Nga Boldnews.al
Mund të ngjajë disi e habitshme, por pak cigare hashash në xhepin e Valdrin Pjetrit, hipur mbi një motorr të vjedhur, si çunak shqiptar “trendy” në Itali, kryeministrin Edi Rama e rëndojn më shumë se trafikantët e mëdhenj, të akuzuarit për vrasje, prostitucion dhe vjedhje me dhunë, ku disa syresh të tillë, i kishte deputetët e tij që i dhanë pushtet.
Sot Rama ka rënë, është rrëzuar keq në Shkodër, për dy arsye. Së pari, ishte bashkia që pati përqindjen më të ulët të pjesëmarrësve në votimet e 30 qershorit dhe e dyta, i zbuloi kandidatin e përzgjedhur dhe përkedhelur të Ramës që ishte i dënuar në Itali për mbajtje dhe trafik të narkotikëve.
Vetë Valdrini u dorëzua i pari, kur nuk pati nga të lëvizë më në momentin që Partia Demokratike i publikoi vendimin e dënimit që kishte marrë në Itali në vitin 2003 për akuzën e mbajtjes dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim. Dha dorëheqjen i detyruar nga posti i kryebashkiakut që nuk e gëzoi kurrë, ndërsa kryeministri Edi Rama për të dalë nga vrima e ngushtë ku e futi kjo çështje, sot të kujton ligjin.
“Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”, shkruan Rama në Twitter.
Ky gjeni i Rilindjes që do mbahet mend për sjelljen e trafikantëve, të akuzuarve për vrasje, prostitucion e grabitje në Parlament, bashki dhe administratën e lartë shtetërore, por duke e shitur veten që “udhëhiqet nga ligji dhe vetëm nga ai”, nuk ka thënë asgjë, pasi ligji për dekriminalizimin ekziston, madje neni 190 i përgjigjet specifikisht vetë Ramës.
Në nenin 190 të Kodit Penal thuhet: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë”… Pra, ligji qenka, por kërkohet vetëm zbatimi i tij.
Në këtë rast Rama duhet ti thërrasë numrit një të akuzës, (që njihet ndryshe ‘zonja 69-she’, pasi kaq vota mori për Prokurore të Përgjithshme), që ta shpluhurosë pakëz këtë ligj dhe Rama të marrë disi frymë, kur po vjell çorbën që gatoi vetë. Këtë “menu” të pasur Rama e nisi si shpikjen personale në vitin 2013. Vuri një “kazan” të madh dhe “hodhi në çorbën” e tij vrasës, trafikantë droge, shfrytëzues të vajzave për prostitucion, grabitës të dhunshëm dhe prej andej doli kjo “pjatë e shijshme”, me të cilën është ushqyer deri më tani.
Dukë shitur sot ligjshmërinë, sërish Raman nuk e nxjerr nga vrima ku është futur, sepse e ka të qartë se nëse do ndërmarrë këtë nismë për të verifikuar çdo nëpunës të lartë, mund ti bjerë gjysma e administratës. Po fajin për promovimin e çunave të shkathët të fortë dhe trafikantë kush do e mbajë? Këtë ligj të pashkruar duhet të shkruajë kryeministri Rama.