Nga Boldnews.al
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, nuk mori guximin të flasë hapur mbi ligjin “Për Teatrin Kombëtar”, siç bëri pak ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, i cili deklaroi se “palët duhet të presin shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese”.
Në një komunikim mediatik, ku po prezantohej një event artistik me këngëtarin Vlashent Sata, ambasadori i BE-së iu përgjigj me shprehje të “thata” dhe “shablone” interesit të gazetarëve për një koment mbi çështjen e nxehtë të prishjes së Teatrit Kombëtar.
Për përplasjet mes komunitetit të artistëve, të cilët kundërshtojnë rrëzimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Policisë që është urdhëruar të mbrojë projektin e dyshimtë “Rama-Veliaj” për ndërtimin e një kompleksi kullash në atë territor nga biznesmeni Shkëlqim Fusha, diplomati Luigi Soreca u shpreh se “kjo është një çështje e autoriteteve shqiptare”.
Duke luajtur rolin e naivit, Soreca vijoi më tej duke u shprehur që “ne presim që tenderi i parashikuar në shtator (për ndërtimin e teatrit të ri, së bashku me kullat) të jetë konform rregullave dhe ligjit”.
Duke u qëndruar “korrekt” vendimmarrjeve të institucioneve shqiptare, Soreca nuk arrin të tejkalojë fasadën formale dhe të prekë dy çështje thelbësore;
– e para, ligji për prishjen e Teatrit dyshohet se fsheh afera të mëdha korruptive nga qeveria e një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian;
– e dyta, çështja duhet të shqyrtohet përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, e cila sot nuk ekziston për shkak se paraardhësit e Soreca-s hartuan një Reformë në Drejtësi difektoze dhe atij sot i takon ta mbrojë projektin e dështuar.
Projekti korruptiv
Luigi Soreca pret që “tenderi në shtator (për ndërtimin e Teatrit të ri) të respektojë rregullat e konkurencës dhe ligjet shqiptare”. Me këtë shprehje, Soreca kaloi në fazën e dytë, atë të zbatimit të ligjit, duke anashkaluar me dashje problematikat e ligjit, të cilat janë bërë shkas për përplasjet mes artistëve dhe policisë.
Natyrisht, Soreca, formalisht, e konsideron në fuqi ligjin për Teatrin, për sa kohë ai është miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë. Duke “u fshehur pas gishtit”, diplomati i BE-së në Tiranë pret tender të ndershëm, nëpërmjet një ligji tërësisht të pandershëm.
Parlamenti i Shqipërisë miratoi në Korrik 2018, vetëm me votat e maxhorancës socialiste, ligjin, nëpërmjet të cilit lejohej shkatërrimi i godinës së Teatrit Kombëtar dhe lejimi i ngritjes së Teatrit të ri, si pjesë e një kompleksi rezidencial që do të ndërtohej në territorin e tij dhe në zonat përreth nga biznesmeni Shkëlqim Fusha.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në 27 Korrik 2018, refuzon dekretimin e ligjit dhe e rikthen për shqyrtim në Parlament.
Krahas argumentave të tjerë, që lidhen me historinë dhe të drejtat e artistëve, Meta argumentoi se ligji cënon parimet e konkurencës së ndershme, pasi Parlamenti shmang garën, duke i dhënë lejen e ndërtimit një kompanie të vetme.
Nën një reflektim gjysmak të argumentave të Presidentit, socialistët miratuan projektin e mbështetur nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, duke bërë një ndryshim fasadë.
Maxhoranca miratoi ndryshimin ligjor, nëpërmjet të cilit u vendos që ndërtimi i Teatrit të ri, si pjesë e kompleksit të kullave, të bëhet nëpërmjet një tenderi me pjesëmarrjen e kompanive të ndryshme.
Por ky ndryshim ishte tërësisht farsë. Kompania “Fusha” është sërish e privilegjuara për ndërtimin e “kullave me Teatër brenda”. Gjatë kohës që po hartohej ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar, kompania “Fusha” lidhi kontrata me pronarët e trojeve përreth godinës.
Në këtë mënyrë, në tenderin që pret Soreca të jetë i ndershëm, “Fusha” është fitues i paracaktuar, pasi kompleksi i kullave, i miratuar me ligj, do të përfshijë jo vetëm territorin ku është ngritur godina e Teatrit, por edhe trojet përreth, të cilat tashmë janë marrë me kontratë nga “Fusha” shpk.
Ndaj, duket absurde pritshmëria e Luigi Soreca-s për një “tender të ndershëm”.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese
Ambasadori i Delegacioni të Bashkimit Europian vlerëson se çështja e Teatrit u përket institucioneve shqiptare. Ai anashkaloi një koment mbi mungesën e Gjykatës Kushtetuese, e vetmja që verifikon nëse vendimmarrja e Parlamentit është në përputhje me Ligjin Themeltar të shtetit.
Në vijim të protestave të organizuara nga artistët, presidenti Meta dërgoi pak ditë më parë ligjin për Teatrin në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i shtetit kërkon nga kjo gjykatë shpalljen anti-kushtetues të ligjit që lejon prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Por, kjo kërkesë e Metës nuk dihet se kur do të shqyrtohet, për shkak se, prej më shumë se një viti, Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale.
Tetë nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u larguan apo u shkarkuan gjatë procesit të Vetingut, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Delegacioni i Bashkimit Europian, nëpërmjet EURALIUS-it, ka qenë promotori dhe një ndër hartuesit kryesorë të paketës ligjore të Reformës në Drejtësi. E parashikuar me nxitim dhe keq, paketa e Reformës, të paktën deri më tani, ka sjellë kolaps dhe aspak zgjidhje.
Luigi Soreca pret që çështja e Teatrit “të shqyrtohet nga institucionet shqiptare”, por kufizohet deri këtu. Ai nuk e vijon idenë e tij e të thotë që institucioni i vetëm që ka mbetur për të shqyrtuar ligjin për Teatrin, është Gjykata Kushtetuese, e cila sot nuk ekziston.
Për këtë mungesë thelbësore në institucionet e shtetit shqiptar, një përgjegjësi madhore kanë edhe ata që e paraprinë Soreca-n në detyrë dhe që Luigi sot nuk guxon ta përmendë.