Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro tha të martën se ishte i hapur për të diskutuar ndihmën e G7-ës për të luftuar zjarret në Amazonë, nëse homologu i tij francez Emmanuel Macron “tërheq fyerjet” e bëra kundër tij. Komentet e zotit Bolsonaro vijnë mes një përshkallëzimi të polemikave me zotin Macron lidhur me zjarret më masive ndër vite në Amazonë. Grupi G-7 të hënën premtoi dhjetëra miliona dollarë për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve në Amazon dhe mbrojtjen e pyjeve të saj.
Më herët një zyrtar i lartë brazilian kishte refuzuar ndihmën nga vendet e Grupit G-7 për të luftuar zjarret duke i thënë zotit Macron të kujdeset për “vendin e tij dhe kolonitë e tij”.
Më pas Presidenti Brazilian u tha gazetarëve në kryeqytetin Brazilia se “zoti Macron duhet të tërheqë fyerjet që ai bëri kundër meje”
“Që ne të bisedojmë ose të pranojnë gjë nga Franca, me qëllimet më të mira të mundshme, ai duhet t’i tërheqë këto fjalë, dhe pastaj mund të flasim”.
Pas takimit të grupit G-7, Presidenti Macron iu drejtua presidentit Brazilian Jair Bolsonaro duke thënë se “nuk mund të të lejojmë të shkatërrosh gjithçka”.
Në takimin e G-7 në Francë, grupi premtoi 20 milion dollarë, Britania 12 milion dollarë dhe Kanadaja 11 milion dollarë. Otava kishte ofruar gjithashtu dërgimin e aeroplanëve të zjarrfikësve në Brazil.
Zoti Macron tha të martën se oferta për ndihmë nuk ishte cënim i sovranitetit.
“Ne jemi një vend sovran kur kemi probleme të mëdha, e pranojmë solidaritetin ndërkombëtar me dashamirësi, sepse është një shenjë miqësie”, tha ai.
Presidenti Macron shtoi gjithashtu se ka nëntë vende në Amazon dhe ka shumë vende të tjera që kanë kërkuar ndihmë.
“Për këtë arsye është e rëndësishme që të mobilizoheni shpejt në mënyrë që Kolumbia, Bolivia dhe të gjitha rajonet braziliane që dëshirojnë të kenë qasje në këtë ndihmë ndërkombëtare, të mund të përfitojnë”.
Macron të hënën dënoi komentet “jashtëzakonisht të vrazhda” që zoti Bolsonaro kishte bërë një ditë më herët.
Bolsonaro u kundërpërrgjigj, duke akuzuar Macron se po e trajtonte Brazilin si “një tokë koloni ose tokë pa zot”.
Ndërkohë Presidenti amerikan, Donald Trump shkruante sot në Twitter duke thënë se zoti Bolsonaro po punon intensivisht për të shuar zjarret në Amazonë dhe po bën një punë shumë të mirë për brazilianët. “Ai dhe vendi i tij kanë mbështetjen e plotës të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ai.
Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se ka pasur 1,659 zjarre të reja në Brazil mes të dielës dhe të hënës, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 82,285 – numri më i larti të paktën që nga viti 2013 – edhe pasi avionët ushtarakë dhe trupat kanë ndërhyrë për ndihmë,ndihmojnë në luftimin e flakëve.
Ministri i Mbrojtjes Fernando Azevedo e Silva të hënën pretendoi se zjarret ishin “nën kontroll” dhe se situata është ekzagjeruar.
Ndërkohë zjarrfikësit në shtetin brazilian të Rondonias, vazhdojnë të hasnin vështirësi për të frenuar një zjarr që po përhapej me shpejtësi pranë një rezervati kombëtar pyjor të hënën.
Zjarri është një nga mijëra flakët që kanë përfshirë në Amazon, pyllin më të madh tropikal në botë, në katastrofën mjedisore që ka ngjallur shqetësim global.
Menaxheri lokal i fermave Willian Sabara dos Santos tha se pylli duhet të ruhet dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar fermerët e vegjël.
“Mendoj se shpyllëzimi ka kohë që ndodh por vetëm tani është shtuar trysnia për ta ndalur. Nuk besoj se është intensifikuar aq shumë sa po thuhet. Po vihet në qendër të vëmendjes nga ato që po thotë Presidenti, por kështu është çdo vit: tym, zjarre të paligjshme”.
Megjithëse rreth 60 përqind e Amazonës është në Brazil, pylli i gjerë përhapet gjithashtu në pjesë të tetë vendeve ose territoreve të tjera, përfshirë territorin e huaj francez të Guianës në bregdetin verilindor të kontinentit.
Bolsonaro – një skeptik i ndryshimit të klimës – është përballur me kritika në vendin e tij për përgjigjen e vonuar ndaj zjarreve dhe mijëra vetë kanë protestuar në Brazil ditët e fundit për të denoncuar shkatërrimin.
Shkrimtari brazilian Paulo Coelho, ndërkohë, doli në internet për të kërkuar falje – në frëngjisht – për sjelljen e Bolsonaro.
“Kjo është një video mjaft e trishtueshme për t’u kërkuar falje miqve të mi francezë për krizën – madje do të thosha histerinë e Bolsonaros në lidhje me Francën, presidentin francez, gruan e presidentit francez,” tha ai në një mesazh të postuar në Twitter.