqarri.
Sipas vetëdeklarimit, kjo llogari bankare është hapur për qëllimin e marrjes së një vize, të cilën nuk e specifikon. Llogaria është mbyllur dy javë më pas, në 29 janar 2010.
Ky veprim duket i ngjashëm me atë që ka kryer paraardhësja e saj në krye të prokurorisë së Durrësit, Donika Prela. Kjo e fundit, në vitin 2010 krijoi një llogari “fiktive” për të bindur autoritetet amerikane ta pajisnin me vizë, duke treguar rrethata e rreme se kishte të ardhura të mjaftueshme, sipas kërkesave standarte të Konsullatës.
Për shkak të këtij veprimi “fiktiv”, autoritetet amerikane i refuzuan vizën Donika Prelës.