Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur ekskluzivisht për “BalkanWeb” dëshminë e plotë të Ardian Begës, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, një prej dy të arrestuarve për përfshirje në trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri.
Para hetuesve, Bega ka treguar gjithë ngjarjen, që nga telefonata e Gentian Malindit, takimi me të dhe nxjerrja e çantave me kokainë nga Porti i Durrësit.
“Jam takuar me Gentianin dhe kemi shkuar të pimë kafe në një lokal në rrugën e Plazhit, ku në tavolinë kanë qenë babai dhe daja i Gentianit dhe dy shokë të tij. Pasi kemi qëndruar për njëfarë kohe, unë, Gentiani dhe një shok i tij kemi hipur në makinën e Gentianit, e cila ishte makinë e re dhe ja kisha parë edhe më parë atë makinë. Në një moment Genti e pyeti shokun e tij: “e more çantën” dhe ai u përgjigj: “….po e kam….”. Unë personalisht nuk pashë gjë çantë”, është shprehur i arrestuari.
Duke thënë se Malindi i kishte premtuar 200 mijë lekë për futjen e çantave, Bega ka treguar edhe momentin e hapjes së tyre, prej ku nuk rezultoi të kishte kokainë, por oriz, pasi trafiku ishte zbuluar që në Greqi dhe autoritetet fqinje e kishin zëvendësuar lëndën narkotike.
“Kuptova se ishte i acaruar dhe po ecte tmerrësisht shpejt. Kur ndodheshim afër plepave, Gentiani i tha shokut të tij: çaje njëherë të shohim, ai me zor e çau dhe i tha Gentianit, “është oriz”. I nevrikosur Gentiani i tha “çaj edhe një tjetër”. Pasi ai e çau edhe pakon e dytë, ai përsëri i tha se ishte oriz. Në këtë moment Gentiani i tha hidhe çantën”, ka thënë Bega para hetuesve.
DËSHMIA E PLOTË
Jam punonjës i FSPD në Portin e Durrësit, detyrë të cilën e ushtroj prej shumë vitesh. Kam rreth një vit e gjysmë që jam njohur me një djalë të quajtur Gentian Malindi, të cilin e kam njohur në lokalin e kunatit tim Dash T. Para tre katër ditësh më ka marrë në telefon Gentiani dhe më ka kërkuar të takoheshim. Ai më ka kërkuar që ta ndihmoja për të nxjerrë diçka nga terminali i kontenierëve, duke krijuar mundësinë e shmangies së rojes në hyrjen e sheshit të kontenierëve dhe për këtë ai do të më jepte një kafe. Me datë 19.09.2019 paradite Gentiani më ka marrë në telefon dhe më ka lënë takim rreth orës 19.30 tek Ura e Dajlanit.
Jam takuar me Gentianin dhe kemi shkuar të pimë kafe në një lokal në rrugën e Plazhit, ku në tavolinë kanë qenë babai dhe daja i Gentianit dhe dy shokë të tij. Pasi kemi qëndruar për njëfarë kohe, unë, Gentiani dhe një shok i tij kemi hipur në makinën e Gentianit, e cila ishte makinë e re dhe ja kisha parë edhe më parë atë makinë.
Prej atij momenti jemi drejtuar për në portin e Durrësit. Genti ishte në timon, unë vend të parë, ndërsa ai djali ishte ulur pas meje. Në një moment Genti e pyeti shokun e tij: “e more çantën” dhe ai u përgjigj: “….po e kam….”. Unë personalisht nuk pashë gjë çantë dhe ato momente nuk e kuptova se për çfarë çante po fliste, dore apo lloji tjetër.
U nisëm drejt Portit dhe kemi hyrë ne Port nga krahu i djathtë i Urës së Dajlanit, ku Genti çekoi lejen e tij të hyrjes në Port. Kemi vazhduar rrugën drejt sheshit të kontenierëve dhe jemi takuar përpara hyrjes së sheshit. Aty pashë që roje i kontenierëve ishte kolegu im B.H. kur pashë që ishte ai i kam kërkuar Gentit që të më tregonte se sa ishte kafja ime dhe përsëri e kam pyetur nëse kishte ndonjë problem. Gentiani më tha se do të më jepte 20.000 lekë të reja dhe më tha se s’kishte asnjë problem. E mendova se edhe pa mund ata mund të mbaronin punë, kur pashë B., por gjithsesi ju gëzova shpërblimit që do të merrja.
Jemi rrotulluar dhe kemi bërë një xhiro deri tek peshkimi i ri. Pasi u kthyem përsëri tek sheshi i kontenierëve, kam dalë nga makina dhe i jam afruar makinetës ku shiten produkte të ndryshme, që është ngjitur me post rojen. I kam folur Bashkimit dhe i kam thënë nëse donte të pinte ndonjë gjë dhe vendosëm të pinim nga një gotë raki.
Gjatë kohës që unë po i afrohesha Bashkimit shoku i Genti doli nga makina nga krahu që dola dhe unë. Ai kishte veshur nje jelek fosforeshent dhe u drejtua drejt kontenierëve brenda sheshit.
Gjatë kësaj kohe unë mora Bashkimin dhe u ulëm për të pirë nga një gotë raki.
Në këto momente Gentiani qëndroi vetëm në makinë. Lokali ku unë qëndrova me Bashkimin ishte rreth 20-30 metra larg nga vendroja. Pas rreth 15 minutash, aty më erdhi Genti me makinë dhe më tha se duhej të lëviznim. Jam çuar dhe kam hipur në makinë. Pashë që Genti ishte vetëm dhe e kam pyetur ku është ai djali, a mbarove punë dhe ai më tha: “jo jo s’kam mbaruar, por hajde se më morën në telefon”. Aty kuptova se Gentiani ishte i shqetësuar, kemi bërë një xhiro me makinë deri tek Vollga dhe jemi kthyer përsëri në porte, tek porta nr.2. Te dyja herët Gentiani ka cekuar me lejen e tij të hyrjes. Kemi vajtur përsëri tek sheshi i kontenierëve sapo jemi afruar aty kam parë shokun e Gentit me çantë në dorë, që u afrua te makina dhe hipi nga krahu i shoferit mbrapa Gentianit. Dolëm përsëri të porta nr.2.
Kur dolëm ai mori në telefon një shok të tij dhe i përcaktoi vendin e takimit. Sapo dolën nga Porti, Gentiani i tha shokut të tij: “shtype, shtype pak”, “jepi ka si boshllëk”. Ai i përgjigjet: “po ashtu më duket”. Genti i tha nxire ta shikoj me çfarë është mbështjellë. Ai nxori nga çanta një kallëp dhe ja tregoi. Genti i kërkoi të nxirrte edhe një tjetër. Në momentin që ai po e nxirrte, Genti e pyeti: Sa ishin 22? Dhe shoku iu përgjigj: Po. Në ato momente mua m’u tha pështyma në gojë. Kam arritur t’ju them vetëm dy fjalë: çfarë është kjo”. Gentiani më tha – pusho me nerva dhe vazhdoi bisedën më shokun e tij. Kur Genti mori pakon në dorë i tha shokut të tij: nuk është kjo mbështjellja, qenka lojë. Dhe tha: mos flisni se ka çip.
Kuptova se ishte i acaruar dhe po ecte tmerrësisht shpejt. Kur ndodheshim afër plepave, Gentiani i tha shokut të tij: çaje njëherë të shohim, ai me zor e çau dhe i tha Gentianit, “është oriz”. I nevrikosur Gentiani i tha “çaj edhe një tjetër”. Pasi ai e çau edhe pakon e dytë, ai përsëri i tha se ishte oriz. Në këtë moment Gentiani i tha hidhe çantën. Personalisht u tremba shumë dhe nuk kam folur asnjë fjalë. Di që Gentiani ka ecur si i tërbuar me makinë dhe pas njëfarë rruge më ka lënë mua tek shoku i tij që takuam në lokal në fillim, por që nuk ishte me ne në Port.
Nga tronditja nuk mbaj mend as se ku kam zbritur nga makina e Genti dhe as se ku isha në ato momente. Di që shoku i tij me çoi të Ura e Dajlanit, pasi më pyeti se ku kisha lënë makinën. Në një moment atë e mori në telefon dikush dhe unë e kuptova se mund të ishte Gentiani. E pyeta se çfarë i kishte thënë Genti dhe ai m’u përgjigj se i kishte thënë se kishte thënë se po më çonte te makina./BW