Nga Boldnews.al
Ndërsa në Drejtorinë e Policisë Tiranë dergjeshin të trullosur nga gazi dhe dhunuar gjatë shoqërimit protestuesit e opozitës, në zyrën e drejtorit të Policisë së Tiranës, më 16 shkurt të këtij viti, mbi tavolinën e punës, konsumohej alkool dhe pije energjike. Nuk dihet nëse kjo “gosti festive” është rutinë për drejtuesit e policisë sonë, por aty të ftuar ishin prokurori i Prokurorisë së Tiranës Kol Hysenaj dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, bashkë me pjesën tjetër drejtuese në varësi të tij.
Gjashtë deputetët e opozitës Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimi, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj, (në atë ditë ende deputetë zyrtarisht, pasi nuk i kishin djegur mandatet), shkuan për tu interesuar mbi të shoqëruarit dhe dyshimet për keqtrajtime të protestuesve. Mes deputetëve të PD-së dhe drejtuesve të policisë nis një debat, ku në konflikt verbal dhe shtyrje me duar përfshihet edhe prokurori i Tiranës.
I gjithë incidenti u denoncua nga Partia Demokratike, duke ndjekur edhe rrugën ligjore, në kallëzimin për shpërdorim detyre të zyrtarëve të policisë së Tiranës dhe të kryepolicit Ardi Veliu.
Prokuroria e Artës nuk i mban dosjet pirg, heton thellohet dhe të “ndëshkon” kur shkilet ligji, por në këtë rast bën të kundërtën… Nis procedim për denoncuesit, ndërsa drejtuesit e policisë të denoncuar, kishin “asin” nën mëngë, prokurorin Hysenaj. Edhe pse ishte i pranishëm aty, ai bëhet pjesë e hetimeve, duke lëshuar autorizim për ndjekje të çështjes nga prokurori Artan Lulaj.
Prokurori Hysenaj është në konflikt të plotë interesi, pasi ishte palë në përplasjen që ndodhi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Për më shumë, është zyrtar i institucionit të akuzës i cili ka mundësitë të ndërhyjë në çëshjen hetimore. Gjithashtu Hysenaj nuk mjaftohet vetëm me faktin se ishte pjesë në konflikt, por si shef i sektorit të hetimit autorizon prokurorin Artan Lulaj për thirrjen në cilësinë e “personave në hetim” për akuzën “kundërshtim të punonjësve të policisë për shkak të detyrës” të gjashtë ish-deputetëve të Partisë Demokratike.
“Ia çova prokurorisë edhe aktin e denoncimit prej nesh i cili është kallëzim penal i bërë nga ne i cili duhet të hetohet, por në fakt nuk është bërë asnjë gjë. Nuk është hetuar aspak”-tha ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, pasi doli nga Prokuroria e Tiranës. Ai gjithashtu publikoi edhe një foto, ku duken qartë shishet e alkoolit në prag zbrazje të plotë, në gostinë policore dhe me të ftuarin “special” prokurorin Hysenaj.
Sipas dëshmive, Hysenaj jo vetëm ishte i pranishëm në debat dhe konflikt (çka vërtetohet nga pamjet filike), por po konsumonte alkool bashkë me krerët e policisë. Në procedurat ligjore të hetimit, nuk mund të marrë pjesë direkt ose indirekt zyrtari i cili është i përfshirë në një ngjarje, në rol aktiv ose pasiv, por si në këtë rast ashtu edhe në shumë të tjera, ligji nuk ka rëndësi, gjithnjë do gjendet një Kolë që tjek karrocën e paligjshmërisë.