Nga Boldnews.al
Kur brenda tre ditësh në Vlorë janë vrarë dy persona dhe plagosur dy të tjerë, policia nuk gjendet aq lehtë në vendin e ngjarjes, autorët sigurisht që kanë ikur, diku në drejtim të paditur, ndërsa policia dihet se ku është; ‘diku në ndonjë plazh duke mbajtuar në duar shezlonë të bllokuar dhe pozojnë për kamerat e propagandës qeveritare’.
Në mes të plazhit, në kulmin e sezonit turistik, u vra Arben Beqiraj, pronar i një lokali i cili u konfliktua me disa persona dhe situata degradoi deri në përdorimin e kallshnikovëve. Por krimi nuk ishte momental. Fillimisht autorët ishin konfrontuar fizikisht dhe vetëm pas një ore nisi batërdia me përdorimin e armëve. Aty nuk u gjend policia të parandalonte ngjarjen e rëndë, ndonëse indicin për të qenë aty prezente e kishte nga konfrontimi i dhunshëm fizik.
E kotë ti kërkosh policisë në terren se përse nuk e parandaloi krimin, pasi ajo ishte e zënë me “punë të madha”, siç është ai i sekuestrimit të shezlonëve dhe çadrave të plazhit të vendosura nga persona të ndryshëm, pa marrë licensën e shfrytëzimit. Në dy vende njëherësh policia e ka të vështirë të gjendet.
Beqiraj mbeti i vrarë, ndërsa djali i tij dhe kushëriri u plagosën. Ende pa u kapur autorët e këtij krimi, pasditen e djeshme ekzekutohet me tre plumba në kokë Laver Tozaj, ngjarje e ndodhur në Selenicë të Vlorës. Edhe për këtë krim autorët nuk u ndaluan, madje ende nuk janë identifikuar. Për tre ditë dy të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur. Siguria mbetet në pikë të hallit, kur pikërisht në këtë kohë, strukturat e rendit duhet të ishin me shërbime të përforëcuara në kontrolle për armë, gjurmimim të personave me precedentë penal dhe sigurim të rendit, sidomos në zonat e populluara.
Marrina e verës për “luftën kundër informalitetit”, përveç strukturave të tatim-taksave ka përfshirë edhe Policinë e Shtetit, kjo edhe në kundërshtim me rregulloren e saj. Gjenerali në krye të ministrisë, duhet të njohë mirë rregulloren. Një efektiv policie nuk ka për detyrë të rendë pas taksidarëve të shtetit. Ata duhet të kryejnë kontrolle dhe vetëm nesh subjektet “zaptues të plazheve” kundërshtojnë me forcë nëpunësit tatimorë, atëherë thërritet policia e cila duhet të ndërhyjë.
Në rastet konkrete, policia, madje edhe efektivë të FNSH-së, rendin pas tatimorëve të cilët pasi bëjnë procesverbalet në rastet ku konstatojnë shkelje, i kthejnë policët në “punëtorë ngarkim-shkarkimi”, duke i udhëruar që të paketojnë shezlonë dhe çadra plazhi nëpër kamionë.
Nëse gjenerali nuk e di kuptimin dhe rolin e policisë, mjafton që të lexojë pak rreshta për misionin e saj të cilën e ka të përcaktuar qartë se detyra thelbësore mbetet sigurimi i rendit dhe qetësisë dhe lufta ndaj krimit. Pikërisht këtë nuk po e bën policia që ne duam. Përgjegjësia nuk është aspak e qindra efefektivëve të nivelit të mesëm dhe ulët që dalin në terren, por e bosëve drejtues, nga kupola e ministrisë, deri në strukturën më të lartë të Policisë së Shtetit. Ata janë kthyer me dëshirë në “yzmeqarë” të tekave kryeministrore, i cili sa për të krijuar një spektakël veror, ka shpallur “luftën kundër informalitetit”.
Është ende shpejt, deri në fundin e gushtit të tjerë njerëz mund të ndahen nga jeta për shkak të plumbave, ndërsa policia i ka duart e “zëna”, pasi po mbajnë shezlonë dhe çadra plazhi. Gjenerali gjithashtu këto kohë është edhe më i zënë me punë të politikës së Rilindjes, pasi është caktuar si koordinator i Partisë Socialiste për qarkun Lezhë, ndryshe “mëkëmbës i mbretit Ramë”…!