Tirana ka vend për të gjithë, ishte reagimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, lidhur me ngritjen e memorialit të ushtarëve turq, të rënë në grushtin e dështuar të shtetit 3 vjet më parë në Turqi, te Parku i Liqenit.
Deklarata e Veliajt ka nxitur aktivistin e shoqërisë civile Genc Sejko, që të propozojë vendosjen në sheshin Skënderbej të një memoriali kushtuar Ardit Gjoklajt.
“Kemi besim të plotë se Bashkia Tiranë dhe Kryetari Veliaj do ta mbështesin një nismë të tillë. ‘Tirana ka vend për të gjithë’ tha para dy ditësh zoti Veliaj. Prandaj jam i sigurt se Tirana do gjejë vend edhe për Ardit Gjoklajn”, shkruante Sejko, pas deklaratës së Veliajt.
Menjëherë pas reagimeve në rrjet, Sejko ka angazhuar avokatin Altin Goxhaj dhe studion e tij ligjore, për nisjen e procedurave që do të mundësonin vendosjen e memorialit.
Sejko ka njoftuar përmes rrjetit social se “avokati Altin Goxhaj me studion e tij ligjore ka filluar procedurat për marrjen e lejes për ngritjen e një memoriali kushtuar Ardit Gjoklajt, 17 vjeçarit që u vra duke punuar i pasiguruar në një nga qendrat e reciklimit të promovuara nga Kryetari Bashkise Tiranë, z Erion Veliaj”.
Në ditët në vijim do t’ju informojmë për çdo hap që do të ndërmarrim si edhe për çdo info që na vjen në mënyrë zyrtare’, shkruan Genc Sejko në rrjet.
Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë për ngritjen e një memoriali përkujtimor dhe vendosjes së emrit të një rruge a sheshi
Drejtuar: Bashkisë Tiranë
Dërgon: Av. Altin Goxhaj
Adresa Postare: STUDIO LIGJORE ‘AGA & GOXHAJ LAË FIRM’ Rruga ‘Ndre Mjeda’, Kompleksi Magnet-KONTAKT, Pall.LYRA, Ap.2084, Tiranë
Lënda: Kërkesë për Informacion Zyrtar mbi proçedurat dhe kërkesat që duhet të plotësojnë qytetarët për:
a) ngritjen dhe vendosjen e një memoriali përkujtimor në territorin e administruara nga Bashkia Tiranë
b) vendosjes së një emri përkujtimor një nga rrugët apo sheshet e administruara nga Bashkia Tiranë.
Baza Ligjore: Legjislacioni për të Drejtën e Informimit Publik.
Dt: 16 Gusht 2019, Tiranë
Kjo kërkesë paraqitet me qëllim për të marrë informacion për procedurat që duhet të plotësojnë qytetarët për:
– ngritjen dhe vendosjen e një memoriali përkujtimor në territorin e administruara nga Bashkia Tiranë
– vendosjes së një emri përkujtimor në një nga rrugët apo sheshet e administruara nga Bashkia Tiranë.
Duke iu referuar edhe procedurave që janë ndjekur për:
a) ngritjen e memorialit përkujtimor për viktimat turke të Gusht Shtetit të 15 Korrikut 2016 në Turqi dhe vendosjes së emrit të një rruge me emrin ‘Rruga Dëshmorët e 15 Korrikut’,
b) vendosjes së emrit ‘Gjergj Filipi’ (ish anëtar i G99) të rrugës perëndimore të Pallatit të Kongreseve (në vitin 2016),
kërkojmë që bashkë me bazën ligjore të na vihet në dispozicion një informacion i plotë bashkë me formularët e mundshëm përkatës për të gjitha procedurat që duhet të ndjekim nga fillimi deri në fund për ngritjen dhe vendosjen e një memoriali përkujtimor (në territorin e administruara nga Bashkia Tiranë) dhe vendosjes së një emri përkujtimor (në një nga rrugët apo sheshet e administruara nga Bashkia Tiranë) si në rastin e procedurave të zakonshme (që lidhen me vendimmarrjen paraprake të Këshillit Bashkiak Tiranë) ashtu edhe ato të përshpejtuara, urgjente apo të veçanta (nuk jemi në dijeni të mënyrës se si quhen) që janë ndjekur në rastin e ngritjes së memorialit përkujtimor për viktimat turke të Gusht Shtetit të 15 Korrikut 2016 në Turqi në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë dhe vendosjes së emrit të një rruge me emrin ‘Rruga Dëshmorët e 15 Korrikut’ në të njëjtën zonë dhe ku deri tani rezulton se nuk ka qenë e nevojshme vendimmarrja paraprake e Këshillit Bashkiak Tiranë, i cili nga të dhëna publike del se nuk ka qenë i përfshirë.
Duke qenë se qytetarët duan të aplikojnë për ngritjen e një memoriali në një shesh dhe vendosjes së emrit përkatës të një rruge apo sheshi, kërkojmë që ky informacion i plotë dhe shterues të na vihet në dispozicion brenda datës 31 Gusht 2019 siç e parashikon edhe Legjislacioni për të Drejtën për Informim Publik.
Në rast të mos ofrimit brenda afateve ligjore, do të paraqesim ankesë konform legjislacionit përkatës pranë Komisionierit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ku një ndër masat e parashikuara në rast te shkeljes së afatit të përgjigjes suaj është vendosja e gjobës për Kryetarin e Bashkisë Tiranë.