Ata trafikantë (Habilajt) flasin për 5 mln euro dhe 20 mln euro që fitoja unë, që i doja për zgjedhjet. Atëherë përse Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka hetuar nga Edi Rama tek unë dhe te të gjithë e të bënte namin.
Kështu deklaroi Sajmir Tahiri në sallën e gjyqit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa paraqiti mbrojtjen përmes disa tabelave, që sipas tij rrëzonin pretendimet e prokurorëve.
“Më sillni një provë për katër episodet që më akuzoni. Grupi i strukturuar kriminal, akuza kërkon një provë se çfarë kam bërë, ngarkim- shkarkim, ngritje trau, kam blerë cigare për grupin?
Po si është e mundur që një Ministër i Brendshëm të ketë rolin e ndihmësit. Me akuzoni për përgjimin e Taulant Haxhiraj ku ai thotë se kushot e Ministrit kanë marrë garanci. E pse qenkam unë Ministri e jo një tjetër Ministër nga Vlora?
Unë paskam takuar në drekë Habilajt, kjo nuk është e vërtetë. Ata janë proceduar penalisht 4 herë nga policia e shtetit. 6 shkresa ja kam çuar Mimi Kodhelit për radarët.
Ndërkohë që pretendoni se kam qenë në drekë me Habilajt, unë kam qenë në zyrë me Llallën, Ajazin pasi na ishin arratisur 7 kriminelë nga burgu i Korçës. Ata trafikantë flasin për 5 milion euro dhe 20 milion që fitoja unë dhe i doja për zgjedhjet”, tha Tahiri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vjet burg për Tahirin, por ish-ministri i Brendshëm deklaroi se në datat kur janë kryer përgjimet ndaj Habilajve ai ka qenë me angazhime të tjera, dhe jo sikundër thuhet në dokumente që ka qenë me personat e përgjuar.
“Habilaj është përgjuar duke thënë se jam me shefin e madh në datën 22.11.2013, por unë kam qenë në Bruksel për integrimin e Shqipërisë. Në datë 23 nëntor 2013, Habilaj është përgjuar duke thënë se jam këtu me shefin për drekë, por unë në 23 nëntor në orarin e përgjuar kam qenë në konferencë për mediat për rastin e të arratisurve nga burgu i Drenovës. Kam qenë në zyrë në takim me kreun e SHISH, Visho Ajazi, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe Ministrine Drejtësisë, Nasip Naço”, ka pohuar Tahiri.
Ish-Ministri tha se edhe nga sekuestrimi i telefonave të tij nuk ka dalë asgjë. ”Më kanë sekuestruar telefonat e mi, ka rezultuar zero komunikim me Habilajt dhe të gjithë pjesëtarët e arrestuat. Kanë pyetur në 15 qytete në Greqi dhe në Mal të Zi nëse kam prona a pasuri që mund ti kem përfituar nga trafiku. Ka rezultuar negative të gjitha”, theksoi ai.
Në vijim, Tahiri ka pohuar se më 23 prill 2017 Dritan Prençi, prokuror i kësaj dosje, ka marrë një email me të dhëna mbi Habilajt që kultivonin kanabis. Ky email është dërguar nga njëri nga drejtuesit e Policisë që po akuzohet sot si bashkëpuntor me Habilajt.
“Pse të mos dyshojmë se për 16 muaj ( ditë kur nisi procedim i parë për Habilajt nga vetë Jaeld Çela) prokuroria i ka mbajtur pa hetuar Habilajt? Pse të mos dyshojmë që ishte prokuroria që i mbronte? Policia ka referuar në prokurori në 9.6.2016 Habilajt për kultivim, kohe kur Jaeld Çela ishte drejtor i policisë së Vlorës. Jaeld Çela akuzohet se ka ndihmuar Habilajt në 4 raste të trafikut në Itali, por pse nuk thotë Prokuroria që Jaeld Çela nuk ka qenë drejtor e as polic në Vlorë për tre rastet e para të trafikut?”, tha ai.