Nga Boldnews.al
Brekët e tij të grisura, teksa donte seks me një të re që kërkonte punë në Bashkinë Dibër, u bënë shkak që të zhvilloheshin zgjedhje të reja lokale në vitin 2016. Kryetari Shukri Xhelili u arrestua, Rilindja nuk ia fali kurrë prishjen e imazhit, jo pse kërkoi seks, por përse u bë gazi i botës me brekët e grisura në dhomën e një “moteli epshnor”.
Etja për pushtetin, babëzia për të marrë edhe një bashki pa shumë peshë, e bëri kryeministrin që të niste drejt Dibrës një armatë me drejtuesit më të lartë të PS-së, bashkë me grupin e gatshëm të dhunës dhe makinave me para të pista me ngjyrë Rilindje. Është mani më shumë se nevojë.
Ministri i tij si diamant në krye të fushatës, Damin Gjiknuri ishte koka. Më pas deputetë socialist në seri, ku ishin e ku nuk ishin, mundësisht tipa të fortë, arrogantë dhe gjuhëpisët. E këshu me radhë, Pjerin Ndreu, Ulsi Manja, Taulant Balla, Paulin Sterkaj dhe deputetë të tjerë morën rrugën drejt Dibrës. “Bashkia duhet fituar me çdo kusht”- tha shefi i madh, Edi vetë. Si shef “lokal” u gjet Arben Keshi, një ish-polic, që pas zgjedhjeve u bë shef i madh edhe ai, drejtues komisariati në Bulqizë, vend me para…
Kanë kaluar tre vjet që nga ajo kohë dhe faktet troditëse të shitblerjes së votave dhe presionit për humbjen e vendit të punës nëse nuk votonin haptas PS dhe kandidatin e saj, janë zbuluar nga gazeta gjermane Bild, e cila siguroi materiale nga dosja 184.
Që të gjithë dalin. Rama flet me kreun lokal të shtabit të PS-së, Damiani ofron para dhe “furgonë me çuna problematik të fortë”, deputeti Ndreu kërcënon me largim nga puna një drejtor shkollë nëse nuk deklaron votën haptas, nëpunës të lartë që nën petkun e biznesmenit bëjnë pazar të hapur për votën, 30 mijë lekë për një votë. Punonjës të lartë të policisë që bllokojnë në rrugë votuesit e PD-së për ti penguar të marrin pjesë në zgjedhje.
Çfarë duhet më shumë se kaq?
Në një vend me pak fije demokraci qeveria do kish rënë dhe përgjegjësit do i priste qelia. Po pse kjo gafë e madhe për një copë bashki? Ky është tregues i manisë, mendjes së prishur të një kryeqeveritari që kërkon gjithçka, e shumëçka në duart e tij. Është viti 2016, atëherë kur hashashi gjallonte nën hundën e strukturave të rendit, nën halucinacionet e qeverisë dhe të botës së errët të krimit që anoi nga Rilindja.
Dhe vota kushtoi sa pesë palë brekë. Për kaq e ofruan shqiptarët e varfër, të cilët janë më të pafaj, kur kanë mbi krye një çizme të llustruar pushteti që të zë fytin me dy alternativa zgjedhje: “Merr lekët për pesë palë brekë, na jep votën, ose mos merr asgjë dhe të marr shpirtin”. Ashtu ngadalë, të kërcënon me bukën e gojës, me vendin e punës, me të ardhmen e fëmijëve, me forcën e pushtetit të veshur me uniformë policie. Babëzia e kryeministrit duhet çuar deri në fund. Media nxitoi ta quajë: “Bomba gjermane” aferat e rënda të publikuara në gazetën më të madhe të Europës Bild nga dosjet 339 dhe 184. Po këto nuk janë asgjë për Rilindjen, ata sërish kanë fytyrën dhe dalin haptas: “Janë gjëra normale në një fushatë elektorale”-thonë ata, ndërsa i bëjnë presionin prokurorisë: Zbuloni kush na spiunoi…
Rama nuk e donte Bashkinë Dibër vetëm për të rregulluar imazhin, por ky ishte tregues se çfarë pritej në vitin 2017. E njëjta formë, të njëjtët individë u shpërndanë kudo në Shqipëri. Vota doli në tregun e lirë, gati si një “tender i hapur” kush ofronte më shumë, që gjithsesi kishte një çmim tavan, nuk do i kalonte 40 apo 50 mijë lekë të vjetra një votë. Kush kundërshtonte vinte pjesa e presionit, e dhunës, e frikës dhe terrorit shtetor.
Dibra ishte testi final dhe prova gjenerale e një shfaqje që u shtri në të gjitëh vendin një vit më vonë në zgjedhjet e përgjithshme. Bota po lexon në gjermanisht, anglisht dhe shqip sesi një vend që kërkon të anëtarësohet në BE shet e blen vota. Çfarë i ofroi Rilindja shqiptarëve, pesë palë brekë për katër vjet…!