“Një realitet i deformuar, njerëz pa vlera, të pasuruar në mënyrë të paligjshme që blejnë gjithçka, vendimmarrjen në gjykatë, gjuhën dhe helmin në media, opinionin dhe zgjedhësin, postin dhe karrierën i qasen drejtimit politik të vendit. Ja, kështu u gatua kjo gjendje, që sot na dhemb”, shprehet në një intervistë në Dita, profesor Përparim Kabo.
Sipas tij, njeriu i zakonshëm nuk di ku të mbështetet, nuk di si të orientohet dhe ku të besojë.
“Kjo gjendje imoraliteti e ka drobitur ndërgjegjen qytetare dhe e ka sfilitur shpirtin human të njeriut, i cili do të jetë qytetar i rregullt dhe shtetas me parime të shtetit ligjor, por nuk mundet”, shprehet ai.
Ndër të tjera ai ka treguar dhe një mesazh që Silvio Berluskoni ka dhënë Sali Berishës, kur ai drejtonte opozitën shqiptare (1997-2005).
“Data e zgjedhjeve vjen dhe ti hyr në to, sepse populli do të mbështesi, pasi populli, (zgjedhësi), nuk është ushtria e krimit. Si i tha Berluskoni zotit Sali Berisha para disa viteve në parlamentin shqiptar, kur PD ishte në opozitë: “Zoti Berisha, e kuptoj padurimin tuaj. Dita që zgjedhjet do bëhen do të vijë, pikërisht atë ditë duhet të jesh gati me projekte dhe program konkret, ndaj tani në opozitë ke kohën dhe detyrimin që t’i përgatitësh për ato””, shprehet Kabo.
Ndërkohë, kemi një opozitë jashtë sistemi dhe një qeveri që ka zaptuar çdo pushtet. Ku po shkojmë? Pse është kaq e vështirë të krijohet një parti e re në Shqipëri?
Opozita edhe është, edhe nuk është jashtë sistemi, sepse deputetët e listës janë atje nën siglën e partive të opozitës. Ikja nga Parlamenti ishte një gabim historik. Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale e thelloi atë pa argumente bindëse.
Më e keqja është se partitë e vogla tani që mbeten pa gjë, si i thonë fjalës “me gisht në gojë”, duan zgjedhje edhe pa kushtin e Partisë Demokratike, për një qeveri tranzitore dhe pa zotin Edi Rama kryeministër.
Mesa duket, kjo qasje nuk u pranua nga ndërkombëtarët. Precedentët e së kaluarës gjatë tranzicionit bindën se kjo manovër përdoret nga palët në mënyrë ciklike, thjesht si mekanizëm për ndërrimin e vendeve në drejtimin e shtetit dhe nuk është se maturon, apo ka lidhje me rigjallërimin e demokracisë institucionale.
Nëse do të vish në pushtet, duhet të tregosh se ke një projekt ndryshe. Fjala vjen, na trego se kur të jesh në pushtet si do t’i shëndoshësh financat publike, si do jetë ngarkesa fiskale, si do e zhvillosh sektorin bankar, atë monetar dhe financiar. A ke një plan kombëtar për zhvillimin e sektorit të mineralogjisë dhe hidrokarbureve, të mineraleve të rralla dhe të pyjeve, të ujërave dhe ekosistemeve? Ke stradegji për zhvillimin e bujqësisë dhe mbrojtjen e fondit të tokës, për zhvillimin e blegtorisë dhe agrobiznesit? Ke strategji ndryshe për zhvillimin e arsimit dhe të shkencës, të artit dhe të kulturës? A ke strategji për objektivat e mijëvjeçarit? E nëse i ke, bëji prezente.
Data e zgjedhjeve vjen dhe ti hyr në to, sepse populli do të mbështesi, pasi populli, (zgjedhësi), nuk është ushtria e krimit . Si i tha Berluskoni zotit Sali Berisha para disa viteve në parlamentin shqiptar, kur PD ishte në opozitë: “Zoti Berisha, e kuptoj padurimin tuaj. Dita që zgjedhjet do bëhen do të vijë, pikërisht atë ditë duhet të jesh gati me projekte dhe program konkret, ndaj tani në opozitë ke kohën dhe detyrimin që t’i përgatitësh për ato”.
Ju thoni që Qeveria ka zaptuar çdo pushtet. Le ta shohim nga afër si dhe çfarë ka ndodhur. Qeveria ka pushtetin ekzekutiv. Pushteti legjislativ që lidhet me Parlamentin ishte i përbërë nga një shumicë e majtë. Opozita pretendon tani në gjysmën e mandatit se janë blerë votat e madje me paratë e krimit dhe të drogës.
Akuza është e rëndë. Shit-blerja e votës, si edhe e demaskoi i pari, i ndjeri Sokol Olldashi në sallën e Parlamentit, është një fenomen që ngarkon me përgjegjësi të gjitha palët, është përdorur nga ne tha ai, madje edhe këtu në sallën e Kuvendit te Shqipërisë. Nëse PD do zgjedhje pa këtë qeveri, kjo nuk garanton se paratë e krimit në qarkullim për të cilat ajo flet me kaq siguri, nuk do të blejnë sërish votat.
Pushteti juridik, ose me saktë sistemi drejtësisë, është në proces Vettingu nën mbikëqyrje të ndërkombëtarëve, madje SHBA është deklaruar se atë proces e drejtojmë ne, atëherë si mund të themi që ky pushtet është i zaptuar nga qeveria.
Media si pushtet i katërt nga kontrollohet? Po ka media që janë nën kontrollin e qeverisë, si ka media që kontrollohen nga opozita, nga presidenti, nga tregu dhe nga gjahtarë të fondeve, aq sa u provua se marrin subvecione dhe honorare edhe nga jashtë Shqipërisë, me rrugë diversive. Përball kësaj tabloje, si mund të themi që qeveria ka zaptuar të gjitha pushtetet. A mund të shpëtojmë duke krijuar një apo disa parti të tjera politike? Edhe mundet. Por mendoj se ndryshimi do ndodhë pas spastrimit. Atëherë do shohim kush dhe çfarë do mbetet!