Nga Boldnews.al
Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj Saimir Tahirit, përmes një deklarate me 4 fjali që kishte brenda dy qëndrime.
Në pjesën e parë të deklaratës, Ambasada thekson “vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta”.
Përmes këtij paragrafi, Ambasada e SHBA flet për rritje të pavarësisë së gjyqësorit, duke e lidhur këtë me Reformën në Drejtësi, e cila për hir të së vërtetës, ka dhënë efekte në largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por njëherazi e ka bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë pa dy hallkat më të rëndësishme: Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Një paragraf më poshtë Ambasada shpreh pakënaqësinë lidhur me dënimin e Tahirit, të cilin e cilëson si shkurajues.
“Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Referuar këtij paragrafi, duket se amerikanët në Tiranë, prisnin dënimin me burg për ish-ministrin e Brendshëm, i cili me vendim gjykate është konvertuar në 3 vjet shërbim prove, dhe 3 vjet mosmbajtjen e funksioneve publike.
Por çfarë ka ndodhur në raportet mes Saimir Tahirit dhe Ambasadës së SHBA nga 2013 dhe në vazhdim?
Ambasada e SHBA në Tiranë u investua në çështjen Tahiri, duke angazhuar, sipas raportimeve, të paktën dy përfaqësues të saj, në çdo seancë gjyqësore, madje edhe gjatë ditës së djeshme.
Pa iu zbuluar asnjëherë statusi që kishin, përfaqësuesit e Ambasadës qëndronin në sallë, mbanin shënime, ndoshta i raportonin diku, ose në rastin më të thjeshtë, prania e tyre konsiderohej si një farë presioni apo interesimi lidhur me ecurinë e procesit.
Më parë ata kishin monitoruar gjykime të kriminelëve ordinerë, çka të lë përshtypjen që edhe gjykimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, me kohëzgjatjen më të madhe në këtë funskion, e kanë trajtuar njëlloj si ato të seancave të grupeve kriminale.
Si kanë rrjedhur ngjarjet në rastin Tahiri dhe qëndrimi amerikan?
Saimir Tahiri mori funksionin e ministrit të Brendshëm në vitin 2013, pasi PS, në koalicion me LSI-në, fituan zgjedhjet parlamentare. Pavarësisht moshës së re dhe mungesës së eksperiencës, qoftë si ligjvënës ashtu edhe në vitet e punës, ai mori postin më të rëndësishëm në qeverinë Rama, madje cilësohej edhe si kampioni i saj. Pasi spastroi rradhët e policisë nga drejtues që nuk i përkisnin “Policisë së Rilindjes”, Tahiri nisi të ndërtojë atë që e quajti “policia që duam”. Dhe këtu ai nuk është se pati vetëm suportin e Edi Ramës apo qeverisë së tij.
Të parët që pranuan në heshtje ose e bekuan Rilindjen e Policisë, që më pas çoi në kanabizimin e vendit, ishin ndërkombëtarët e atashuar në Tiranë. Romana Vlahutin dhe Donald Lu, e para ambasadore e BE-së dhe tjetri, ambasador i SHBA.
Çifti i diplomatëve përgjatë 2014-2015 dhe deri në mesin e vitin 2016, në asnjë moment nuk morën në konsideratë akuzat dhe denoncimet publike lidhur me kanabizimin e vendit. Madje, u kthyen në një mburojë për qeverinë, ku hera herës përdoreshin qoftë nga Tahiri ashtu edhe Edi Rama, si “dëshmitarë të suksesit qeveritar” në luftën kundër kanabisit.
Nëse kthehemi pas në kohë, dhe sjellim në vëmendje deklaratat e ambasadorit Lu, vlerësohej lufta kundër drogës dhe krimit, përpjekjet e mëdha që po bëheshin kundër grupeve kriminale dhe mbështetjen e madhe që kishin agjensitë ligjzbatuese nga partnerët ndërkombëtarë.
Tahiri në atë kohë deklaronte se tashmë policisë shqiptare i vijnë informacione nga agjensitë ligjzbatuese europiane dhe amerikane, që më parë nuk përcilleshin, pasi sipas tij, nuk kishte besim.
I gjithë ky suport ndaj Tahirit, kulmoi me vizitën që ai bëri në 2015 në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa kishte mprehur shpatën ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në njërën anë, dhe ishte vendosur në akuza publike për kanabizimin dhe avionët e drogës në anën tjetër.
Por akuzat nuk merreshin seriozisht dhe ndoshta ish-ministri i Brendshëm, mund të jetë i vetmi zyrtar që ka shkelur në Shtëpinë e Bardhë me një lumë akuzash në kurriz në atë kohë, që u zyrtarizuan vite më pas nga Prokuroria, dhe që përkojnë pikërisht me episode kur në sytë e Lu, Tahiri ishte “ylli në ngjitje”.
Çfarë ndodhi më pas?
Në mesin e vitit 2016, Ambasadori Lu, pranoi problemet me drogën, por situata kishte agravuar dhe nëse bëhet një krahasim mund të thuhet se “plaga ishte gangrenizuar dhe pacientit nuk mund t`i shpëtoheshin gjymtyrët”.
Këtu mund të jetë edhe pika e kthesës në raportet amerikane, që nisën të besojnë akuzat publike nga opozita dhe mediat, pas 3 vitesh. Megjithatë, sërisht Tahiri ishte një i përkëdhelur në rradhët e Rilindjes, edhe pse në atë kohë, po ringrihej një tjetër emër, Erion Veliaj.
Vëmendja amerikane u përqëndrua te reforma në drejtësi, kanabizimi sërisht mbeti një çështje e dorës së dytë, dhe presioni nga Ambasada ishte pikërisht për reformimin e sistemit të drejtësisë. E gjithë kjo situatë dukej se i shkonte për shtat ish-ministrit të Brendshëm, i cili në 2014 kishte marrë në dorë flamurin e sulmeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët i quante korporatë.
Në 2017, vit zgjedhor, opozita nisi lëvizjen e saj duke vënë theksin pikërisht te përdorimi i parave që ishin siguruar nga kanabizimi i vendit në blerjen e votave nga qeveria. Sërisht akuzat u trajtuan jo seriozisht nga ndërkombëtarët, që përmes presionit të hapur e lidhën situatën me pengesën që po i krijohej reformës në drejtësi dhe shigjetat iu drejtuan opozitës.
Tahiri u largua nga detyra në 11 mars 2017, duke shënuar fitoren e parë të opozitës, të paktën politikisht.
Gjithsesi, ish-ministri i Brendshëm mbeti ndër të besuarit e Ramës, ishte kryetar i PS-së për Tiranën, drejtoi fushatën e kësaj partie, u bë deputet, u mbrojt deri në fund nga mazhoranca e drejtuar nga Rama, edhe kur prokuroria kërkoi arrestimin, dhe me qetësimin e ujrave, bëri tërheqjen taktike, ndoshta edhe me presion ndërkombëtar, për tu përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.
Ambasadori Lu në fundin e mandatit fliste për peshqit e mëdhenj, madje bëri edhe një deklaratë shokuese, pikërisht lidhur me Tahirin, kur tha se ishin bërë presione ndaj gjyqtarëve që të mos arrestohej.
Ndërkohë që me nisjen e gjyqit ndaj Tahirit, situata politike ishte përfshirë nga një krizë e thellë, veçanërisht pas publikimit të dosjeve 339 dhe 184, një tjetër zyrtar i lartë i SHBA-së, Metthew Palmer, shigjeton sërisht opozitën, me një strategji të ngjashme si në rastin e Tahirit. Edhe këtë herë çuditërisht “u zgjodh” krahu i gabuar. U legjitimua një proçes që nuk ishte në interesin publik, sikundër do të thuhej në deklaratën e OSBE/ODIHR dhe kjo u interpretua si një mënyrë për të mos lejuar reaksionin zinxhir në Rajon, ku opozitat mund të bojkotonin zgjedhjet apo të digjnin mandatet.
Por kjo nuk zgjidhi asgjë, kriza vijon, zbatimi i reformës në drejtësi nuk po prodhon atë që mund të priste SHBA, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese vijon të jetë jashtë funksionin, SPAK dhe BKH ende nuk janë ngritur, madje e gjithë “çorba e gatuar” ka nxjerrë gënjeshtarë në sytë e publikut disa zyrtarë dhe diplomatë, përfshi këtu edhe Palmerin, që tha se do të ngriheshin në korrik, më pas në shtator, por do të jemi me fat sikur të jenë funksionalë në fund të vitit.
Zhgënjimi me Ambasadën
Problemi ka mbetur, është agravuar, madje ka shkaktuare dhe një humbje durimi. Për herë të parë në 28 vitet e pluralizmit shqiptar, sot postimet në rrjet në faqen e Ambasadës amerikane shoqërohen me komente negative, madje për një moment të krijohet përshtypja sikur po sheh faqen e Edi Ramës.
Njerëz të zhgënjyer, që nuk ngurojnë të thumbojnë Ambasadën dhe politikën e ndjekur prej saj në Shqipëri. E bëjnë përgjegjëse, madje deklaratat krahasohen me ato që përgatiten nga zyrat e shtypit të qeverisë, apo gazetarë të njohur për afërsinë me të.
Në një koment, që pason mesazhin e Ambasadës lidhur me Tahirin, thuhet se ky dënim që aplikohet për hajdutë ordinerë, nuk do të mund të arrihej pa mbështetjen dhe suportin e Ambasadës.
Të tjerë reagojnë me ironi, duke shkruar se njoftimi është shkruar nga Mira Kazhani, gazetare e njohur për mbështetjen ndaj qeverisë, vetë Saimir Tahiri, apo Endi Fuga e Elisa Spiropali…
“As Mira Kazhani nuk do e qëndiste kaq bukur deklaratën”, shkruan një komentues.
“Edhe ERTV nuk do e formulonte kaq bukur. Ju maskarenj që vini nën petkun e diplomatit jeni e keqja reale e këtij vendi. Jeni thjesht një tufe ndyrësirash, pedofilësh, pederastësh që bëjnë gam gam kot vetëm për interesa personale”, shkruan një tjetër.
“E turpshme kjo deklaratë. Kjo vetëm sa i shkurajon shqiptarët që kan besim absolut tek vendi më demokratik i botës. Uroj të jetë mendim personal i ndonjë zyrtari të rëndomtë të kësaj ambasade, ndryshe ky është zhgënjim i madh”, thuhet në një tjetër mesazh.
“Këtë faqen tuaj më duket se mund ta manaxhojë ndonjë i rilindjes se nuk ka mundësi.Po si mundet ju si ambasada që keni një rol të rëndësishëm në Shqipëri të bëni një deklaratë të tillë ndërkohë qe ju si ambasadë po kontribuoni në burgimin e shumë njerëzve të thjeshte , duke ndihmuar pushtetin në lojën e flliqur që bën duke ju treguar dhëmbët fukarenjve. A e dini sa njerëz të pafajshëm janë nëpër burgje dhe paraburgime për arsye qe s´kanë lidhje me to ? Duke i përfshirë si grupe të strukturuara kriminale ? Ky është turp për ju si ambasadë që mbyllni sytë para kësaj drejtësie që vetëm drejtësi nuk quhet”, thuhet në një tjetër mesazh.
Të tilla mesazhe gjen pafund në faqen e Ambasadës, në reagimin e saj ndaj çështjes Tahiri. Dhe ky zhgënjim ndodh në vendin e cilësuar si më pro-amerikani jo vetëm në Rajon, por edhe në Europë, këtu ku çdo zyrtar i lartë amerikan është pritur me mitingje festive dhe me flamuj, çdo ambasador është parë si më i rëndësishëm se çdo i zgjedhur dhe drejtues shqiptar, përfshi këtu edhe Kryeministra apo Presidentë.
Dhe për këtë situatë zhgënjyese merita kryesore pikërisht shkon te stafi diplomatik, që çuditërisht ka zgjedhur të jetë jo në anën e opinionit publik.
Ndoshta këtë rradhë nuk do të duhen 3 apo 4 vite për të besuar atë që po ndodh me “çorbën alla-Rilindje me bekim ndërkombëtar”, pasi do të jetë vonë për të bindur të zhgënjyerit e shumtë që tashmë, kanë thyer mitin se “Ambasada amerikane nuk mund të kritikohet”.