Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje emërimin e grupeve të numërimit të votave për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Me katër vota pro dhe një kundër, anëtarët e KQZ-së përcaktuan edhe mënyrën se si do të ngrihen këto grupe numërimi, duke qenë se dy partitë politike, PD dhe LSI, nuk kanë komisionerë për këto zgjedhje.
Sipas ligjit, anëtarë të grupeve të numërimit të votave emërohen komisionerë nga forcat politike me më shumë vota, PS, PD dhe LSI. Në mungesë të dy partive të fundit, anëtarët e propozuar nga PSja në KQZ vendosën që dy anëtarë të GNV-ve të emërohen nga komisionerët e PSsë sipas listës së depozituar, ndërsa dy anëtarët e tjerë të përzgjidhen me short nga anëtarët e komisionerëve të qendrave të votimit të emëruar kryesisht, pra nga Shoqëria Civile.
PËRPLASJA
Mbledhja e djeshme e KQZ-së u shoqërua me tone të ulëta dhe një diskutim konsensual ndërmjet kryetarit Klement Zguri dhe zëvendëskryetarit Denar Biba, për ndryshimin e disa qendrave të votimit. Administrata e KQZ-së kishte paraqitur në tryezë edhe ndryshimin e KZAZ-së së Pogradecit nga institucioni shtetëror te një objekt privat, në Njësinë Administrative Udënisht. Sipas sekretarit të përgjithshëm të KQZ-së, ky propozim është bërë nga prefekti i Qarkut Korçë për të shmangur përplasjen pas incidenteve të krijuara.
Pas prezantimit të bërë nga administrata, zëvendëskryetari i KQZ-së theksoi se vendime të tilla nuk duhet të paraqiten më për miratim pranë tryezës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke iu referuar vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që përcaktoi se në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhje, Biba theksoi se kryetarët e bashkive të opozitës janë të detyruar për të mos penguar zhvillimin e zgjedhjeve. Ai shkoi më tej, duke theksuar se moszbatimi i një vendimi gjyqësor përbën vepër penale. Ndonëse zëvendëskryetari i KQZ-së u shpreh në këtë mënyrë, bashkitë e drejtuara nga opozita dolën dje në një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se nuk e njohin zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, duke kërkuar nga KQZ-ja lirimin e ambienteve që kanë marrë në përdorim për këtë proces.
“Ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur që të marrim nën administrim ambientet ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit në të shkuarën. Ne kemi depozituar kallëzim penal ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe gjejmë rastin t’ju kujtojmë se me qëndrimet tuaja të paligjshme jeni duke cenuar rëndë autonominë vendore dhe kompetencat kushtetuese të njësive të qeverisjes vendore. Një organ i krijuar me ligj, si KQZ, pavarësisht delirit që karakterizon anëtarët e tij, nuk mund t’u tregojë kufijtë e ‘ligjshmërisë’ apo ‘paligjshmërisë’ organeve kushtetuese, nga Presidenti i Republikës tek organet e vetëqeverisjes”, shkruhet në letrën e kryetarëve të bashkive të djathta./Panorama/