Nga Erl Kodra
“Miqtë e mi, siç e kam zbuluar vetë, këtu nuk ka fatkeqësi por vetëm mundësi. Dhe, me të vërtetë, ka mundësi për katastrofa të reja”
Boris Johnson, Kryeministër i Britanisë së Madhe
Një burrë bjond me flokë të shpupurisur si çufrrog laraskash e ka ndarë mendjen të provokojë shtetin më tradicional në botën që njohim. Ai i ka kërkuar Mbretëreshës Elisabeta II të mbyllë Parlamentin për pesë javë, kohë e mjaftueshme që ligjvënësit anglez të mos kenë mundësi të pengojnë planet e Kryeministrit të sapozgjedhur për një brexit, me ose pa marrëveshje me Bashkimin Europian.
“Miqtë e mi, siç e kam zbuluar vetë, këtu nuk ka fatkeqësi por vetëm mundësi. Dhe, me të vërtetë, ka mundësi për katastrofa të reja”
– është një thënie kontraverse e Boris Johnson. Thënie të tilla godasin fortë duke shkaktuar një efekt të paparashikueshëm tek publiku i gjerë. Kështu, Boris Johnson, me një fjalor dhe portret krejt origjinal që prej një muaji është votuar si Kryeministër i Britanisë së Madhe. Me shumë gjasa, ashtu siç vetë ai e ka thënë, tani mundësitë për katastrofa të reja janë evidente.
Në të vertetë, ngjanë paksa e çuditëshme që një shqiptar të shkruaj për Kryeministrin britanik, por unë do t’ia lejoj vetes këtë kënaqesi, meqense anglezët e lashtë që prej tre vitesh e kanë humbur rrugën në oborrin Buckingham Palace. Me që ra fjala, Mbretëresha Elizabeth II ia miratoi kërkesën për prorogacion (mbyllje të përkohëshme) të Parlamentit Kryeministrit Johnson, një përpjekje cinike kjo për t’ua mbyllur mundësitë e debatit, ose ndonjë mocioni mosbesimi, ose ndonjë vote kundër planeve për daljen e Britanisë së Madhe me ose pa marrëveshje nga Bashkimi Europian.
Por a do të mund t’i shtyjë përpara planet për një Brexit të shpejtë në fund të tetorit Kryeministri Britanik?
Siç raporton BBC, demonstrata po zhvillohen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar kundër vendimit të Boris Johnson për të pezulluar Parlamentin në prag të Brexit. Mijëra protestues kanë dalë në rrugë në qytete duke përfshirë Londër, Manchester, Leeds, York dhe Belfast.
Ka diçka në kufinjtë e të pabesueshmes se si personazhe kontravers po ngjiten në majën e politikës botërore. Në një vështrim të thjeshtë se çfarë përfaqësojnë sot burrat e shteteve të fuqishme të globit, e kupton se asgjë nuk po funksionon siç duhet. Me sa duket, ditët e kiametit po afrojnë.
Para disa ditësh Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro u përfshi në komente fyese dhe idiote për Zonjën e Parë të Francës, bash në facebook, si një komentues i rëndomtë dhe llapaqen.
Se di pse, por m’u kujtua Kryeminstri ynë me qillota Edi Rama, kur deklaronte në CNN se Donald Trump është turpi i njerëzimit. Trump u zgjodh President i SHBA-ve dhe po ndjek një politikë të veten, krejt të veten, në kuptimin që asnjë herë më parë në Shtetet e Bashkuara nuk ka ndodhur. Deklerata kontraverese me shumicë në Tëitter, ndryshime të politikave tradicionale, akuza dhe kundërakuza nga kundërshtarët politik, dhe përfundimisht një Amerikë e çarë më dysh mes tij dhe George Soros, një tjetër lojtarë i çuditshëm ky, por që qëndron në prapakuintat e asaj që ne nuk e shohim dotë.
Sipas fakteve, domethënë të atyre që kanë ndodhur deri më tani, Presidenti Donald Trump po shkon sipas “këshillave të mira” të këshilltarit John Bolton. Një marrëveshje gjithpërfshirëse, të obligueshme për palët, synohet që të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, me gjasë brenda vitit që vjen. Zgjedhjet e reja në Kosovë mund të jenë një e papritur për synimet e John Bolton, ndaj, në kuadër të situatës së paqartë politike, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo e ka emëruar Mattheë A. Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm në Ballkanin Perëndimor. Mattheë A. Palmer është i njohur për dekleratat se votimet e 30 Qershorit janë në rregull, dhe se ato do të njihen si të ligjëshme, pavarësisht se ato u zhvilluan pa dekret presidencial, pa pjesëmarrjen e opozitës, dhe në kundërshtim të plotë me çdo standart demokratik.
Harrova të shtoj se, miliarderi George Soros dhe Presidenti Donald Trump po e shqyejn Amerikën më dysh, por me sa duket ata nuk kanë kurrfarë mosmarrveshje për çeshtjen e Kosovës. Alex Soros, një djalë lëvend me ngjyra ylberi viziton shpesh Beogradin, Prishtinën dhe Tiranën. Edi Rama e ka mik për kokë.
Për t’u rikthyer aty ku e nisëm, tek bjondi Boris Johnson që uli qepenat e Parlamentit më të vjetër në botë. Në të vertetë, është disi e çuditshme se si janë shenjat, ato ngjarje të vogla në dukje, që në fillim ngjajnë si të pamundura, ndodhin papritur. Pastaj e pabesueshmja fillon të pranohet si realitet, deri sa një e pabesueshme tjetër, akoma më e madhe se sa e para bëhet fakt i kryer, e kështu me rradhë, deri sa një ditë të bukur të gjendemi, ashtu siç thotë Boris Johnson, brenda katastrofave të reja.
Për pak harrova të shtoj se ne shqiptarët jemi në katastrofë, domethënë, ne po notojmë brenda saj, të pafuqishëm për të reaguar. Në këtë kuptim çdo përpjekje për të dalë nga katastrofa është plotësisht e pranueshme, madje detyrë.
Në fund të fundit, çfarë mund të humbasim më shumë se sa prangat e mjerimit?