Nga Erl Kodra
Vijimi i tekstit “Analiza e fakteve: Krimi i organizuar shqiptar dhe Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë”
12. “Rilindja” e Edi Ramës fiton zgjedhjet parlamentare me “një milion shuplaka”. Në të vertetë, ajo ishte fitore, por me disa element tejet kompleks dhe të rëndësishëm që ndikuan rezultatin final. Së pari, Partia Demokratike ishte velur nga pushteti. Aleanca me LSI-në, një parti tipike klienteliste, ishte një kosto shtesë për Partinë Demokratike. Përveç kësaj, Shqipëria ka një karakteristikë të veçantë elektorale, që njihet mire nga mjeshtrat e zgjdhjeve në Shqipëri, për të cilën do të shkruhet më poshtë. Së dyti, qeverisja e Partisë Demokratike dukej e lodhur, me figura të sfilitura nga vetëkënaqësia. Disa nga Ministrat e Partisë Demokratike hiqnin këmbët zvarrë, ndërsa mezi prisnin rastin të largoheshin nga andrrallat dhe përgjegjësitë, për të shijuar në qetësi luksin e krijuar përgjatë pushtetit. Qëndrimet publike të mëvonëshme të disa prej figurave qëndrore të Partisë Demokratike e provojnë këtë. Në të vertetë, disa prej tyre u kthyen në shërbim të Edi Ramës; dhe kjo është një provë tjetër se çfarë do të thotë pushtet i ndërtuar në funksion të interesave personale.
13. Në rrethanat politike të Shqipërisë, fitorja e Edi Ramës ngjante e natyrshme. Rotacioni politik është një element i fortë kontrolli dhe koherence në çdo demokraci. Megjithatë, ka diçka tejet të rëndësishme që nuk mund të injorohet; Edi Rama po përgatitej për pushtet absolut politik duke qenë në pushtet. Kjo do të thotë se Edi Rama që në krye të herës erdhi si Ministër Kulture në qeverinë e Fatos Nanos, pastaj u piketua si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të rëndësishëm politik dhe ekonomik i shqiptarëve për 11 vite me rradhë, në vitin 2013 ai kishte 8 vite në krye të Partisë Socialiste. Përgjatë këtyre viteve Edi Rama ishte kthyer në njeriun më të rëndësishëm, një lloj poli ekonomik i jashtëzakonshëm, tek Edi Rama ndërthureshin interesat e ndërtuesve më të mëdhenj të Shqipërisë, investitorëve privat, dhe medias televizive dhe të shkruar. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë, që një njeri i vetëm të grumbullojë kaq shumë interesa rreth vetes sa Edi Rama. Fuqia e tij politike, ekonomiko-financiare dhe mediatike tejkalonte forcën e çdo rivali politik. Edi Rama ngjante me një monster.
14. Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre rrethanave të jashtëzakonshme, Edi Rama bën edhe dy lëvizje të tjera, njërën publike dhe tjetrën të fshehtë. Marrëveshja e Ngjalave ishte një lëvizje e zgjuar politikisht, që i jepte atij statusin e liderit përbashkues të së majtës shqiptare. Në të vertetë, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte fillimi i një cikli të politik që nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri (që do të shpjegohet më poshtë). Ndërkohë Edi Rama, që prej shumë vitesh kishte krijuar lidhje të ngushta interesash me njerëz të botës së krimit, që kishin arritur të bënin pasuri dhe të mbijetonin me sukses, vendos t’i marrë pranë vetes si bashkëpunëtorë politik, duke u premtuar atyre (edhe vetes) dy gjëra: a) legalizim dhe pastrim të pasurisë së tyre të paligjshme dhe, b) mbrojtje politike. Kjo do të ishte një marrëveshje unikale në historinë politike të Shqipërisë, ku bota e errët e Krimit të Organizuar, tani e tutje do të ishte e përfaqësuar direkt në politikën e lartë shtetërore, si një grup interesi, si një etnitet politik ose si një shtresë shoqërore. Në të vertetë, ky akt i pashembullt në histori, do të jetë edhe fillimi i kapjes totale të institucioneve të Shtetit Shqiptar nga Krimi i Organizuar.
Shënim: Në pjesët në vazhdim do të përshkruhet historia reale se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në gjashtë vitet e pushtetit absolut të Edi Ramës. Faktet janë aty, të përshkruara masivisht në mediat e shkruara dhe televizive, por edhe në arkivat e Shtetit. Problemi është se këto fakte janë injoruar sistematikisht nga Institucionet e Zbatimit të Ligjit në Shqipëri, nga media dhe shumica e gazetarëve. Në Shqipëri është krijuar precedenti më i çuditshëm në botë; Krimi i Organizuar ka fituar qytetarinë, është legalizuar në formën e një partie politike, ka kapur qeverisjen e vendit dhe të gjitha institucionet e shtetit. Ndërkohë, populli dhe Opozita kanë dalë jasht ligjit, ata cilësohen armiq që duhen shtypur nga Krimi i Organizuar në pushtet.
Krimi i organizuar shqiptar dhe Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë