“Të gjeta në LinkedIn… të gjeta në Google… për një refuzim ftese po të ndodhin të gjitha këto”. Një vajzë e re e terrorizuar ka denoncuar pranë zyrës kundër krimeve kibernetike, një të panjohur, i cili përdorte fotografitë e saj, duke hapur profile false e duke shkruar për të. Larg jetës virtuale, në jetën reale, ai i ishte kthyer në një stres të vërtetë. Denoncuesja është studente në vitin e dytë të Mjekësisë. Vajza quhet Enkelejda, ndërkohë që personi për të cilin materialet do t’i referohen Prokurorisë prezantohet në jetën virtuale si Alton Shabani. Por, në fakt kjo është një adresë false thotë për Gazetën Si një burim pranë Departamentit të Policisë Kriminale, sektori kundër krimeve kibernetike.
Denoncimi
Për tre muaj me radhë Enkelejda M. është “torturuar” nga keqpërdorimi i fotove të saj. Madje, asaj në llogaritë e rrjeteve sociale i janë dërguar nga i njëjti person fotografi me përmbajtje seksuale. Vajza deklaron në polici:
“Një adresë me emrin Alton Shabani, pasi më kishte bërë ftesë dhe e refuzova në ‘Facebook’, më shkroi në ‘inbox’ fjalë perverse. Mendova se ishte ndonjë mesazh i rëndomtë ose ndonjë virus dhe nuk i vura rëndësi. Megjithatë i bëra bllok këtij personi. Atëherë u krijuan faqe të tjera me emrin Alton Shabani, dhe me të njëjtën foto që kishte, filloi të hidhte foto të miat që i kishte marrë nga profili. Filloi t’ju bëjë ftesë njerëzve të mi dhe këdo që kisha shok në ‘Facebook’. I bëra bllok, shoqet më thanë se kishte përdorur foto të miat. Në njërën nga këto adresa më shkroi: “Nuk u lodhe duke dhënë bllok. Për fotot e tua nuk të zë meraku?”. Pas kësaj krijoi adresa në “Instagram” dhe po me emrin Alton Shabani filloi të përdorë fotot e mia personale dhe vazhdoi me kërkesa ndaj shoqërisë sime dhe familjes sime. Më ka stresuar. Në një rast ai hapi një llogari në “Instagram” dhe me të njëjtin emër vendosi foton time si foto profili, por kjo nuk ishte një foto e marrë nga ato që kam publikuar, por e kishte bërë diku. Aty kuptova se ky person më njeh dhe më ndjek kudo nga pas. Fotoja e llogarisë së fundit duket që është bërë ditët e fundit dhe është shkrepur te lagjja ku unë banoj”.
Studentja tregon se ky person që e ndjek këmba-këmbës duhet të jetë një psikopat që ka vendosur ta dëmtojë.
Policia: A ka pasur tentativë për marrjen e adresave tuaja në “Instagram” apo adresa të tjera?
Enkelejda: Po, ka pasur tentativë për ndërhyrje në adresat e mia Facebook, Instagram, Gmail dhe Yahoo. Për secilën nga tentativat më ka ardhur njoftim nëpërmjet e-mailit. Tentativat kanë filluar në ditë të ndryshme dhe kanë filluar gjatë muajit qershor. Nga të dhënat që më kanë ardhur një IP nga e cila tentohet të hyhet është me numër 79106…, ndërsa shifrat e fundit ndryshojnë përherë.
Policia: A janë krijuar adresa të tjera, duke përdorur të dhënat tuaja?
Enkelejda: Po, ky person ka hapur adresa të tjera në Instagram duke përdorur të dhënat e mia, fotot, emrin apo ka hapur edhe Instagram me emrin e shoqes sime, duke i shkruar asaj më pas: “I thuaj Enkelejdës që tani të hapa edhe ty profil ‘fake’. Sado të mos përgjigjet prapë e kam në dorë, vetëm e vdekur shpëton nga unë. Kur ta takosh puthe nga unë”.
Policia: A keni ndonjë person konkret apo të përafërt tek i cili dyshoni?
Enkelejda: Jo, nuk kam asnjë person apo dyshim konkret. Megjithëse dyshime kam, por nuk mund t’i vendos gishtin që të them se kush është ky person që do të më bëjë keq. Dua ta gjeni sa më shpejt që edhe unë të rri e qetë. “Do të bëhem ferr”
Mes mesazheve që dërguesi i niste vajzës, ishin edhe paralajmërime të ngjashme që nga kërcënimet dhe herë-herë edhe lutje që ta pranonte në jetën virtuale. Sepse në të kundërt, kërcënuesi i thotë se do t’ia bënte jetën ferr. Policia ka bërë këqyrjen e rrjetit të saj “Facebook” dhe “Instagram” ku dhe ka konfirmuar rrethanat e kallëzimit. Policia i ka dërguar kërkesë kompanisë “Facebook”, duke marrë e-mailet e llogarive me emrin Alton Shabani nga ku rezulton se ato janë katër të tilla me emra falsë.
Kërcënime në rrjet
Ne mund të klikojmë shpesh nga zyra fotografitë e miqve që në kohë rekord na tregojnë përmes fotografive se po kalojnë jashtëzakonisht mirë diku në mal, në det, në Romë, Paris apo kudo. Në një çast mund të ndihemi se jeta në punë na ka vënë përpara. Por, kjo keqardhje nuk është asgjë përpara telasheve që jeta virtuale hap duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në përditshmëri. Çdo ditë sektori i krimeve kompjuterike në polici përballet me dhjetëra denoncime dhe ankesa nga më të çuditshmet, më të rëndat për krimin kompjuterik janë ato të mashtrimit me blerjet, ndërsa të tjerat janë pretendime se ish-partnerët po i përndjekin, po i fyejnë ose drejtpërdrejt, ose figurativisht. Burimet e Gazetës Si shtojnë se janë administruar denoncime të prindërve të adoleshentëve veçanërisht për keqpërdorimin e “Instagram”-it, disa herë i përdorur deri në bullizëm. Por, vendin e parë për abuzime me llogaritë në Shqipëri e mban “Facebook’. Një grua e martuar pretendoi pak muaj më parë se i kishin vjedhur të dhënat personale në “Facebook”, të tilla sipas saj që nga fotografitë deri te video që kishte postuar me familjen. Por, kur policia kërkoi më tej, nuk mundi të gjejë asgjë më shumë veç një llogarie tjetër false me të njëjtin emër që siç u kuptua ishte hapur për “t’u martuar” në “Facebook” me të shoqin. Një tjetër u qa në polici se ish i dashuri po hakmerrej dhe po shkruante për të në “Facebook” përmes një profili ‘fake’, por edhe kjo nuk u arrit të provohej, pasi nuk kishte asnjë provë përderisa poseduesi i faqes në fjalë postonte shprehje të huazuara për tradhtinë dhe në fund shkruante vetëm emrin e vajzës pa mbiemër. Dhe ndërsa në rastin më të mirë, “Facebook” ka rezultuar edhe “shkesi” i një historie, në rastin më fatal “Facebook” rezulton i përdorur për ngacmim seksual apo edhe për zbulime që më tej kanë sjellë konflikte në çift apo mes miqsh. Denoncimi më i çuditshëm, shton i njëjti burim lidhet me kallëzimin e një prindi me banim në zonën e Freskut që tregoi se vajza ishte larguar nga shtëpia dhe se e ëma dyshonte që vajza kishte njohur dikë tjetër përmes “Facebook”. Kur 20-vjeçarja u kthye në banesë, e ëma e tërhoqi denoncimin, por gjatë marrjes në pyetje të “plangrishëses”, ajo u tha nën zë oficerëve “më gënjeu në ‘Facebook’, u ktheva në shtëpi sepse ai doli i martuar”.