Presidenti Ilir Meta i ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim një tjetër ligj, atë të koncensioneve dhe PPP-ve.
Në argumentimin ligjor të mosdekretimit të ligjit të miratuar nga Kuvendi, Meta kërkon rishikimin e dy neneve të tij, të cilat kompromentojnë qëllimin e të gjithë pjesës tjetër të ligjit, pasi keto dy dispozita krijojnë hapësirën e nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste.
“Vetëm një ditë përpara zhvillimit të seancës plenare, deputeti Arben Ahmetaj ka paraqitur amendamente në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, vetëm për të ndryshuar përmbajtjen e këtyre dy neneve kryesore të tij (nenin 17 dhe 18 të projektligjit).
Rezultoi se vetëm 24 orë përpara se seanca plenare e Kuvendit, do të votonte ligjin për të kufizuar dhënien me koncesion të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, z.Arben Ahmetaj ka paraqitur një kërkesë për ndryshimin e dy neneve (17-18), me qëllim që këto kufizime të shtyhen për një periudhe kohe edhe me 3 muaj të tjerë.
Edhe pse kërkesa e deputetit nuk ishte e justifikuar, sa i takon qëllimit real dhe objektiv se përse kërkohen realisht këto amendamente, sërish Kuvendi e pranoi këtë kërkesë dhe me votimin e neneve të ndryshuara u hap edhe një herë rruga që koncesionet të aplikohen pa kufizim edhe për 3 muaj të tjerë.
Pra me ndryshimet që pësuan nenet 17-18 të ligjit, kontratat koncesionare do të vazhdojnë të jepen pa kufizim, për çdo lloj fushe, pasi afati u shty nga data 1 korrik 2019 që ishte planifikuar, u shty për të hyrë në fuqi në datë 1 tetor 2019”, thuhet në argumentet e Presidentit.
Argumentet e plota për kthimin e Ligjit
Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për koncensionet dhe PPP’”
7 gusht 2019
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës, me Dekretin nr. 11251, datë 05.08.2019, ka vendosur:
“Kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 50/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, me qëllim përmirësimin e neneve 17 dhe 18 të këtij ligji, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 50/2019, duke bërë një vlerësim dhe analizë të përmbajtjes së aktit të miratuar; praktikës parlamentare të ndjekur për këtë projektligj; përputhshmërisë së ligjit të miratuar në raport me respektimin e parimeve kushtetuese, interesin publik, duke krahasuar qëllimet e kësaj iniciative ligjore me momentin e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore.
Në përfundim të shqyrtimit Presidenti i Republikës ka arritur në përfundimin se: Miratimi i ndryshimeve në ligjin e koncesioneve është një nisëm pozitive, por tepër e vonuar e Kuvendit të Shqipërisë, dhe me pasoja negative për ekonominë e vendit.
Ligji nr. 50/2019, i përcjellë për dekretim i duhet kthyer Kuvendit me qëllim rishikimin e neneve 17 dhe 18 të tij, pasi këto dy nene shtyjnë subjektivisht hyrjen në fuqi të kufizimeve që vendosen në dhënien e kontratave koncesionare/PPP, që po ky ligji i ri parashikon.
Presidenti i Republikës, kërkon rishikimin tërësor të këtyre dy neneve, sepse ato kompromentojnë qëllimin e të gjithë pjesës tjetër të ligjit, pasi keto dy dispozita krijojnë hapësirën e nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste.
Projektligji në fjalë pasi u shqyrtua në datat 11, 18, 25 dhe 26 shkurt 2019 në Komisionet respektive Parlamentare, u shqyrtua në seancën plenare të datës 18.07.2019, duke u mbajtur pezull në mënyrë të paarsyetuar për një periudhë 4-mujore.
Nga shqyrtimi i raporteve të Komisioneve Parlamentare apo dokumentave shoqëruese të projektligjit, nuk rezulton i argumentuar fakti se, përse kjo nismë ligjvënëse e depozituar që në datë 09.01.2019 dhe e shqyrtuar përfundimisht në komisione parlamentare në datë 26.02.2019, nuk i është kaluar me precedencë për shqyrtim seancës plenare, ndërkohë që vet projektligji përcaktonte afate proceduriale dhe dispozita materiale, që bëjnë të detyrueshëm shqyrtimin e tij brenda një afati të caktuar, dhe që bënte të domosdoshme shqyrtimin me përparësi të këtij ligji në seancë plenare!
I vetmi dokument që evidentohet se është krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe që ka lidhje me këtë ligj përgjatë gjithë kësaj periudhe boshe 26 shkurt 2019 – 18 korrik 2019, është kërkesa e deputetit Arben Ahmetaj e datës 17 korrik 2019, i cili kërkonte seancës plenare ndryshimin pa argumenta të neneve 17 dhe 18 të projektligjit, për të shtyrë afatin e dhënies pa kufizim të koncesioneve në çdo fushë të ekonomisë së vendit, edhe për një afat 3-mujor shtesë deri në 1 tetor 2019.
Presidenti konstatoi se, vetëm një ditë përpara zhvillimit të seancës plenare, deputeti Arben Ahmetaj ka paraqitur amendamente në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, vetëm për të ndryshuar përmbajtjen e këtyre dy neneve kryesore të tij (nenin 17 dhe 18 të projektligjit).
Rezultoi se vetëm 24 orë përpara se seanca plenare e Kuvendit, do të votonte ligjin për të kufizuar dhënien me koncesion të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, z.Arben Ahmetaj ka paraqitur një kërkesë për ndryshimin e dy neneve (17-18), me qëllim që këto kufizime të shtyhen për një periudhe kohe edhe me 3 muaj të tjerë.
Edhe pse kërkesa e deputetit nuk ishte e justifikuar, sa i takon qëllimit real dhe objektiv se përse kërkohen realisht këto amendamente, sërish Kuvendi e pranoi këtë kërkesë dhe me votimin e neneve të ndryshuara u hap edhe një herë rruga që koncesionet të aplikohen pa kufizim edhe për 3 muaj të tjerë.
Pra me ndryshimet që pësuan nenet 17-18 të ligjit, kontratat koncesionare do të vazhdojnë të jepen pa kufizim, për çdo lloj fushe, pasi afati u shty nga data 1 korrik 2019 që ishte planifikuar, u shty për të hyrë në fuqi në datë 1 tetor 2019.
Kuvendi, duke pranuar këtë propozim “de facto” ka shtyrë aplikimin e dispozitave kufizuese të ligjit të ri.
Duke shtyrë afatin e kufizimeve që vendos ligji i ri, për një datë të mëvonshme 1 tetor 2019, Kuvendi në kundërshtim me interesin publik krijon një mundësi të re që çdo kërkese për koncesion, që paraqitet deri në 1 tetor 2019, të shqyrtohet dhe të pranohet nga qeveria shqiptare, pa asnjë kufizim sërish me ligjin e vjetër.
Pra çdokush mund të paraqesë një kërkesë për të marrë gjithçka me koncesion, dhe kjo sepse të gjitha kufizimet e ligjit të ri të sapomiratuar nr. 50/2019, shtyhen për t’u aplikuar në një datë të mëvonshme.
Kuvendi duke shtyrë afatin e zbatimit të ligjit, bëhet “de facto”, ligjërues i praktikave të dyshimta koncesionare dhe hap edhe një herë mundësinë që këto praktika që kanë gërryer ekonominë e çdo familje shqiptare, të vijojnë të realizohen pa u penguar edhe për këto 3 muaj të tjerë.
Shtyrja e afatit për në 1 tetor 2019, në ndryshim nga nisma fillestare që përcaktonte datën 1 korrik 2019 është tregues i qartë për:
– Mungesë transparence në procedurat e shqyrtimit të propozimeve ligjore;
– Një veprimtari tinzare të deputetëve të Kuvendit, të cilët mbrojnë dhe promovojnë dhënien me koncesion të pasurisë publike të shqiptarëve pa asnjë kufizim;
– Ndikimin e deputetëve të Kuvendit nga interesat e lidhura me koncesionimin e pronës publike;
– Mungesë transparence ndaj qytetarëve në propozimet e pakërkuara/PPP që janë administruar gjatë kësaj periudhe nga autoritetet kontraktuese, duke qenë se tashmë nisma për kufizimin e propozimeve të pakërkuara dihej dhe njihej;
– Krijmin e hapësirës kohore, jo vetëm për depozitimin e kërkesave të reja koncesionare/PPP, por edhe për trajtimin dhe miratimin e tyre sipas kritereve dhe procedurës së vjetër ligjore;
Ndërkohë që me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore pas datës 1 tetor 2019, kërkesat dhe procedurat që duhet të ndiqen për miratimin e kontratave koncesionare/PPP, do t`i nënshtrohen kushteve ligjore kufizuese, miratuese dhe monitoruese, tërësisht të ndryshme, krijuar kështu, jo vetëm rrezik për cenim të interesit publik, por edhe pabarazi në trajtimin e subjekteve private në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Çdo subjekt i ndershëm dhe i palidhur me qeverinë do të duhet të konkurrojë me oferta të paraqitura sipas kërkesave të reja ligjore, ndërkohë që çdo subjekt që është sado afër me qeverinë e di fare mirë se mund të fitojë dhe të marrë me koncesion çdo gjë që ligji i vjetër e lejon, pasi ligjin e ri mund ta ndryshojnë në çdo kohë, madje dhe një orë përpara votimit të tij.
Çdo lloj kërkese e re për marrjen e një të drejte koncesionare/PPP që mund të jetë depozituar ndërkohë, kërkon një adresim të saktë ligjor për trajtimin e saj, sipas kushteve të reja ligjore të propozuara pasi nxitimi që mund të karakterizojë miratimin e këtyre propozimeve të pakërkuara, sipas ligjit të vjetër, mund të sjellë si rezultat;
– Miratimin e kontratave që nuk kanë një studim të plotë fizibiliteti e për pasojë reduktimin e cilësisë së shërbimit apo ndërtimit të siguruar, rritjes së kostove, dhe duke lënë hapësira favorizuese që krijojnë nivele të larta rrisku për praktika korruptive.
Presidenti i Republikës, gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.
Shtyrja në kohë e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 50/2019, që ndryshon ligjin nr. 125/2013, shton rrezikun e rritjes së borxhit publik, nisur nga fakti që deri në datën 1 tetor 2019, mund të paraqiten oferta të reja të pakërkuara.
Presidenti i Republikës, çmon se ligji nr. 50/2019, i paraqitur për shpallje është një iniciativë shumë e vonuar e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë, pasi ndryshime të kësaj natyre duhet të ishin ndërmarrë shumë kohë më parë nga mazhoranca.
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e këtij ligji në përputhje me frymën me të cilën kjo nisëm është propozuar;
– në mënyrë që ky ndryshim ligjor të jetë realisht në përputhje me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë dhe monitorojnë Shqipërinë;
– në mbrojtje të interesit publik dhe për të mos lejuar më, që familjet shqiptare të përballojnë kosto të panevojshme financiare, që janë të panjohura deri më tani, por që duket se shkojnë përtej mundësisë së tyre dhe që shtrihen për një kohë të ardhme të gjatë dhe të papërllogaritur saktë,
Në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 50/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar” me qëllim rishqyrtimin dhe përmirësimin e neneve 17 dhe 18 të këtij ligji.
Përmirësimi i këtyre dy neneve nga Kuvendi duhet të bëhet në mënyrë të atillë që të pengojë mënjeherë dhënien me koncesion të pronës publike dhe pasurisë shtetërore jashtë kritereve.
Dekreti dhe arsyetimi i tij gjenden të publikuara tashmë në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës.