Regjisori Kastriot Çipi, një nga zërat më protestues të shoqërisë civile shqiptare, ka zbuluar, me një metodë fare të thjeshtë, se si kompania celulare “Vodafone”, vjedh, sipas tij, me paketat e internetit për abonentët e saj.
Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Çipi ka publikuar mesazhet e kompanisë që i kanë mbërritur së fundmi në aparatin e tij telefonik, ku e njoftojnë për përfundimin e shërbimit të internetit.
Me një titull që lidhet me aktualitetin politik, “Kur Vodafone i numëron Megabit-et e internetit si “Rilindja” votat”, regjisori Çipi shpjegon raportet e tij me kompaninë telefonike, duke i shoqëruar me fotot përkatëse.
“Shikoni mesazhet nga Vodafone. Në mesazhin e parë thuhet se kam përdorur 80% të 10 GB Internet në dispozicion të rrjeteve sociale, pra më kanë mbetur edhe 2 GB. Një orë e 19 minuta më pas, vjen mesazhi tjetër që njofton se këto 2 GB janë shpenzuar! Ata që kanë sadopak njohuri mbi Internetin, e dinë se aktiviteti që konsumon më shumë Internet është shikimi i videove. Në YouTube, videot mund të kenë rezolucion maksimal Full HD, por në rrjetet sociale, Facebook, Whatsapp, etj. videot kanë rezolucion shumë më të ulët. Edhe nëse nuk më ka vjedhur në pjesën tjetër të muajit, mesazhet tregojnë se Vodafone sigurisht më ka vjedhur në intervalin mes dy mesazheve jo pak, por 2 GB Internet”, shkruan Kastriot Çipi.
Situatën e mësipërme, regjisori e shoqëron me dy foto (print screen) të telefonit të tij, ku dallohen qartë orët, në të cilat i kanë mbërritur mesazhet nga kompania Vodafone.
Por, nuk përfundon këtu. Vijon Çipi: “Çuditërisht, të nesërmen në mëngjes, Vodafone më njofton se kam shpenzuar 80% edhe të Internetit të dedikuar për funksione të tjera (ku mund të përfshihet edhe YouTube) dhe, meqë në sistem unë rezultoj se nuk kam aktivizuar paketë të re, në mbrëmje, Vodafone vendos ta zhdukë edhe pjesën e mbetur prej 20% apo 1.1 GB”.
Me një gjuhë të çliruar, e cila shpreh hapur revoltën e intelektualit, Kastriot Çipi vijon: “Për të larë m** me sh***, Vodafone më “dhuron” 250 MB të vlefshme për një orë. Pas 34 minutash, edhe ky bonus rezulton i konsumuar”.
“Aventura” e pakëndshme duket se nuk ka fund. “Kulmi arrin me “dhuratën” 300 MB të opsionit Shake. 300 MB figurojnë të konsumuara brenda 4 minutash! I sfidoj të gjithë inxhinierët e Vodafonë të më gjejnë një aplikacion të mund të konsumojë 300 MB Internet brenda 4 minutash”!, shkruan Kastriot Çipi.
Mesazhin e tij, regjisori e mbyll me një thirrje-pyetjeje drejtuar mikut të tij, avokatit Altin Goxhaj, i cili vite më parë ka qenë drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës: “Avokati Altin Goxhaj kush merret tani me mbrojtjen e konsumatorit?”, përfundon Çipi, duke ngritur në këtë mënyrë dyshimin e madh se institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e interesave të qytetarëve janë, në rastin më të mirë, inekzistente. /Boldnews.al/