Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi iu bën thirrje qytetarëve të dalin në protesta për reformën në drejtësi. Duke pranuar një pjesë problemeve që ekzistojnë, Gaçi thotë se Edi Rama dhe Partia Socialiste po sakrifikon pushtetin për të bërë shtet.
Ai deklaron se për 3 vite janë bë reforma se në 25 vite së bashku dhe se nëse reforma në drejtësi votohet më 21 korrik, data 22 duhet të jetë një ditë krenarie por nëse ndodh e kundërta, vlejnë argumentet për zgjedhje të parakohshme.
Po kë shtu Gaçi flet edhe për rolin e ambasadorëve Lu e Vlahutin, për të cilët thotë se po bëjnë më shumë se qytetarët shqiptarë me përpjekjet e tyre.
DEKLARATA E DEPUTETIT ARTAN GAÇI
Qeveri ekspertesh pas miratimit të reformës në drejtësi?!
Pse duhet të largohet një kryeministër që ka bërë më shumë reforma në 3 vjet nga ç’janë bërë në 25 vjet në këtë vend, për më tepër mbasi ka udhëhequr dhe çuar në parlament reformën më të rëndësishme, të paktën për 100 vitet e fundit?
Nëse votohet në date 21, data 22 duhet të jetë një ditë pune e madje krenarie për këtë arritje duke pritur e marrë përgjegjësinë për rezultatet e kësaj reforme. Nëse nuk votohet, sigurisht vlejnë gjithë argumentet e mundshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme e për t’i kërkuar popullit të vendose.
Ka kaq ditë që po luhet kungulleshkash se kush ka dhe sa numra në parlament. Nëntëdhjetë përqind e shqiptarëve janë pro miratimit të reformës në drejtësi, dhe mbi 80% pro vetingut nga ndërkombëtarët. Kjo përqindje duhej të reflektohej edhe mes përfaqësuesve të tyre në parlament por është e kundërta. Thellë-thellë, rreth 80% e parlamentit nuk e do vetingun nga ndërkombëtarët. Sigurisht që pjesa më e madhe do votojnë se nuk guxojnë të mos e bëjnë.
Çështja nuk është se si do i lëvizin kulisat e interesat kjo pjesë në parlament, por si do veprojnë 3 milion shqiptarët e 2 milion emigrantët që vuajnë përditë pasojat e që shpresojnë për rezultatet. Do presin sondazhin e radhës për t’u shprehur apo do çohen të luftojnë për atë që besojnë e për atë që duan?
A dini gjë që ambasadoret Lu dhe Vlahutin kane ndonjë origjinë shqiptare e kanë për këtë vend dashuri më të madhe seç kemi ne?
A dini gjë që na kanë ndonjë detyrim e nuk dine si te na e shpërblejnë?
A dini gjë se jemi kaq te rëndësishëm e kaq të pazëvendësueshëm?
A dini gjë se Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian nuk dine ku ti çojnë paratë e kanë vendosur t’i shpenzojnë kot rrugëve të Tiranës?
Mua me rezulton që asnjë nga këto nuk është e vërtetë.
Atëherë si ka mundësi që këta zotërinj ngrihen prej 2 vjetësh mëngjes për mëngjes e shkojnë zyrë më zyrë duke duruar fudullëkun, intrigat e gënjeshtrat otomane të disa politikaneve tanë që qysh nga takimi i parë kanë pasur qëllim t’i zvarrisnin e t’i tallnin duke mos pasur asnjë moment dëshirë e vullnet për të bërë këtë reforme.
Po si e shpjegoni ju intelektualë të këtij vendi, që ata vazhdojnë çdo ditë, nga 5 a 6 takime me këto lloj syresh në këtë vapë e pluhur ballkanas e ju nuk lëvizni as gishtin për t’u qenë krah të paktën me fjalën tuaj publike. Ende keni frike te bëni forume e t’u bëni presion politikaneve duke pasur në krah Amerikën e BE-ne?
Po ju njerëz te ndershëm e punëtorë që prisni ndeshjen e ardhshme te kombëtares për te shfryre ndaj imazhit te keq e për t’u ndjere sado pak krenare për këtë komb, nuk do ishte me mire te lëviznit, te mbushnit sheshet e te luftonit për te drejtën tuaj?
Po ju te persekutuar qe kane 25 vjet qe ju zvarrisin pa zgjidhje dhe ua shesin edhe si sistemin tuaj. Keni rrezikuar atëherë kur nuk guxonte njeri, nuk keni dhe pak energji për te mbështetur Amerikën sot, siç bënit dje, ne këto dite kritike te reformës ne drejtësi?
Po ti ish-pronar qe te kane bere qepaze e legenosur dyerve te gjykatave, nuk te ka mbetur kaq mllef e rezistence qytetare për t’i fituar gjerat me te drejte e kurajë e jo vetëm me te blere e legenosje?
Po ju ushtarake idealiste qe nder vite ju ç’burrërojnë me ato te shkreta pensione e duke ju vjedhur tenderët e ushqimeve e uniformave, ju e kuptoni me mire se shume te tjerë çdo te thotë sovranitet e si do ishte ai pa ShBA-te.
Po ju emigrantë që mbani Shqipërinë prej 25 vitesh, që bëni nga 3-4 punë, që ju poshtërojnë vetëm pse keni ikur nga kjo Shqipëri e padrejtë e që vuani çdo dite lajmet që vijnë nga Tirana. Nuk i merrni në telefon familjarët tuaj që mbani me bukë prej 25 vjetësh të dalin para parlamentit e mos kthehen në shtëpi pa u votuar reforma, pa fituar te drejtën e tyre?
Po ju sipërmarrës qe ankoheni përditë për tenderë e qe shikoni te pasurohen e t’ju bëjnë karshillëk kush paguan me shume, nuk mund t’i mbyllni një dite ndërmarrjet e te shoqëroni ambasadoret Lu e Vlahutin kur luftojnë për ne?
Po ju te rinj te Shqipërisë, zhytur ne ankthin e te ardhmes te pasigurt, qe s’lini kurs e shkolle pa paguar e gjuhe te huaj pa mësuar me shpresën për t’u larguar nga ky vend. Shkollat e provimet mbaruan. Me idealizmin tuaj nuk mund te mbushni sheshet për t’i dhënë zemër Lu-se e Vlahutinit?
Ju tregtarë të vegjël që çdo ditë ankoheni për rënien e xhiros, e çdo ditë shikoni si zvogëloheni nën peshën e pamundësisë ekonomike, bëhuni bashke e ndihuni te rëndësishem këto dite vendimtare për vendin.
Ju gra e nëna, heroinat e vërteta të këtij vendit, që Enveri ju futi në punë me tre turne ndërsa sot mbani shtëpinë me një rrogë qesharake nga puna fason. Merrini burrat dhe dilni protestoni që fëmijët tuaj të mos kenë të njëjtin fat.
Ju prindër që sakrifikoni gjithçka për të bërë dy lekë bashkë për të paguar shkollat e fëmijëve, e dëgjoni lloj-lloj historish se si shokët e klasës, fëmijë gjyqtarësh apo politikanësh ndërrojnë makinat më të shtrenjta pa mbushur 18 vjeç. Ky është momenti për të luftuar kundër këtyre modeleve. Dilni e protestoni për reformën në drejtësi.
Kemi 500 vjet që datat në histori ose na i vendosin konjukturat ndërkombëtare ose na i vendosin qeveritarët të cilat shpesh nuk zgjasin më shumë se pushteti i tyre. Ka ardhur koha që data 21 korrik të mos jetë një tjetër datë qyl në historinë tone. Edi Rama e Partia Socialiste po sakrifikon pushtetin e vet për te bere shtet. Por beteja është shume e madhe e ka nevoje për te gjithë. Patjetër Rama, Partia Socialiste, ShBA e BE, por duhet edhe mbështetja e çdo qytetari për këtë ndryshim.
Kauzë më të drejte, e aleate më të mëdhenj nuk kemi pasur e nuk kemi për te pasur kurrë. Qe nesër rrugët e Tiranës duhet te jene plot. Nuk ka asgjë tjetër me te rëndësishme dhe ne fund te fundit jemi ne përgjegjës për te ardhmen tone, pavarësisht se Lu e Vlahutin po e bëjnë 100 here me mire punën tonë.