Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka lënë jashtë listës së kandidatëve për SPAK dy prokurorët e dosjes më të rëndësishme të viteve të fundit, ajo me numër “339”.
Dritan Prençi dhe Vladimir Mara nuk arritën të merrnin pikët e nevojshme në sistemin e krijuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Prençi është gjithashtu një prej dy kandidatëve që ka kaluar Vetingun me vendim të formës së prerë. Po ashtu, kolegu i tij, Vladimir Mara, u konfirmua pak javë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërkohë që ende nuk është zbardhur vendimi i plotë.
Nga gara për SPAK, për momentin, rezulton i përjashtuar edhe ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, i kontestuar dhe anatemuar fuqishëm kohët e fundit nga eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste në pushtet.
Hajdarmataj, i cili ka drejtuar Krimet e Rënda në periudhën 2015-2018, ka qenë iniciatori dhe drejtuesi i disa prej hetimeve më të rëndësishme. Ai udhëhoqi hetimet e dosjeve “339” dhe “184”, në të cilat rezultojnë përgjime të zyrtarëve të lartë socialistë, duke biseduar me eksponentë të krimit të organizuar për vjedhje dhe blerje votash.
Pas largimit të tij të paligjshëm nga Krimet e Rënda drejt Prokurorisë së Pogradecit, me urdhër të shefes së tyre, Donika Prela, dosja “339” i kaloi prokurorëve Dritan Prençi e Vladimir Mara.
Të gjithë këta emra, pra Prela, Hajdarmataj, Prençi e Mara nuk gjenden në listën prej 15 kandidatësh për Prokurorisë Speciale SPAK.
Gjithësesi, lista e publikuar të Martën nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të mos jetë përfundimtare. Sipas Rregullores së miratuar nga KLP, anëtarët e SPAK do të zgjidhen prokurorët që kanë kaluar Vetingun me vendim të formës së prerë.
Nga lista me 15 emra, rezulton se vetëm prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja, e ka kaluar Vetingun me vendim të formës së prerë.Kandidati Besnik Muçi ka kaluar me sukses fazën e parë të Vetingut, por rasti i tij është ankimuar nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Deri më tani kanë kaluar me sukses fazën e parë të Vetingut kandidatët Enkelejda Millonai, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Manjola Kajana dhe Behar Dibra. Gjithësesi, për këta kandidatë, ende nuk është zbardhur vendimi i konfirmimit në detyrë, i cili mund të shërbejë si shkak për ankim nga Komisioneri Publik.
Ndërkohë, lista ka edhe emra prokurorësh, të cilët ende nuk janë përballur me Vetingun, e konkretisht: Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Elida Kackini, Ndini Tavani, Anita Jella. Katër prokurorëve që kanë pasur akses në dosjen “339”, Donika Prela, Besim Hajdarmataj, Dritan Prenci e Vladimir Mara, jashtë listës së KLP për në SPAK i bashkohen edhe 3 kandidatë të tjerë; Dorina Bejko, Enkelejda Xhengo e Maksim Sota /Boldnews.al/