Qytetarët do t’i nënshtrohen kritereve të reja për përfitimin e ndihmës ekonomike, ndërsa janë përcaktuare edhe rastet kur mund ta humbasin atë. Vendimi i qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi, përcakton se përfitues të ndihmës ekonomike janë familjet në nevojë, me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët, prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë; viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare. Aplikimi për mbështetje financiare bëhet tek administrator shoqëror, i cili identifikon familjet dhe individët në nevojë, dhe i informon ata mbi procedurat e aplikimit .
Në vendim, thuhet se përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike për një periudhë 6-mujore, nëse një anëtar i vetëm i familjes, kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë; nuk tërheq ndihmë në afatet e përcaktuara, refuzon verifikimin e situatës socialekonomike në familje; Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë; Nuk paraqitet për deklarim ose nuk deklaron ndryshimet e situatës socialekonomike çdo tre muaj pranë administratorit shoqëror, refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune; kanë anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve.
Po ashtu, përjashtohen nga skema për një periudhë 1-vjeçare, nëse familja ka anëtarë në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës; punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme; ka kryer më shumë se një deklarim të rremë. Masa e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë përcaktohet sipas strukturës së familjes dhe shkon deri në 150 për qind e masës së pensionit social dhe e indeksuar. Për kategoritë e tjera është 3 mijë lekë në muaj, ndërsa për për prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë 3 mijë lekë, për çdo fëmijë; Katërnjakë 4 mijë lekë; dhe Pesënjakë 5 mijë lekë, për çdo fëmijë.
/SCAN/