Viti akademik 2019-2020, çfarë preferojnë të studiojnë shqiptarët. Bie miti i juridikut, të rinjtë tërhiqen drejt Shkencave Ekonomike, Teknologjisë së Informacionit dhe Shkencave Inxhinierike, por dhe pas Infermierisë.
Studentët e rinj shqiptarë po ndjekin trendet botërore në kërkesat e tyre për studime duke synuar degët që preferohen më shumë sot në tregun e punës dhe degë studimi që ofrojnë mundësi punësimi globalisht. Sipas të dhënave zyrtare krahas preferencës së maturantëve për Shkencat Ekonomike, këtë vit ka një interes të rritur kundrejt degës së Infermierisë, Teknologjisë së Informacionit dhe Shkencave Inxhinierike.
Infermieria, një degë dikur e nënvlerësuar mori hov vitet e fundit pas një marrëveshjeje mes shtetit shqiptar dhe një agjencie punësimi gjermane, e cila përgatit infermierët shqiptarë për punësim në gjermani duke shënuar shifra të larta të punësimit vit pas viti. E parë si një mundësi e sigurt punësimi shumë studentë po i drejtohen tani infermierisë duke investuar tek e ardhmja jashtë vendit.
Por, jo vetëm infermieria, edhe degë të tjera si Teknologjia e Informacionit dhe Shkencat Inxhinierike, kanë krijuar mundësi të larta punësimi për të rinjtë shqiptarë jashtë vendit, kryesisht në Europë ku diplomat shqiptare njihen më kollaj.
Të dhënat për preferencat e degëve të studimit u bënë publike nga Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, duke iu referuar plotësimit të formularit A2 për raundin e parë të garës në universitete. Xhelaj duke folur për ATSH-në tha se ashtu sikur vitet e kaluara, udhëheqin Shkencat Ekonomike duke përfshirë të gjithë gamën e studimeve në universitetet publike e private në degët Menaxhim, Financë-Bankë, Ekonomiks etj.
“Në vendin e dytë janë shkencat mjekësore që ka interes të rritur ku hyjnë jo vetëm mjekësia por edhe stomatologjia, dega e infermierisë, teknika mjekësore etj. Kjo do të thotë që brenda këtij grupi, rreth 7.8% është vetëm infermieria ku kemi interes të rritur prej maturantëve. Një shenjë e mirë për të ardhmen dhe zhvillimin e vendin është edhe interesi i rritur për Shkencat Inxhinierike Teknologjike të cilat renditen në vend të tretë me 11%”, -thotë ai.
Një shenjë e mirë për vendin është edhe faktin që të rinjtë nga viti në vit po preferojnë Shkencat Inxhinierike dhe Teknologjinë e Informacionit.
“Nëse do bashkojmë Shkencat Inxhinierike dhe Shkencat e Natyrës, vlera shkon deri në 15%, të dyta të renditura dhe kjo është një shenjë e mirë për vendin që maturantët kanë interes për shkencat teknike Inxhinierike që zhvillojnë vendin dhe hapin vende të reja pune dhe sjellin përparimin e vendit. Teknologjia e Informacionit është një degë shumë e preferuar. Kemi 7.6% të maturantëve që kanë zgjedhur të vijojnë studimet në degën e informatikës”.
Ky vit ka shënuar edhe rritjen e mesatares për të gjithë ata maturantë që duan të studiojnë mësuesi nga 7 ka shkuar ne 7.5, megjithatë kjo masë nuk dha efekt frenues. Mësuesia vazhdon të jetë e preferuar. Janë 23 mijë maturantë që kanë plotësuar formularin A2, pra që janë pjesë e garës në raundin e parë.
Nga data 2 shtator fillon procesi i regjistrimit, të hënën e ardhshme dhe do të jetë po ai proces si i viteve të kaluara me faza 48-orëshe. Ky proces do të vazhdojë me shtatë faza ku në përfundim të 14 ditëve përfundon procesi i regjistrimit në raundin e parë”, sqaroi ai.
Sipas Xhelajt, në përfundim të 14 ditëve, merr fund edhe procesi i regjistrimit për raundin e parë.
“Ditën që fillon faza e regjistrimit, maturantëve u vihet në dispozicion një ditë kohë, më pas në 15 shtator për të bërë çregjistrimin. Në datat 19 dhe 21 shtator rihapet formulari A3 dhe maturantët që nuk kanë arritur të regjistrohen në asnjë degë në raundin e parë, kanë të drejtë të aplikojnë me formularin A3 në këto 3 ditë në dispozicion”, tha drejtori i RASH.
Pas përfundimit të procesit të formularit A3, më 30 shtator fillon raundi i dytë i regjistrimeve. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar thotë se për maturantët që ngelin pa u regjistruar si në raundin e parë, ashtu edhe në të dytin, u është lënë një hapësirë në fund të shtatorit e fillim shtatori.
Pasi përfundon procesi i formularit A3 rifillon përsëri e njëjta procedurë, të dhënat u dërgohen universiteteve dhe në 30 shtator fillon raundi i dytë i regjistrimeve që është që tashmë është jo me 7 por me 5 faza duke qenë se numri i studentëve është i reduktuar.
“Ata që ngelin pa regjistrim, që nuk regjistrohen as në raund të parë, as të dytë u kemi lënë një hapësirë me formularin A4, diku nga fundi i shtatorit, fillimi i tetorit”, përfundoi Xhelaj për ATSH-në.
Ekonomiku thyen rekord, 21. 523 aplikime
Fakulteti Ekonomik publikoi listat e maturantëve fitues të fazës së parë për katër degët e këtij fakulteti. Në një konferencë për shtyp të dekanëve të tre fakulteteve të Universitetit të Tiranës lidhur me pranimet në këtë institucion, dekani i Fakultetit Ekonomik Dhori Kule, theksoi se “më 2 shtator deri më 15 shtator nis faza e parë e regjistrimit”. Sipas Kules, nëse konfirmohen pasaktësi ka të drejtë ankimimi deri në 30 gusht.
“Nga 31 gusht deri më 1 shtator do të shpallen rezultatet e ankimimeve. Raundi i parë fillon më 2 shtator-15 shtator”, thekson Kule.
Ai shton se ka 7 faza 48-orëshe dhe studentët nuk duhet të shqetësohen nëse në fazën e parë apo të dytën nuk e shohin veten fitues. “Për këtë vit janë 21 523 aplikime në Fakultetin e Ekonomisë, 1200 aplikime më shumë se një vit më parë”, nënvizon Kule.
Dekani Kule sqaron se “këtë vit fakulteti Ekonomik do të fillojë me nga një grup leksioni për të gjitha degët mësimdhënie në gjuhën angleze”./Mapo.al