Ardjan Takaj priste të hapte shampanjën dhe të niste epokën “2” me Skënderbeun, por e premtja nuk mund të dilte nga “natyra”, pasi mbeti e zezë. Në orën 12:54, përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në internet, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë konfirmoi lënien në fuqi të vendimit të UEFA-s, që praktikisht e ka “vrarë” klubin e Skënderbeut me 10 vite përjashtim për çdo kualifikim të radhës në kompeticionet evropiane dhe 1 milion euro gjobë.
Të flisje dje me presidentin e korçarëve ishte shumë e vështirë, por Takaj vendosi të komentonte vendimin ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar hapur të gjitha prapaskenat që sollën këtë “bombë” nga KAS-i. Ai hedh dyshime të forta se Gjykata e Lozanës ka pasur ndërhyrje në momentet e fundit nga ata që, sipas tij, i bënë “gropën” Skënderbeut.
Zoti Takaj, nga pritshmëritë e mëdha për një anulim të vendimit të UEFA-s te lënia në fuqi nga KAS-i. Si e shpjegoni që edhe Gjykata e Arbitrazhit nuk mori parasysh ankesën e Skënderbeut?
Jam i shokuar pas këtij vendimi. Jo vetëm unë, por të gjithë ata që janë marrë me këtë çështje, përfshi edhe avokatët që na kanë mbrojtur. Jemi të befasuar se si KAS ka vendosur të kundërtën e asaj që na i ka faktuar në seancat që janë bërë. Ky vendim është jashtë çdo lloj pritshmërie për ne dhe mbi të gjitha logjike për një të vërtetë të madhe në këta muajt e fundit kur edhe çështja ka qenë në gjykim.
Për çfarë e keni fjalën?
Sepse ishin po vetë gjyqtarët e KAS-it ata që kanë hedhur poshtë çdo pretendim të UEFA-s, ndërsa sot (dje) të njëjtët kanë lënë në fuqi vendimin. Ka qenë një ndërhyrje shumë e fortë për të kthyer vendimin në momentet e fundit, sepse ne duhet të faleshim.
Po akuzoni që edhe në të tilla shkallë të gjyqësorit ka ndërhyrje që kompromentojnë vendimin e KAS-it?
Ata që e nisën atë punë me Skënderbeun, edhe pse nuk janë tashmë pjesë e kësaj çështjeje, me sa duket, qenkan shumë të fortë, kështu që edhe në KAS ndikojnë.
A mund të na thoni se pse keni qenë kaq të sigurt që ju duhet ta fitonit këtë betejë me UEFA-n?
Nuk ishim vetëm ne si klub të sigurt që kërkonim pafajësi për një dosje të ndërtuar pa fakte. Ishte vetë KAS me gjyqtarët e tij që hodhi poshtë të gjitha pretendimet dhe akuzat e bëra nga UEFA kundër nesh. Por, me sa duket, ndërhyrja ka qenë shumë e fortë.