Gazetarja e shoqëruar mbrëmjen e djeshme në Polici, Daniela Grrica, e medias “Shekulli Online” ka reaguar pas akzuave që i janë bërë se kishte përhapur panik tek qytetarët me një lajm të publikuar prej saj. Në një reagim në Facebook, Grrica shkruan se ajo nuk e ka shkruar atë lajm dhe hedh akuza se fotoja që ka qarkulluar në rrjet ka qenë e modifikuar.
“Unë di t’ju them që lajmi që unë kam publikuar në gazetën “Shekulli-online” nuk është ai që u bë viral, ai që la mijëra qytetarë jashtë shtëpive për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre”, shprehet gazetarja. Në fund Grrica shprehet se ndihet e keqarrdhur për të gjithë këtë situatë që ka ndodhur dhe se do i shkojë deri në fund të vërtetës.
POSTIMI I PLOTË
NUK ISHTE LAJMI IM, POR NJË FOTO E MODIFIKUAR DHE E BËRË VIRALE!
Nuk jam arrestuar. U shoqërova në polici për të sqaruar detaje rreth një foto (skrin) që nuk e di nga ku mbiu, por fatkeqësisht bëri hatanë. U ndjeva tmerrësisht keq kur kolegët e mi në polici kishin shpërndarë një deklaratë për mediat, se jam shoqëruar ende pa bërë asnjë lloj verifikimi apo pa më pyetur: Si qëndron puna moj vajzë? Gjithashtu edhe kolegët e mi në televizione e portale, u ngutën për të bërë lajmin i pari, kush me foto, e kush me emër e mbiemër. FALEMINDERIT të gjithëve! Unë di t’ju them që lajmi që unë kam publikuar në gazetën “Shekulli-online” nuk është ai që u bë viral, ai që la mijëra qytetarë jashtë shtëpive për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre.
Ju siguroj se unë shtetasja, Daniela Grrica, që u shoqërova në polici për diçka që s’kam bërë, se ai lajm nuk është deformuar apo ekzagjeruar nga unë për disa palo klikime. Nuk do e bëja kurrë! Sepse pikë së pari jam njeri, dhe ashtu siç më kanë rritur prindërit e mi, një njeri me parime, që nuk e shet apo zmadhon fjalën pa pasur një bazë apo indicie konkrete. E aq më pak nuk do e bëja si gazetare sado e “vogël” që jam.
Lajmi i im ishte vetëm një citim i një medie preststigjoze shqiptare dhe titulli im fjalë për fjalë është ky: “Paralajmërimi i sizmologut grek: Kujdes tërmetet e tjera, mund të jenë shkatërruese!” (Pjesa tjetër e titullit, ku fitet për një orar është e shtuar). Dhe më poshtë vijon intervista e plotë, ashtu siç ishte në median që unë kam cituar, pa asnjë lloj ndryshimi të mëvonshëm, përveç se publikimit të tij të parë në orën 15:11 minuta të datës 22 shtator. Ju do thoni: Po ai foto-skrin që përhapi panik te të gjithë qytetarët dhe që mban emrin tënd çfarë ishte? Nuk e di! Nuk e di kush, pse, çfarë kërkoi ai apo ajo që modifikoi atë foto. Sepse ai nuk është një lajm, i shpërndarë me link, është një foto e modifikuar me fotoshop që përhapi panik. Ndjej keqardhje të thellë që e gjitha kjo u përhap dhe u keqpërdor në masë, duke njollosur emrin tim, ende pa u akuzuar. Por për një gjë të jeni të sigurt, kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund, deri sa të dalë në dritë e vërteta e njollosur nga një “mjeshtër” fotoshopi.
Mbrëmë pak pas mesnatës Policia ka zbarkuar në redaksinë e “Syri.net” dhe “Shekulli Online” duke shoqëruar 2 gazetarë, përkatësisht Aurel Rakipllari dhe Daniela Grrica. Ata akuzoheshin se kishin përhapur panik tek njerëzit pasi kishin publikuar një lajm të rremë. Gjatë darkës në këto dy media qarkulloi një lajm që në orën 23:30 do të binte një tërmet i fortë. Mijëra qytetarët në Tiranë braktisën shtëpitë dhe qëndruar jashtë deri pas mesnatës. Pas disa orësh në Komisarit 2 gazetarët janë liruar sërish.