Mëngjesin e 4 qershorit, ditën e Fiter Bajramit, një foto e një vajze të vogël mes mijëra besimtarësh në ‘Sheshin Skënderbej’, u shfaq në Reuters, Yahoo, Standart.uk, The National, Huffington Post, Gulf News, The Indipendent, MSN, e disa media të tjera. Një xhiro të tillë globale, rrallë foto e kishte bërë.
Kur Florion Goga, fotoreporteri i gazetës Mapo, po shkrepte aparatin, nuk e dinte se emri i tij do shfaqej më vonë në mediat kryesore të botës. I kishte ndodhur dhe herë të tjera. Ai tashmë është mësuar me këtë lloj suksesi, pasi është pjesë e Reuters. Por nuk e imagjinonte se nga ai shesh do dilte kryevepra e tij.
Fotografia e ‘vajzës së vogël me kordele’ në mes besimtarëve muslimanë në momentin e lutjes, u përhap masivisht.
“Përgjithësisht, ne e dimë se çfarë fotosh duhet të bëjmë për të mbuluar një event. Unë gjithmonë shkoj një orë para. Aty shikoj dhe fiksoj portretet e personave, çfarë kanë veshur, ndonjë detaj, ndonjë bluzë e shkruar, ngjyrat. Përzgjedh disa “pre” dhe i vëzhgoj. Për sa i përket fotografisë së vajzës së vogël gjatë lutjes së mëngjesit në ‘Sheshin Skënderbej’ dua të them që ishte krejtësisht spontane, rastësore. Nuk e pashë më parë. Kisha hipur diku, në një lartësi sepse doja të kapja masën. Në atë moment, kur të gjithë po luteshin, e pashë vajzën e vogël dhe u hodha “në sulm”. Duke qenë se atë ditë u zgjova në orën 04:00 të mëngjesit, u përgatita, në orën 05:00 isha në shesh dhe meqënëse u bë virale, ndjej një farë kënaqësie sepse mundi ia vlejti, u shpërblye”.
Megjithëse, emri i tij si autor i fotos doli në mediat e mbarë botës, Flori mbetet modest.
“Dua të them që ajo foto është krejtësisht standarte, nuk ka ndonjë arritje të madhe. Arsyeja që ajo foto u bë virale, ishte pasi kishte një kontrast. Të gjithë ishin përkulur për t’u lutur ndërsa vajza ishte në këmbë. Në aspektin vizual kjo qendron, është estetike”.
Për Florin, fotografia nuk është thjesht punë, por një pasion i vazhdueshëm, i kultivuar prej vitesh.
“Unë ndihem me fat pasi jam nga ata njerëz që pasionin e kanë çuar në një nivel tjetër, në atë profesional. Në familjen time ne gjithmonë kemi pasur një prirje për fotografinë, për shkak se një nga hallat e mia ka qenë fotografe dhe këtë gjë ia ka ushqyer edhe babait tim. Në shtëpinë tonë gjithmonë ka qenë prezent një aparat fotografik. Unë kam pasur gjithmonë kontakt me fotografinë, në fillim si amator, më pas, në nivel profesional. Në shkollë gjithmonë mbaja një aparat me vete. Më pëlqente të vëzhgoja dhe të fotografoja. Gjëra të thjeshta”.
Flori kujton edhe fotot e tij të para me një mjet pune profesional. Momente që për të janë të paharruara, pasi i dhanë shtysë për të vazhduar më tej ëndrrën.
“Kjo, para 11 vitesh, kur isha me pushime. Ndodhi që u sëmura dhe nuk lahesha në det. Një miku im kishte një aparat të mirë për atë kohë e kështu fillova të fotografoj gjithë ditën. Më pëlqente shumë. Pas punës në aparat fillova dhe punën në kompjuter, për t’i përmirësuar fotot. Pas kësaj menjëherë porosita një aparat. Fillova të dilja rrugëve gjithmonë me të. Kur krijova më shumë besueshmëri te vetja ime fillova të bëja dhe ndonjë publikim”.
Flori kujton se ka eksperimentuar shumë dhe me kalimin e kohës e kuptoi që i pëlqen fotografia në lëvizje. Aksioni, me një fillim dhe një mbarim. Foto me një lloj trysnie, me një lloj presioni.
“Në janar të 2011, kam bërë një foto që kishte një nivel profesional të themi, foto që u pëlqye dhe që nga ajo ditë, pasi takova dhe një nga fotoreporterët më të mirë në vend, Armando Babanin, kam pasur një rritje profesionale”.
Fotografia është art, por duhet të ketë dhe lajm, dhe padyshim kjo kërkon talent, punë, përkushtim. Për Florin ka qenë një sfidë, por vullneti dhe durimi i kanë hapur rrugën.
“Unë mund të them me plot bindjen që të qënit fotoreporter është një mënyrë të jetuari. Unë që në mëngjes shoh lajmet dhe vendos kush është ngjarja më me interes. I ndaj eventet, kush ka interes kombëtar dhe kush ka interes global. Duhet të jesh i qartë se çfarë ka interes në aspektin vizual. Në Kamëz unë e lashë shkollën në vit të 3-të dhe nisa një shkollë tjetër për komunikim-dizanj. Një shkollë që të zhvillon mënyrën e të menduarit dhe të komunikuarit, nëpërmjet anës vizuale. Kur fotografojmë, ne shprehim gjithë botën tonë. Çdo film që kemi parë, çdo libër që kemi lexuar, çdo muzikë që kemi dëgjuar e shprehim me anë të krijimit tonë në imazhe. Për sa i përket teknikave ka, por jo shumë siç mund të kenë po themi piktorët. Së pari, fotografitë tona duhet të kenë karakter informues. Pas kësaj, mund të kenë element artistik, estetik e me radhë. I gjithë sekreti është që të bëjmë diçka ndryshe nga të tjerët”.
Fotografia, si çdo lloj arti ka zhanret e saj. Dikujt i pëlqejnë portretet, dikujt natyra, dikujt ngjarjet dhe eventet. Mes emocionesh, Flori tregon momentin e parë kur kuptoi se në gjithë atë mori dhe hapësirë, ai zbuloi drejtimin e tij.
“Kur kam qenë për herë të parë në stadium, si fotograf, në vitin 2011-2012, luhej ndeshja Shqipëri-Francë. Kam dëgjuar shkrepjen e shumë fotoreporterëve aty. Ka qenë një lloj adrenaline, një lloj emocioni i papërshkrueshëm. Aty e kuptova dhe thashë me vete: ky është ambjenti ku unë dua të jem, sporti, aksioni, ngjyrat, lëvizja”.
Profesioni i fotoreporterit ka vështirësi dhe një shkallë të caktuar rreziku. Flori është gjithnjë në radhën e parë të protestave. Aty ai ka bërë disa prej shkrepjeve më të mira, që janë shpërndarë në mediat kryesore të botës. Si ajo e famshmja e atij burrit me shigjetë.
“Në një konferencë për shtyp, objekti është statik, nuk ka zhvillim nuk ka ngjarje. Nuk pritet të ketë lëvizje apo aksion. Dhe këtu ti duhet të gjesh një fabul, një detaj, një lëvizje, një mimikë, edhe në një ambjent aq “të ftohtë” siç është një takim apo konferencë për shtyp. Për të pasur një foto më të mirë se tjetri, ti duhet të jesh një hap para tij”.
Ndryshon puna kur ka lëvizje të mëdha, njerëz, turma.
“Kur ka protesta, gjithmonë garda vendos një vijë të kuqe që nuk duhet kaluar. Demostratat janë të rrezikshme, sidomos kur bëhen të dhunshme. Unë kam bërë disa trajnime për mënyrën se si duhet të sillemi në raste me rrezik. Kemi edhe pajisjet, veshjet që në një farë mënyre na mbrojnë. Unë nuk kam qenë i rrezikuar për jetën nuk më ka ndodhur, por ka pasur incidente. Më kanë prekur lëndë plasëse, fishekzjarre, njëherë më është djegur një xhup. Gazi lotsjellës apo uji me presion. Pra sigurisht ka rrezik, sepse ne jemi të detyruar të pasqyrojmë gjithçka, ne jemi gjithmonë te vija e kuqe”.
Flori i di rregullat kur ka protestë, e di cfarë duhet të bëjë për të shmangur cdo lloj keqkuptimi.
“Unë gjithnjë shkoj e takoj protestues, policë, që të identifikohem, të bëhem i dukshëm se jam ky, jam këtu për të pasqyruar ngjarjen, për të dokumentuar historinë, jam këtu për të bërë punën time”.
E mban mend mirë se kur një mik i tha se mund të punojë për agjencinë ‘Reuters’, ishte në timon dhe u emocionua aq shumë, sa hapi krahun pasi nuk mund ta kontrollonte makinën. “Ëndërr tani kam të mbuloj lojërat olimpike pse jo edhe fitimin e ndonjë çmimi”.
Sot, me zhvillimin e mediave, me mediat e reja, shtohen sfidat profesionale për një fotoreporter. “Duhet të jesh multitask, të jesh i aftë të bësh foto, video dhe tekst njëkohësisht”, thotë Florian Goga.