Emisioni investigativ ‘Ajsberg’ që transmetohet në ekranin e Fax Neës me gazetar Artur Çanin ka zbardhur mbrëmjen e djeshme një mega skandal që ka përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, një nga organet kryesore për Reformën në Drejtësi.
Bëhet fjalë për një nga anëtarët e këtij organi, Tartar Bazaj, i cili në bazë të investigimeve ka falsifikuar dokumentet e arsimit të tij të mesëm. Bazaj ka një falsifikim të diplomës së shkollës së mesme, pasi në të njëjtën vit ai rezulton që të ketë qenë në dy shkolla të ndryshme në Sevaster të Vlorës dhe në Krrabë të Tiranës.
Falsifikimi lidhet me vitin shkollor 86-87, që Bazaj pretendon se e ka kryer në Krrabë, po në amzë rezulton se ai ka qenë në Sevaster. Edhe në bazë të dëshmive të miqve të tij, emrat e të cilëve vetë anëtari i KLP-së ja ka dhënë Çanit, Bazaj rezulton që të ketë kryer tre vite arsim të mesëm në shkollën bujqësore në Vlorë, dhe jo dy siç ai pretendon më pas.
Sikur të mos mjaftonte kjo notat e Bazajt linin shumë për të dëshiruar, dhe mesatarja ishte 5-6.
‘’Nisur me një vërtetim të lëshuar nga vetë Tartari ne nisëm kërkimet në amzë. Na rezultoi diçka që na krijoi dyshime, në amzën me numër 438 të Bazajt në Sevaster, shkollë bujqësore, ai ishte regjistruar në këtë shkollë dhe ka bërë 3 vite, nga 84-87. Në të treja këto vite notat e tij kanë qenë nën mesatare, por nuk ka ngelur. Në fund të vitit të tretë ka një shënim që është larguar. Notat janë kryesisht 5-6, në vitin e tretë i ka të gjitha 5 dhe 7. Në karakteristika thuhet që është i urtë dhe i sjellshëm me shokët e klasës, por që duhet të mësojë më shumë. Në shkollën e Krrabës ai është regjistruar në vitin 86-87, dhe një vit më pas ai ka mbaruar shkollën. KËTUtu mua më lind pyetja, në këtë vit ka qenë në Sevaster apo Krrabë? Vetë Bazaj thotë se ai ka bërë dy vite në Sevaster dhe dy vite në Krrabë”, deklaroi Çani në nisje të emisionit.
Për këtë ekipi i Ajsberg ka udhëtuar drejt Sevasterit në Vlorë, ku ka pyetur ish-drejtorin e shkollës Baftjar Sulçaj .
“Tartaj Bazaj ka qenë nxënës në shkollën e Sevasterit, e ka filluar në 84-trën. Në atë kohë që kam qenë unë 84-86 kanë qenë dy klasa paralele, ndaj dhe di disa gjëra më shumë për këta nxënës. Ka bërë vitin e parë dhe vitin e dytë në këtë shkollë, në shtator të 1986 unë kalova në shkollën 9-vjeçare, ndaj smund të them më tej”, u shpreh Sulçaj.
Drejtori nuk di të thojë se sa vite shkollë ka bërë Bazaj në Sevaster, duke qenë se vetë Sulçaj është larguar për një shkollë tjetër. Në këtë pikë Çani ka takuar disa prej shokëve të klasës së anëtarit të KLP-së, një prej tyre Granit Kasaj. Miqtë tregojnë se Bazaj është larguar nga shkolla në vitin e katërt, dhe tre vite i ka kryer në Sevaster.
Në këtë pikë flet dhe shoqja e Tartarit, me të cilën ishin dhe nga i njëjti fshat, Ollga e cila thotë se anëtari i KLP-së ka bërë 3 vite në Sevaster dhe është larguar prej aty në vitin e katërt.
Sefer Pecani, drejtor i shkollës në Krrabë thotë se Tartar Bazaj ka ardhur në shkollën e tij në vitet 87-88. ‘’Ka qenë nxënës shumë i mirë, ka mbaruar shkollën e mesme dega miniera, për çdo qartësi të shikohen deftesat e tij”, shprehet Pecani, duke rrëzuar sërish pretendimet e Bazajt, që thotë se në Krrabë ka ardhur në vitin mësimor 86-87.
“Nuk mbulohet dot dielli me shoshë, kemi amzën e Sevasterit ku janë tre vite të plota. Kemi amzën e shkollës në Krrabë, ku ekzistojnë dy vite, është e habitshme sesi Tartari ka qenë në të njëjtin vit në dy shkolla të ndryshme, njëherë për bujqësi dhe njëherë tjetër për agronomi. Kemi shoqen e klasës që thotë se Tartari ka bërë 3 vite në Sevaster, deftesa e tij ka disa lëndë që nuk fugurojnë në asnjë prej amzave, vizatim teknik, makina miniere, nuk funksionojnë në asnjë amzë, po figurojnë në deftesën përfundimtare. Sigurisht që këtu kemi të bëjmë me falsifikime, ka ndryshime të shkrimeve në diplomë, kjo u takon ekspertëve që ta vërtetojnë”,shprehet gazetari Çani.
Për ti shkuar deri në fund çështjen Çani ka ftuar në takim Bazajn, i cili duket se e ka humbur paska fillin, duke thënë se çështja tashmë do të kthehej në personale. Ai debaton ashpër me gazetarin Çani, madje dhe duke e kërcënuar në mënyrë personale.
Pjesë nga debati i zhvilluar mes Çanit dhe Bazajt:
Bazaj: Kam hedhur provime ekuivalente në Krrabë, unë e mbaj mend si tani
Çani: Ku janë në deftesa? Ti mund të mbash mend shumë gjëra. Këtu kemi dokumentet e shtetit.
Bazaj: Po më re në qafë do ta marr personale
Çani: Më sqaro se çfarë janë këto, lëri personalet. Fol me ndonjë tjetër jo me mua.
Bazaj: Unë jam anëtar i KLP-së, kam një integritet
Çani: Ke gënjyer atëherë këtu
Bazaj: Në rast se unë nuk kam gënjyer do të shkosh në burg. Mua do më nxjerësh pa shkollë ti, unë kam qenë nxënësi më i mirë. Ik ore shiko punën tënde, do ta shikosh ti, kujt ia bën këto presione ti. Ti do kesh punë me mua, po më re në qafë do të kesh punë me mua
Çani: Ti po më kërcënon mua, a ke mundësi që të ma thuash këtë mua
Bazaj: Pse unë do çmendesha dhe do kandidoja për anëtar të KLP-së
Çani: Kam folur me të tre shokët që më ke dhënë numrat
Bazaj: Mos më cëno, kush jam unë që të prononcohem ty. Kam kaluar njëmijë filtra, edhe të FBI-së. Ti ke thënë në Sevaster që ti nuk kam mbaruar as shkollën 8-vjeçare.
Çani: Mos u merr me thashetheme. Këto që kam unë përpara janë dokumentet e shtetit shqiptar
Bazaj: Po ç’janë këto mor burrë i dheut, kështu punoni ju me njerëzit?! Unë jam nga ata njerëz që të marr gjak në vetull
Çani: Kujt i kujton gjakun këtu ti? Kë kërcënon?!
Në fund të emisionit gazetari Çani tha se gjetjet e tij do ti depozitojë në Prokurori, dhe kë Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku Bazaj është anëtar, pasi është e papranueshme që një person me dokumente të falsifikuara të arsimit të jetë pjesë e këtij isntitucioni të lartë drejtues në sistemin e prokurorisë në vend./faxweb.al