Qeveria ka miratuar vendimin për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit, ose për shkak të tij.
Në vendim parashikohet që magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij dhe/ose e/i familjes, si dhe pasuria. Mbrojtje e veçantë i sigurohet edhe magjistratit që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit.
Me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pasurisë, sipas këtij vendimi, do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pasurisë së magjistratit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.
Kushtet për të përfituar mbrojtje të veçantë janë, si më poshtë vijon:
- a) Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit;
- b) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe ushtrimit të funksionit ose ushtrimit të mëparshëm të funksionit nga magjistrati.
Pavarësisht mungesës së lidhjes shkakësore të përcaktuar në shkronjën “b”, të kësaj pike, magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë edhe në rast të pranisë së rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit gjatë kohës që magjistrati ushtron funksionin e tij.
Kërkesa për mbrojtje të veçantë i paraqitet komisionit përkatës me shkrim nga magjistrati, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ministri i Drejtësisë, kryetari i gjykatës ose drejtuesi i prokurorisë, ku magjistrati ushtron funksionin, si dhe çdo organ tjetër publik që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit.
Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:
- a) gjenealitetet e plota të kërkuesit;
- b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për magjistratin, të cilat detyrojnë të sigurohet mbrojtje e veçantë, si dhe burimin e provave, ku bazohen ato;
- c) llojin e masave që kërkohen dhe kohëzgjatjen e tyre.
Kërkesa për mbrojtje i paraqitet Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas rastit, nga subjektet e përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme që provojnë se një magjistrati i rrezikohet jeta, familja ose pasuria.
Kur rreziku ndaj magjistratit është serioz dhe i çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit, deri në mbledhjen e komisionit. Komisioni, pas shqyrtimit të kërkesës, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos, kur është rasti, për vazhdimin e mëtejshëm të tyre.
Kërkesat për sigurimin e mbrojtjes së veçantë shqyrtohen, sipas rastit, nga Komisioni për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, i cili ngrihet dhe funksionon pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ose Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve, i cili ngrihet dhe funksionon pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me përbërje, si më poshtë vijon:
- a) Një anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor (në vijim, KLGJ) ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë (në vijim, KLP), sipas rastit, me mandat dyvjeçar, të caktuar nga mbledhja plenare;
- b) Një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, me mandat dyvjeçar, të caktuar me urdhër të titullarit të institucionit;
- c) Një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, me mandat dyvjeçar, të caktuar me urdhër të titullarit të institucionit;
ç) Kryetari i Gjykatës ose drejtuesi i Prokurorisë, sipas rastit, pranë së cilës ushtron detyrën magjistrati, për të cilin kërkohet mbrojtje; në rastin e magjistratit, i cili nuk është më në detyrë kryetari i Gjykatës ose drejtuesi i Prokurorisë në detyrë ku ka ushtruar funksionin së fundmi magjistrati;
- d) Një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me mandat dyvjeçar me urdhër të titullarit të institucionit.
Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Gjyqtarëve është përfaqësuesi i KLGJ-së dhe kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve është përfaqësuesi i KLP-së. Në mungesë të tij, kryetari mund të autorizojë një nga anëtarët e tjerë të komisionit përgjegjës për thirrjen dhe/ose drejtimin e mbledhjes.
Kryetari i komisionit ushtron këto funksione:
- a) Përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e komisionit;
- b) Përfaqëson komisionin në marrëdhëniet me të tretët;
- c) Siguron mbështetjen administrative dhe organizative nga këshilli përkatës për funksionimin e komisionit;
ç) Siguron dokumentimin e mbledhjes së komisionit dhe mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat;
- d) Ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar nga legjislacioni në fuqi.
Kryetari, menjëherë pas marrjes së kërkesës për mbrojtje, njofton anëtarët e komisionit për mbledhjen e radhës. Komisioni duhet të mblidhet menjëherë dhe jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga paraqitja e kërkesës, sipas pikës 6, të këtij vendimi.
KLGJ-ja dhe KLP-ja sigurojnë mbështetjen e nevojshme organizative e administrative për realizimin e funksionit dhe të detyrave të komisionit përkatës.
Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se katër anëtarë të tij. Vendimet janë të vlefshme kur miratohen të paktën nga tre anëtarë të pranishëm në mbledhje.
Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë kolegjiale, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, të cilat, plotësohen, për aq sa nuk bie ndesh me dispozitat e këtij vendimi, nga rregullat e parashikuara në legjislacionin për organizimin e funksionimin e organeve kolegjiale. Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Kryetari i komisionit, në bashkëpunim më Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit, cakton një sekretar, nga radhët e nëpunësve të Këshillit, i cili mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.
Komisioni, në procesin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë të familjes e të pasurisë, sipas këtij vendimi, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera.
Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe, kur bindet për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për magjistratin, shprehet me vendim për të. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin, brenda të cilit sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.
Vendimi i komisionit i njoftohet magjistratit nëpërmjet kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë, ku ushtron funksionin, dhe strukturave përgjegjëse për mbrojtjen, nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Magjistratit, që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, i njoftohet vendimi i komisionit pranë vendbanimit të deklaruar.
Komisioni, me kërkesë të subjekteve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme që provojnë se një magjistrati i rrezikohet jeta, familja ose pasuria, mund të vendosë zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat, për të cilat është siguruar më parë mbrojtja, vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati.
Në rast se rreziku ndaj jetës, familjes ose pasurisë së magjistratit nën mbrojtje pushon së ekzistuari përpara përfundimit të afatit të mbrojtjes, sipas përcaktimit në vendimin e komisionit, me kërkesën e çdo subjekti të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, komisioni mund të vendosë të ndërpresë mbrojtjen e veçantë të magjistratit.
Në rast se magjistratit i shkaktohen dëme për jetën, shëndetin, pasurinë e tij ose familjes së tij, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, dëmet shpërblehen nga shteti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.