Tre gra janë arrestuar nga policia pasi kanë tentuar të vidhnin në një minimarket në Fier. Bëhet fjalë për tre shtetaset me iniciale A.M, 28 vjeçe, A.B, 41 vjeçe dhe Z.S, 55 vjeçe, të treja banuese në Tiranë.
Ato kanë hyë si kliente në një minimarket në lagjen “Kryengritja e Fierit” dhe kanë vjedhur 9 steka me paketa cigaresh të markave të ndryshme.
Pas njoftimit nga pronari i minimarketit, në ndjekje të tyre shkoi patrulla e policisë e cila i kapi në tentativë për t’u larguar me automjetin e tyre, njofton Policia.
Në cilësinë e provës materiele u sekuestruan stekat e paketave dhe automjeti me të cilin tentuan të largoheshin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.