Ilir Kalemaj
Përtej shifrave fiktikë të votimit të cilat edhe sipas formulës “vetë i organizojmë, vetë i nxjerrim të votojnë dhe po vetë i numërojmë”, nuk do të nxjerrin më shumë se 15-20 përqind mbështetje për partinë Rilindje, janë disa elementë që duhen marrë në konsideratë përsa i përket komunikimit politik.
E majta ka arritur të krijojë një narrativë sempliste, e cila prek kryesisht anën emocionale. E djathta luan në regjistra më të sofistikuar duke synuar anën racionale. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri, është një fenomen që e gjen kryesisht në ato vende ish-komuniste kur kemi një metamorfozë të partive puniste në parti socialiste, por këtejpari është më e spikatur dhe më e konsoliduar si ligjërim politik. Si rrjedhojë komunikimi politik i së majtës është më efektiv vençarisht me ato grupe/shtresa që janë të indoktrinuar. Për shembull te ky grup bën pjesë një masë e gjerë e pensionistëve të cilët quhen qëndrestarë ideologjikë pavarësisht pensioneve mjerane, ilaçeve të shtrenjta dhe shpesh të skaduara, shërbimit shëndetësor për faqe të zezë apo faturave të papërballueshme të ujit dhe energjisë elektrike etj.
Nga ana tjetër, janë edhe ata që janë lehtësisht të shantazhuar me anë të vendit të punës, për shembull administrata publike. Ndaj politika te ne merr përmasa shpërpjestimore dhe konsumon jashtëzakonisht energji, kohë, debate shterpë nga ato që populli i konsideron si muhabete pa bukë apo glofirikon politikanë që së fundmi po i’a dalin të bëjnë dhe mrekulli të tilla si të ngrenë të sëmurë nga shtrati etj.
Paralelisht janë dhe dy grupe të tjera më inferiore në numër por më të fuqishëm në impakt, ai i kapitalistëve shtetërorë ose oligarkëve siç e dëgjojmë të thuhet rëndom sot, të pasuruar jo falë konkurrencës në një treg të lirë, por falë bujarisë qeveritare me paranë publike si dhe grupazhet e nëndhenshme, ku paraja kriminale e sheh si formë investimi mbështetjen bujare ndaj “lordëve” lokalë apo kleptokratëve kombëtarë. Këto grupe ndonëse numerikisht inferiorë ndaj dy kategorive të mësipërme, kanë një levë financiare të fortë dhe të qëndrueshme, që bën të mundur, konsolidimin e pushtetit në pak duar dhe sponsorizimin e rezultatit ‘në drejtimin e duhur’.
E djathta në përgjithësi është e fokusuar te disa kolona kryesore apo shtylla ideologjike që bazohen te liria e individit dhe e drejta për të zgjedhur. Te shenjtëria e pronës private dhe liria e besimit. Te vlera si familja dhe kombi. Te tregtia e lirë si gur themeltar për përmisimin e produkteve dhe uljen e çmimeve për konsumatorët. Te zgjerimi i tortës ekonomike dhe fuqizimi i sektorit privat që punëson rreth 90 përqind të popullsisë. Te incentivizimi i punës dhe shpërblimi i talentit.
Por këto shpesh nuk përkthehen në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për masat. Partitë e djathta në përgjithësi janë parti elitiste dhe reflektojnë prirjen individuale të antarësisë së tyre. Bazuar në filozofinë që te e mira.
shoqërore gjithkush duhet të niset nga interesi personal. E kundërta të çon në autoritarizëm dhe si akt fundor në totalitarizëm. Si ai që kemi pasur.
E djathta duhe të artikulojë me guxim disa teza të thjeshta dhe lehtësisht të kuptueshme. Si për shembull, faktin që “të lë më shumë para në xhepat e tu”. Sa më pak taksa për punën dhe talentin, më pak taksa për kapitalin në mënyrë që të gjenerohen më tepër vende pune dhe të thithen investime të huaja që sjellin knoë hoë dhe teknologji. Apo të këmbëngulë për “konkurrencë të pastër” që ul çmimet dhe përmison cilësinë e produkteve në treg. Që nuk ka “taksë të ndershme” që në fakt varfëroi 97 përqind të shqiptarëve siç gënjeu trashë Rilindja por ka nevojë absolute të kthehemi te “taksimi i drejtë” që është filozofi e së djathtës dhe motivon shumë më tepër se çdolloj propagande bajate.
Që ka nevojë imediate për “derregullim” që do të thotë shumë më pak kohë shpenzuar sporteleve të pluhurosur të zyrave të mbushura me militarucë burokratë dhe shumë më tepër kohë për të shpenzuar për veten dhe të dashurit e tu. Për shumë më pak formalitete dhe gjoba për biznesin tënd dhe shumë më tepër kohë dhe energji për ta rritur atë. Që shoqëria të fillojë dhe të ndërtojë modele të suksesshëm sipërmarësish të cilët duhet të jenë heronjtë e vërtetë që ka ky vend sepse stimulojnë prodhimin dhe tregtinë, hapin vende pune dhe gjenerojnë rritje ekonomike, jo të mendojë si t’i fusë në hapsanë. E djathta duhet të mendojë se si të krijojë një program që ngjall shpresë për të ndenjur në këtë vend dhe një alternativë të vërtetë dhe të besueshme.