Gentian Malindi, biznesmeni i shpallur në kërkim për sasinë prej 137 kg kokainë të sekuestruar në një aksion të përbashkët mes autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe atyre greke, është një emër i njohur për policinë.
Ai është arrestuar nga policia e Durrësit orët e para të mëngjesit të datës 8 qershor 2013 si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në një aksion ku janë sekuestruar rreth 300 kg kanabis.
Malindi, i njohur në qytetin e Durrësit si pronar i një varke peshkimi, u lirua më pas nga gjykata e rrethit, që e cilësoi të jashtëligjshëm arrestimin e tij me argumentin se “mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se ky shtetas e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve, kryer në bashkëpunim’”.
Sipas gjykatës, Malindi ndodhej rastësisht në zonë dhe nuk kishte lidhje me sasinë e drogës së sekuestruar.

Arrestimi
Boldnews.al sjell detajet e aksionit që çoi në arrestimin e Malindit, të zbardhura në vendimin e gjykatës së Durrësit që liroi biznesmenin, dhënë 11 më vonë pas arrestimit të tij.
Në vendin sqarohet se: Më datë 07.06.2013, punonjësit e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Durrës, kanë kapur në flagrancë tek vendi i quajtur “Mali i Robit”, në afërsi të “Hotel Uka”, shtetasin Ervis Bardhi, pasi në fugonin me të cilin ai po udhëtonte po transportonte një sasi lënde e dyshuar si “kanabis sativa”.
Në të njëjtin vend në afërsi të fugonit policia ka kapur në flagrancë edhe shtetasin Gentian Malindi.
Policia pas informacioneve që kishte marrë në rrugë operative, ka qenë në ndjekje të fugonit që drejtohej nga shtetasi Ervis Bardhi me targa AA 938 AE dhe sapo ka parkuar në afërsi të “Hotel xxx” i ndodhur në vendin e quajtur “Mali i Robit”, shtetasi Ervis Bardhi është kapur në flagrancë nga policia.
Sipas procesverbalit të peshimit të lëndës, ka rezultuar se ajo peshonte 289.39 kg.
I pyetur rreth fakteve më datë 08.06.2013 ora 01.30, nga oficeri i policisë gjyqësore I.D., shtetasi Ervis Bardhi ka dhënë shpjegime të hollësishme se ku e ka marrë furgonin në të cilën ndodhej lënda narkotike, personat që e kanë ndihmuar në gjetjen e lëndës dhe kryerjen e transportit, siç janë Olsi Leka, një person i quajtur Ardian të cilit i thërrisnin “Feti”, një person të quajtur Kledian, si edhe një person me të cilin ka këmbyer mesazhe disa minuta para arrestimit, mesazhe që kishin lidhje me transportin e lëndës narkotike, por që shtetasi Ervis Bardhi e identifikon me emrin “ARI”.
Në lidhje me momentin e kapjes në flagrancë shtetasi Ervis Bardhi në këtë procesverbal ndër të tjera ka deklaruar se: ”Unë i shkrova ‘Arit’ hë shpirt ku je, ai më ktheu përgjigje ‘Jam tek Mali i Robit’ dhe më pas më shkroi ‘Jam tek hotel XXX”. Klediani më tha se ishte afër vendit ku ishim ne, dhe pasi ma shpjegoi u largua, ndërsa unë mora drejtimin për nga hoteli dhe aty parkova makinën. Në atë moment ka ardhur policia dhe më ka ndaluar. Kur po më kontrollonte policia në momentin e parë, sapo më zbritën nga furgoni, aty pashë dhe një djalë pa flokë, i shëndoshë me syze optike të cilin policia e futi në makinën e tyre”.
Në këto kushte më datë 08.06.2013, për të njëjtin fakt dhe në të njëjtin vend, është bërë arrestimi në flagrance edhe i shtetasit Gentian Malindi.
Sipas procesverbalit të arrestimit në flagrancë të shtetasit Gentian Malindi datë 07.06.2013, automjeti me targë AA 938 A, që drejtohej nga shtetasi Ervis Bardhi ka qenë në ndjekje nga ana e policisë, dhe në momentin që ka parkuar në vendin e quajtur “Mali i Robit” në drejtim të rrugës që të çon tek kompleksi “xxxx”, është bërë edhe kapja në flagrancë e drejtuesit të mjetit shtetasit Ervis Bardhi. Pas disa minutash aty janë afruar edhe dy shtetas të tjerë, ku njëri prej tyre ka tentuar të ndezë fugonin por është ndaluar nga policia ndërsa personi tjetër është larguar me vrap. Personi i dytë i kapur nga policia është identifikuar dhe ka qenë shtetasi Gentian Malindi.
Në lidhje me këtë moment shtetasi Gentian Malindi ka deklaruar se nuk është e vërtetë se ai është kapur nga policia duke ndezur makinën. Ky shtetas ka deklaruar se është gjendur rastësisht aty, duke u kthyer në lokalin e tij të marrë me qira, pasi kishte bërë një xhiro në këmbë në bregdet. Ai ka parë fugonin dhe një makinë tjetër shumë pranë njëra tjetrës dhe ka dëgjuar zhurmë, që i ka tërhequr vëmendjen pasi i kanë krijuar përshtypjen e një aksidenti, dhe e ka shtyrë të afrohet aty pranë. Në këtë moment ai është kapur nga policia. Të njëjtin qëndrim mbajti ky shtetas edhe në deklarimet që dha në seancë gjyqësorë.
Në momentin e ndalimit atë e kanë afruar dhe mbështetur tek fugoni dhe i kanë sekuestruar çelësat dhe telefonin celular që kishte me vete. Madje gjatë arrestimit ai tregoi shenjat në krah pasi ishte lënduar nga mënyra se si e kishin përplasur pas fugonit.
Shtetasi Ervis Bardhi ka deklaruar se ka qenë në vendin e shoferit në momentin që është kapur nga policia, ndërsa shtetasin tjetër që u kap nga policia nuk e njeh.
Arsyetimi i Gjykatës
Gjykata e Durrësit e ka çmuar të jashtëligjshëm arrestimin e Mailindit. Sipas gjykatës, nuk ka prova për arrestimin në flagrancë të Mailindit dhe akuzën që prokuroria ngriti ndaj tij.
“Në analizë të dy deklarimeve të dhëna nga shtetasit Ervis Bardhi dhe Gentian Malindi, në raport me procesverbalin e arrestimit në flagrancë, gjykata çmon se praktikisht dhe logjikisht, është e pamundur që në momentin që policia zbret nga fugoni shtetasin Ervis Bardhi, dhe e ndalon, menjëherë aty të afrohet shtetasi Gentian Malindi, e të futet brenda dhe të bëhet gati për ta ndezur atë”, sqarohet në vendimin e gjykatës.
/Boldnews.al/