Nga Boldnews.al
KLP ka skualifikuar sot nga gara për Prokuror të Përgjithshëm, Lulzim Alushajn, ndërsa vijojnë garën Arta Marku, Olsian Çela dhe Fatjona Memçaj.
Alushaj ishte i vetmi ndër 4 kandidatët që nuk hynte në garë nga rradhët e prokurorisë, ndërsa 3 emrat e tjerë janë pjesë e organit të akuzës.
Alushaj është avokat dhe është konsideruar si kandidat i “lobuar” nga Ben Blushi, aktualisht drejtor i Top Channel.
Alushaj nuk e ka fshehur që është avokat i Top Channel, në të paktën 1 rast kur u përfshi në një debat me përfaqësuesin e një kompanie farmaceutike.
Madje, emri i tij është reklamuar apo mbështetur në këtë garë nga Top Channel.
“Emri surprizë i deritanishëm ishte ai i avokatit Alushaj. Avokati Alushaj ka përfunduar në vitin 2005 masterin për jurist ndërkombëtar në Universitetin e Bolonjës në Itali.
Në vitet 2000-2004 është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës dhe me doktoraturë të mbrojtur në këtë shtet në fushën “Qeverisja e BE-së, Politikat Shoqërore dhe Fiskale”.
Ai ka mbrojtur edhe temën me titull “Politikat e integrimit europian, duke u nisur nga fushat sociale, ekonomike dhe juridike”, raportohej në një kronikë të TCH, gjatë kohës kur kandidatë të ndryshëm kishin shprehur preferencat për të kandiduar për Prokuror të Përgjithshëm.
Ndërkohë, një tjetër media e Top Media, gazeta Shqip, i bën jehonë kandidimit të avokatit Alushaj.
“Gazeta Shqip ka siguruar një letër referencë nga Presidentja e Komisionit të Drejtësisë në Parlamentin Italian, Znj. Francesca Businarolo.
Deputetja në fjalë, që është një nga zërat më të rëndësishëm politikës italian, i ka dërguar një letër vlerësimi Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të integritetin e figurës së kandidatit, Lulzim Alushaj.
Znj. Businarolo tregon bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka patur përgjatë disa viteve me Avokatin Lulzim Alushaj”, raportohej në muajin qershor të këtij viti, lidhur me garën për kryeprokuror.”.
Pra me pak fjalë, për kandidaturën e Lulzim Alushajt, një emër jo shumë i njohur në publik, nisi një fushatë nga mediat që janë pjesë e Top Media, ku bëjnë pjesë TCH dhe gazeta Shqip.
Por duket se fushata mediatike, apo edhe suporti politik që mund të kishte avokati përmes lidhjeve të shkurtra të ish-deputetit socialist Ben Blushi, nuk ka dhënë rezultatin e pritshëm, atë që emri i tij t’i përcillej Kuvendit për t’u votuar.
Tashmë gara mbetet e hapur për 3 kandidatët e mbetur në garë, emrat e të cilëve do t’i përcillen Kuvendit sipas një renditjeje me pikë.
Dhe në kushtet kur mund të ketë një çarje votash mes deputetëve të Rilindjes, shumë i rëndësishëm është procesi i renditjes së kandidatëve në bazë të pikëve.