Francesko Mandoi, ish-drejtues i lartë i Antimafias Italiane dhe sot pikë kontakti mes Shqipërisë e Italisë për luftën kundër trafiqeve, thotë se ka kuptuar forcën e bandave shqiptare në vitin 2001, në një operacion ku u arrestua Daut Kadriovski.
Mandoi ka rrëfyer për emisionin “Narcotics” të Rai 3 se si “ujku gri”, Kadriovski, rrëfeu para tij mënyrën e organizimit dhe veprimtarisë së grupeve shqiptare të narkotrafikut.
Për Mandoin, arrestimi i Kadriovskit në Itali ishte një goditje shumë e rëndësishme. “Ai ishte një lloj brokeri, një lojtar që shiste çdo lloj droge në treg”. Ai vendosi që të bashkëpunonte me autoritetet italiane, pasi persona të panjohur vranë një mikeshën e tij. Rrëfimi ishte hakmarrja e Kadriovskit.
Bosi shqiptar i drogës i dërgon një letër me shkrim dore prokurorit Mandoi, ku i thotë që “ka gjëra të rëndësishme për t’i thënë”, por që duhet t’ia thoshte vetëm atij.
Në letër, Kadriovski paralajmëron gjithashtu Mandoin se “duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi një gabim i vogël vendos në rrezik familjen time”.
Në rrëfimin e Kadriovskit, prokurori Francesko Mandoi kuptoi atë që deri në atë moment ishte në mjegull-bandat shqiptare të narko-trafikut ishin fuqizuar shumë.
Daut Kadriovski, i cili në rrëfimet e Mandoit ishte “rreth të 50-ave”, i tregoi se si grupet shqiptare trafikonin heroinën nga Afganistani, në Turqi, më pas në Bullgari, Greqi e së fundmi në Shqipëri. Më tej, nëpërmjet kanalit të Otrantos, heroina shpërndahej në Europë.
Gjithashtu, Mandoi mori informacione të bollshme nga Kadriovski edhe për përfshirjen e bandave shqiptare në trafikun e kokainës, nga Amerika Latine, nëpërmjet Paqësorit e, më tej drejt Shqipërisë./Boldnews.al













