Nga Ilir Kalemaj
Është fakt që ndërkombëtarët në përgjithësi mbështesin stabilitetin, vëncçrisht në rajone të trazuara si ky pellgu ynë ballkanik, duke çuar në një lloj stabilitokracie siç kanë vënë në dukje kohë më parë studiues të ndryshëm. Nuk duan të rihapet kutia e Pandorës dhe të shërbejë për vende të tjera apo të çojë në kriza ciklike. Por me shumë gjasa, tashmë që kriza po i afrohet majisjes së vet dhe nuk mban më ujë pilafi, pritet një deux ex machina që mund të marrë dhe thjesht formën e një telefonate të thjeshtë nga Ëashingtoni apo Berlini dhe palët të ulen përgjegjshmërisht në tavolinë dhe të arrijnë të shmangin atë që deri më tani konsiderohet e pashmangshme: konfliktin civil.
I cili do të rrënonte përfundimisht imazhin në dekadën e tretë të tranzicionit të pambarimtë, do rrënjoste bindjen e yshtur kuzhinave të Kremlinit apo Beogradit se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet, do fundoste shanset për integrim të shpejtë në BE duke varrosur dhe shansin për hapje të shpejtë të negociatave, do përkeqësonte ndjeshëm klimën e biznesit dhe pakësonte konsumin dhe në përgjithësi do vijonte ta bënte edhe më të pasigurtë jetën në Albanistanin e vështirë, duke i detyruar shqiptarët të vijonin të iknin nga sytë këmbët. Për referencë vlen të kujtojmë se sipas INSTAT-it në vetëm 6 vite (2011-2017) kanë ikur 317 mijë shqiptarë pra më shumë se qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, Durrësi. Faktet janë kokëforta dhe nëse nuk duam që ky vend të katandiset që fshatra dhe qyteza të banuara nga pleq dhe një Tiranë të mbipopulluar, super të shtrenjtë dhe të getoizuar ku të kemi mbi gjysmën e popullsisë aktive të punës të përqëndruar dhe largim frenetik të trurit në të njëjtën kohë, diçka duhet bërë dhe duhet bërë tani.
Ndërkohë kemi një pushtet gjithmonë e më tepër arrogant. Pa valvulë shkarkimi. Me institucione të pavarura të kastruara apo të papërfillura. Efekti: gjithë pushteti Sovjetëve e bën këtë aktualin edhe më mospërifllës dhe çon detyrimisht në keq-qeverisje se nuk ka ekuilibër. As kontroll dhe as balanca. As gjithëpërfshirje. Problemi është si te seriali i fashmëm Game of Thrones që sapo përfundoi episodin e fundit, si të dobësojmë Liderin Maximus dhe fuqizojmë institucionet. Që të kemi sa më pak abuzivitet dhe sa më pak pushtet absolut. Se ky i fundit korrupton në mënyrë absolute sic na kujtohet vazhdimësisht citati i Lordit Acton. Duhen gjetur instrumentat, jo të jenë në dorë të këtyre që i kanë bërë vetë rregullat që t’u shërbejnë po vetë atyre. Pra kanë në dorë edhe gurin, edhe arrën, por i’u mungon masa dhe përgjegjshmëria. Arroganca rritet në proporcion të drejtë me pushtetet që kontrollojnë.
Puna është si të ndërtojmë një sistem që i përgjigjet dilemës së vjetër të Platonit: po rojtarët kush i ruan? Si të mundësomë institucionet që të frenojnë abuzimin me pushtetin. Si të mundësojmë qarkullimin e elitave dhe gjithëprfshirjen si mekanizëm përfaqësimi? Çfarë instrumenti i besueshëm dhe i pranueshëm do të ngrihet? Që edhe reforma elektorale të mundësojë demokratizimin e spektrit politik në mënyrë cilësore jo sasiore. Por edhe partitë vetë të bëhen më të hapura ndaj mendimit, të kemi qarkullim të shëndetshëm elitash dhe jo riciklim mediokritetesh. Të fillojnë të prodhojnë ide dhe të jenë të afta të ndërmarrin reforma të guximshme publike dhe të jenë reformatore në momentin që vijnë në pushtet, jo një deja vù, një film i stërparë ku çdo gjë duket se ndryshon dhe asgjë nuk lëviz.