Në media ka dalë regjistrimi i komunikimit të policëve në rroba civile, që kanë vërejtur një sjellje të çuditshme të sulmuesit në Aeroportin e Stambollit ku, të martën, në një sulm terrorist u vranë dhjetëra njerëz.
Një sulmues ishte i dyshimtë dhe policët shkuan pas tij. Polici i cili i pari ka dyshuar i ka dërguar mesazh kolegëve se e dalloi një burrë që mbante një pallto dimri, pavarësisht të nxehtit, shkruan Hurriyet, transmeton Telegrafi.
“Po ecen me pallto në këtë vapë! Vëlla, duket si një hajdut, a ta ndjekim?”, ka pyetur ai dhe kolegët janë pajtuar.
Pasi ata kërkuan që t’i tregojë dokumente, sulmuesi u përkul duke pretenduar se po i kërkon. Pastaj e ka nxjerrë një armë dhe nisi të shtënat. Ai qëlloi policëin që dyshoi tek ai dhe i cili tani po lufton për jetë, teksa në shtëpi e pret gruaja shtatzënë.
Terroristi pastaj vrapoi poshtë shkallëve, drejt terminalit të arritjeve ndërkombëtare, ku ka aktivizuar bombën që ishte rreth brezit të tij.
Në sulmin e së martës në Aeroportin Ataturk në Stamboll, u vranë 44 presona, ndërsa 239 janë plagosur. Tre sulmues vetëvrasës kanë shtënë me armë e pastaj kanë aktivizuar eksplozivet.