Nga Ledio Braho
Dita e enjte, për shkak të seancave plenare parlamentare, është shoqëruar gjithmonë me debate politike, por kjo e enjte që sapo kaloi u karakterizua nga ligjërimet më të çuditshme, nga ato me snajpera që i shkojnë për shtat platformës Netflix e deri te ato më doktrinaret në lëmin e të drejtës kushtetuese, ligjëruesit i ka parasysh çdokush se sa dijetarë janë si në fushën e luftës guerrilase e po ashtu edhe në jurisprudencën kushtetuese.
Gjithsesi ajo se çka vlen për t’u theksuar, mbetet fakti se të gjithë kishin një qëllim të vetëm – konstatimin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, i cili në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese nxorri një dekret me anë të të cilit shfuqizoi një dekret të mëparshëm.
Në lidhje me këtë çështje, se sa i drejtë është ky dekret i fundit, i referohemi si fillim nenit 7 të Kushtetutës që parashikon se “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Është pikërisht ky sistem qeverisjeje që është gur themeli i demokracisë, që nuk është një shpikje shqiptare siç janë shumë e shumë rregullime të tjera ligjore, por një huazim nga kushtetutat e vendeve më demokratike. A ka Shqipëria sot një sistem të tillë qeverisjeje që të bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve? Përgjigjia nuk ka nevojë për doktrinë kushtetuese. Shqipëria sot është i vetmi vend në Europë e më gjerë që njëkohësisht nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, ka një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm që nuk parashikohet në Kushtetutë si dhe ka një Kuvend de facto monopartiak. Mjafton ky informacion për të kuptuar që Shqipëria sot është në një krizë kushtetuese dhe karakterizohet nga një sistem qeverisjeje antikushtetues, kjo jo vetëm se nuk ka ndarje dhe balancim të tre pushteteve, por njëri prej tyre, që është ai gjyqësor, është inekzistent.
Vijojmë më tej me Kushtetutën e cila në pikën 4 të nenit 45 të saj, parashikon se “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Është pikërisht ky parim që është baza e një republike demokratike dhe Presidenti, si çdo qytetar tjetër, është në dijeni se Prokuroria e Krimeve të Rënda që drejtohet nga një prokurore e komanduar nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, fle mbi të paktën dy dosje ku “indiciet” e bëra publike ndërkombëtarisht nuk po arrijnë dot të shndërrohen në prova për të faktuar cënimin e lirisë së votës.
Po e njëjta Kushtetutë që të gjithë ligjëruesit e seancës plenare të ditës së enjte bëjnë si njohësit më të mirë të saj, në pikën 1 të nenit 64 parashikon se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”. Ky numër deputetësh nuk është as i rastësishëm e as i ndryshueshëm rast pas rasti, është një numër që sovrani e ka ideuar si idealin për t’u konsideruar i mirëpërfaqësuar në një nga tre pushtetet, atë ligjvënës. Cënimi i këtij numri, që në vijimin e kësaj legjislature nuk do të mund të arrijë më parashikimin kushtetues, nuk është thjesht pasojë e djegies së mandatave nga opozita e vërtetë, është pasojë e cënimit të lirisë së votës. Me cënimin e lirisë së votës, që sot është e pamundur të faktohet për shkak të një pushteti gjyqësor inekzistent, e vetmja mënyrë për të parandaluar thellimin e krizës kushtetuese, është pikërisht konstatimi si antikushtetues (qoftë edhe më metodën alla KQZ tashmë) i këtij Parlamenti të cunguar.
Pas analizës së mësipërme që fakton krizën kushtetuese në vend që vetëm mund të thellohet nga votimet që nuk janë zgjedhje, do të argumentojmë se përse dekreti i Presidentit për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve vendore (me qëllim për t’u shtyrë dhe jo për të mos t’u bërë më kurrë), jo vetëm që nuk është në shkelje të rëndë të Kushtetutës, por shkon në favor të zgjidhjes së kësaj krize. Akuza kryesore që drejtohet nga mazhoranca është ajo se me dekretin e tij të fundit, Presidenti ka cënuar periodicitetin e zgjedhjeve vendore, por për t’u arritur në një përfundim të tillë nëse është cënuar ky parim apo jo, duhet trajtuar çështja e vazhdimësisë së mandatit të një sërë organeve kushtetuese dhe ligjore.
Në lidhje me zgjedhjet parlamentare, i referohemi nenit 65 të Kushtetutës, që në pikën 1 të tij parashikon se “Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”. Ndërkohë neni 66 i Kushtetutës parashikon se “Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu”. Nëpërmjet nenit 66 është përcaktuar në mënyrë eksplicite dhe që të mos lindi shteg për interpretime se kur mund të zgjatet mandati i Kuvendit, kjo për shkak të rëndësisë që kanë zgjedhjet parlamentare në një republikë demokratike.
I referohemi një organi tjetër kushtetues që është Presidenti i Republikës, për të cilin në nenin 88 të Kushtetutës, në pikat 1 dhe 2, parashikohet se “1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. 2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo”. Siç vihet re, edhe për Presidentin e Republikës, pavarësisht se Shqipëria është Republikë Parlamentare, për shkak të rëndësisë që ai ka si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, Kushtetuta është specifike për rastin se kur zgjatet mandati i tij, rast ky që është i ngjashëm me atë të zgjatjes së mandatit të Kuvendit – “… vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo”.
Në lidhje me qeverisjen vendore dhe zgjedhjen e organeve të kësaj qeverisjeje do t’i referohemi pikave 1 dhe 2 të nenit 109 të Kushtetutës që parashikojnë se “Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë. 2. Organi ekzekutiv i bashkisë ose i komunës është kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.”. Ndërkohë që në lidhje me mandatin e këtyre organeve Kushtetuta nuk ka asnjë parashikim edhe për shkak të faktit që rëndësia e këtyre organeve nuk mund të konsiderohet e njëjtë me atë të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.
Pikërisht për këtë arsye, Kushtetuta e ka deleguar çështjen e mandatit të organeve vendore te ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” që në pikën 1 të nenit 53 të tij parashikon se “Këshilli bashkiak ushtron funksionet e tij nga data e konstituimit, sipas nenit 48, të këtij ligji, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës” dhe në lidhje me kryetarin e bashkisë në pikën 4 të nenit 60 që parashikon se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.
Nga kjo analizë del qartë që shtyrja e zgjedhjeve vendore, jo vetëm që nuk passjell probleme apo cënime kushtetuese dhe ligjore për vijimin e mandateve të këtyre organeve, por imponimi kushtetues nga Presidenti i Republikës për të ulur të gjithë aktorët dhe faktorët në vend që t’i japin zgjidhje krizës kushtetuese të shkaktuar nga organe jofunksionale të pushtetit gjyqësor si Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë apo një pushtet legjislativ me mandat të cënuar si pasojë e numrit të deputetëve jo në përputhje me atë të caktuar nga Kushtetuta është krejtësisht legjitim dhe i bazuar në frymën e Kushtetutës.
Të 100 deputetët e pozitës dhe “opozitës” që shqetësohen më shumë për mandatin e organeve vendore (që edhe në rast zgjatje është në përputhje me ligjin dhe ushtrohet me kompetenca të plota) të parashikuar në ligj se sa për mandatin e ndërprerë dhe jofunksional të disa organeve kushtetuese, nuk kuptojnë demokracinë në rastin më të mirë dhe janë cinikë në rastin më të keq.