Fatmir Mediu, kreu i PR-së, një prej partive aleate të PD-së, në koalicionin qeveritar, e ka cilësuar një shfaqje të turpshme seancën dëgjimore në Komisionin Hetimor parlamentar me Presidentin Ilir Meta.
“Në njërën anë ishin deputetë që nuk njohin Kushtetutën, por i shërbejnë verbërisht urdhrave politikë. Nga ana tjetër, Presidenti, me përgjegjësinë dhe me autoritetin që i jep Kushtetuta, shpjegoi vendimin e tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, e cila nuk u respektua për shkak të urdhrit politik të Edi Ramës.
Ky objekt hetimi ishte i ndërtuar qëllimisht nga ana e Partisë Socialiste, e cila pas raportit të OSBE/ODIHR duhet të kishte një reflektim. Interesi i tyre politik dominon mbi interesin kombëtar. Më bëri përshtypje analiza e Presidentit, më tërhoqi vëmendjen qëndrimi i tij kur tha se nuk donte të kishte një Rajshtag në Shqipëri”, tha Mediu në studion e A2Cnn.
Lidhur me aksionin e opozitës në vjeshtë, Mediu theksoi se duhet të bëhet një rivlerësim i pozicioneve dhe duhet krijuar një plan veprimi që i shërben interesave të kombëtar dhe më pas qëllimeve të saj politike.
“Qëllimi i opozitës duhet të jetë krijimi i shtetit shqiptar. Sot jemi në një republikë bananesh. Ka elementë të rëndësishme reformash që kërkojnë angazhimin e opozitës dhe ne nuk mund ta lamë fatin e shqiptarëve të jetë pjesë e kësaj tragjikomedie. Është e rëndësishme që parlamenti të jetë përfaqësues i qytetarëve.
Mendoj se opozita duhet të riinstitucionalizojë marrëdhëniet, e cila nuk duhet të jetë as spontane dhe as rutinore. Mendoj se është e rëndësishme që të ketë një vendimmarrje më kolegjiale, një organizim të niveleve të dyta për të gjithë aksionin, duhet të ketë një nivel më të integruar me ndërkombëtarët”, tha Mediu.
Në vijim kreu republikan tha se raporti i OSBE/ODIHR është dëshmia e falimentimit të shtetit nga ana e Edi Ramës.
“Në eksperiencën e vitit 2001 e kemi provuar një situatë pak a shumë të ngjashme.
Ne mblodhën të gjitha materialet dhe faktet dhe shkuam derë më derë te ndërkombëtarët për të mbështetur një proces të lirë zgjedhor dhe ia arritëm. Këtë rrugë duhet të ndjekë edhe opozita sot.
Opozita duhet të jetë këmbëngulëse në zhvillimin e një dialogu institucional me përfshirjen edhe të faktorit ndërkombëtar”, tha ai.













