Nga Boldnews.al
“Boldnews.al” zbardh dosjen hetimore ndaj çiftit italo-shqiptar Francesco Cocilovo (52 vjecc) – Almanda Durollari (40 vjecce) dhe të ëmës së kësaj të fundit, Vergjinush Durollari 77 vjecce. Ndaj tyre, Gjykata e Pogradecit, me kërkesë të prokurorit Sotir Kllapi, vendosi më 5 korrik sekuestro preventive ndaj 7 pronave, në kuadër të procedimit penal të nisur më 22 Tetor 2018, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Bëhet fjalë për 2 apartamente banimi në Pogradec, me sipërfaqe 175 m2; 4 apartamente banimi në Tiranë, me sipërfaqe 420 m2; 1 njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe 106.5 m2, që vlerësohet nga autoritet se kapin vlerën e rreth 1 mln euro. Pasuri të paluajtshme të regjistruara dhe të porositura në emër të çiftit italo-shqiptar dhe të moshuarës Vergjinush Durollari nga Pogradeci.
Dyshimet për pastrim parash lindën pasi u konstatua se ndaj Almanda Durollarit, në dy llogari të saj, janë transferuar shuma të konsiderueshme monetare, nga llogaritë bankare të një kompanie në Panama të quajtur “Gynarai Holdin Corps”.
Dyshimi shtohet dhe nga fakti, që transfertat në llogaritë bankare janë bërë gjithmonë nën vlerën 10.000 (dhjetë mijë) Euro, me qëllim që të mos raportohen në Njësitë e Inteligjencës Financiare të të dy vendeve, si në Itali nga e kanë burimin dhe në Shqipëri ku kanë mbërritur, me qëllim final që të mos monitorohen si transferta.
Si nisën hetimet
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, mbi bazën e informacionit referues të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka regjistruar procedimin penal datë 22 Tetor 2018, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga nenei 287 i K.Penal. Nga sa rezulton nga informacioni referues në prokurori, rezulton se policia gjyqësore është vënë në dijeni nga agjensi të tjera ligjzbatuese, në lidhje me veprimtari të dyshimte financiare të shtetases Almanda Durollari, banuese në Lagjen Nr.3 Pogradec.
Kjo shtetase posedon dy llogari bankare në Bankat e Nivelit të Dytë që Operojnë në Republikën e Shqipërisë, konkretisht ne XXXX Bank dhe XXX Bank, të dyja në Euro, në të cilat janë transferuar shuma të konsiderueshme monetare, nga llogaritë bankare të një kompanie në Panama të quajtur “Gynarai Holdin Corps”.
Në lidhje me këto transferta, shtetasja Almanda Durollari dhe bashkëshorti i saj shtetasi italian Francesco Cocilovo, i cili vepron si person i autorizuar, kanë deklaruar në përshkrimin e origjinës së shumave se vijnë nga një kompani e bashkëshortit Francesco në Itali, e cila ka objekt prodhimin e veshjeve. Këto veshje shiten në Amerikën e Jugut tek shoqëria Gynarai Holding Corps, e cila i dërgon shumat në fjalë në llogarinë personale të shtetases Almanda Durollari në Shqipëri.
Nga informacioni paraprak, rezultonte se në llogaritë e kësaj shtetaseje, janë transferuar një shumë prej rreth 700.000 (shtatëqind mijë) Euro, një pjesë e të cilave janë përdorur për blerjen e pronave të paluajtshme kryesisht në Qytetin e Pogradecit, nga vetë shtetasja Almanda Durollari, nëna e saj Vergjinush Durollari si dhe bashkëshorti i saj Francesco Cocilovo. Nga verifikimi në adresen e Qëndrën Kombëtare të Bizneseve, rezulton se këta shtetas nuk kanë veprimtari tregëtare në Republikën e Shqipërisë.
Pas administrimit të të dhenave bankare, rezulton se në llogarinë bankare në Euro të kësaj shtetaseje në XXX Bank në periudhën 16 Gusht 2016-18 Qershor 2018 janë transferuar rreth 153.000 (njëqind e pesëdhjetë e tre mijë) Euro, ndërsa në llogarinë bankare të po kësaj shtetaseje ne XXX Bank, në periudhën kohore Tetor 2017- 20 Qershor 2018 janë transferuar një shumë prej 46.500 (dyzetë e gjashtë mijë e pesëqind) Euro. Të gjitha transfertat në llogaritë bankare të kësaj shtetaseje, janë nga shtetasi italian Francesco Cocivolo si dhe nga Kompania “Gynarai Holding Corps” e cila sikurse u tha e ka selinë e veprimtarisë në Panama, e cila konsiderohet si “parajse fiskale” nga një sërë organizmash ndërkombëtare.
Hetimi në Itali
Nga verifikimet paraprake, rezulton se shtetasja Almanda Durollari, është proceduar më parë nga Autoritetet Gjyqësore Italiane, nga Guardia di Finanzia e Comos, për veprat penale të mashtrimeve financiare, fallsifikimit, dhe shitjes së produkteve me shenja fallso, parashkuar nga nenet 61, 517, dhe 474 të Kodit Penal të Republikës së Italisë, dhe ndaj saj dhe shtetasit italian Francesco Cocilovo, është ndërmarrë një hetim financiar në kuadër të të cilit janë sekustruar shuma të konsiderueshme monetare. Në lidhje me këtë fakt, nga Interpol Tirana jemi venë në dijeni se Prokuroria e Milanos, ka regjistruar procedimin penal Nr. 2353 të vitit 2018. Po kështu rezulton se të dy këta shtetasve Guardia di Finanza, Ju ka sekuestruar rreth 2.388.611 (dymilion treqind e tetëdhjetë e tetë mijë gjashtëqind e njëmbëdhjetë) Euro.
Transferat nga Panamaja
Po kështu nga dokumentacioni i administruar rezulton se shtetasit Almanda Durollari, e ëma e saj dhe shtetasi Italian Francesco Cocilovo nga data 21 Dhjetor 2016 kanë blerë e porositur prona të paluajtshme dhe një makinë tip Mercedez Benz prodhim i vitit 2008. Vlera e pasurive të blera e të porositura në një interval shumë të shkurtër kohor, arrin në një vlerë të konsiderueshme prej rreth 750.000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) euro.
Ndërkohë rezulton se në llogaritë bankare të shtetases Almanda Durollari në XXX Bank dhe Raiifaisen Bank janë kredituar gjatë këtyre viteve shuma rreth 200.000 (dyqind mijë) euro, nga të cilat rezulton se një pjesë e konsiderueshme janë kaluar me urdhërues shtetasin Francësco Cocilovo si dhe pjesa tjetër nga llogaritë bankare të një kompanie në Panama të quajtur “Gynarai Holdin Corps”.
Vetë fakti që sipërmarrja është dukshëm me e lartë se shumat e transferuara nga personat e dyshuar nëpërmjet bankave, bën që të lindin dyshime mbi origjinën e shumave të parave, për më tepër që në shtetin Italian ku shtetasit e dyshuar Almanda Durollari dhe Francesco Cocilovo, kanë dhe aktivitetin më të madh tregëtar, ka filluar një proceim penal duke u sekuestruar një sasi prej 2.388.611 (dymilion treqind e tetëdhjetë e tetë mijë gjashtëqind e njëmbëdhjetë) Euro.
Dyshimi shtohet dhe nga fakti, që transfertat në llogaritë bankare janë bërë gjithmonë nën vlerën 10.000 (dhjetë mijë) Euro, me qëllim që të mos raportohen në Njësitë e Inteligjencës Financiare të të dy vendeve si në Itali nga e kanë burimin dhe në Shqipëri ku kanë mbërritur, me qëllim final që të mos monitorohen si transferta.
Po kështu ky dyshim mbështetet dhe në faktin që në Shqipëri, jo vetëm që këta shtetas nuk kanë aktivitet tregtëar, por dhe në faktin që shumica e pasurive pavarësisht se si janë porositur fillimisht, janë regjistruar në emer të shtetases Vergjinush Durollari, 77 vjeçare, e cila nuk ka pasuri të tjera të krijuara dhe as origjinë nga sa rezulton nga të dhenat bankare.
Organi procedues çmon se ekzistojnë dyshime se origjina e shumave të parave të xhiruara në llogaritë bankare të shtetases Almanda Durollari, është e dyshimte. Po kështu është e dyshimte origjina e shumave të parave të përdorura për blerjen dhe porositjen e pasurive të paluajtshme, si dhe automjetit të shtetases Vergjinush Durollari. Ky dyshim shtohet nga fakti se shumica e pasurive në një vlerë të konsiderueshme figurojnë në pronësine, si dhe janë porositur nga shtetasja Vergjinush Durollari. Duke qenë se kjo shtetase nuk ka llogari bankare, dhe mosha e saj është relativisht e madhe për të kryer aktivitet financiar në këto vlera të konsiderueshme monetare, lind dyshimi se emri i saj është përdorur për të lidhur kontrata fiktive, me qëllim mbulimin e dyshimeve të pastrimit të mundshem të produkteve te veprës penale nga shtetasja Almanda Durollari dhe Francesco Cocilovo.
Pasuritë e sekuestruara
-
- Banesë ndodhur në Rr. Dëshmorët e Pojskës Pogradec;
- Banesë ndodhur në Rr. Dëshmorët e Pojskës Pogradec;
- Apartament 2+1 me sipërfaqe totale (njëqind e tridhjetë e katër pikë një metër katrorë), Tiranë.
- Apartament 2+1 me sipërfaqe totale 127.3 (njëqind e njëzetë e shtatë pikë tre) metra katrorë, Tiranë.
- Apartament 1+1 me sipërfaqe totale 75.5 (shtatëdhjetë e pesë pikë pese ) metra katrorë, Tiranë.
- Apartament 1+1 me sipërfaqe totale 75.4 (shtatëdhjetë e pesë pikë katër) metra katrorë, Tiranë.
- Njësi shërbimi (biznesi), e ndodhur në katin përdhe (kati 0) me sipërfaqe totale 106.3 (njëqind e gjashtë pikë tre) metra katrorë, Tiranë.