Janë 6200 biznese të cilat deri në fund të vitit 2017-të duhet të sigurojnë vetë energjinë elektrike. Paketa e tretë legjislative e Bashkimit Europian parashikon daljen graduale të të gjithë konsumatorëve që furnizohen në tensionin e lartë dhe të mesëm 35 kv, 20 kv dhe 10 kv e 6 kv do të dalin në fund të 2018-ës.
Shtatë kompani të mëdha sot arrijnë të sigurojnë vetë energjinë elektrike. Në vitin 2011, reforma në liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, nxori jashtë tregut të rregulluar këto ndërmarrje të cilat ishin të lidhura në linjat e furnizimit të tensionit të lartë dhe përbënin 8.4% të konsumit kombëtar të Shqipërisë ose 610 milionë kWh. Fillimisht, bizneset e kundërshtuan këtë reformë, por sot ato operojnë me sukses në këtë treg dhe nuk raportojnë rritje të kostove. Plani i qeverisë është që deri në fund të vitit 2017 të ulë konsumin e energjisë elektrike me 10% nga bizneset që furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.
Kjo ishte vetëm faza e parë. Paketa e tretë legjislative e Bashkimit Europian parashikon daljen graduale të të gjithë konsumatorëve që furnizohen në tensionin e lartë dhe të mesëm 35 kv, 20 kv, 10 kv e 6 kv gradualisht deri në fund të 2018-s. Konkretisht, të gjithë konsumatorët që furnizohen në linjën 35 kv duhet të dalin nga tregu që nga data 1 korrik dhe kështu me radhë ata që furnizohen në 20 kv në 1 janar. Në 2017-n duhet të dalin nga furnizimi që u bën OSHEE të gjithë konsumatorët e linjës për tensionin e mesëm.
Në total janë 6200 biznese, të cilat deri në fund të vitit 2017 duhet të sigurojnë vetë energjinë elektrike.
Bizneset që do të dalin nga rrjeti i OSHEE duhet të lidhin kontratën me kompaninë ku do ta blejnë energjinë dhe do t’i drejtohen OSHEE që janë gati të dalin nga rrjeti. Pasi çon kërkesën, merr në përdorim linjat e saj dhe të OST-së kundrejt tarifës që paguan.
Shqetësimi kryesor i biznesit është nëse liberalizimi do të çojë në rritje të çmimeve, si rrjedhojë e shtrenjtimit të kostove përmes tarifave të aksesit. Vetë ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ka pranuar që këto tarifa janë më të larta për Shqipërinë se rajoni, në një kohë që shqetësimi i industrisë vendase është se sa konkurrues do të jetë në tregun rajonal. “Konfindustria vlerëson se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike për bizneset është një reformë e vështirë dhe si e tillë duhet të jetë e kujdesshme, e shtrirë në kohë dhe e mirëpërgatitur. Shqetësimi kryesor i bizneseve, i ardhur pranë Konfindustrisë, janë nivelet e tarifave të pikave të lidhjes dhe sigurimi i standardeve teknike të furnizimit me energji nga OSHEE”, është shprehur Konfindustria në një deklaratë për shtyp. Në përgjigje të tyre, ministri Gjiknuri ka thënë se këto kosto duhet të mbahen nga biznesi, pasi nuk ka rrugë tjetër. “Si do të sigurohet cilësia e furnizimit me një rrjet që i përket kryesisht viteve ‘70? Pyetja parë është që kërkohen investime. Atëherë nga do të dalin këto investime. Ka dy mënyra, ose paratë e shqiptarëve të shkojnë të gjitha në rrjetin energjetik për të krijuar tarifa të ulëta dhe një liberalizim të plotë i tregut të energjisë; ose konsumatorët në vetvete do të mbajnë një pjesë të kostos dhe kështu funksionon. Tarifa e aksesit nuk është një taksë”.
Aktualisht, Shqipëria ka dy linja interkonjeksioni 220 kv me Malin e Zi dhe Kosovën dhe një 400 kv me Greqinë. Rritja e blerjes së energjisë elektrike në tregun e jashtëm bëri që qeveria të shihte në planet e saj ndërtimin e dy linjave të tjera 400 kv me Kosovën dhe Malin e Zi. Në planin e saj është që tarifat e aksesit të biznesit në këto rrjete sa vjen dhe të jenë më të ulëta. Po ashtu, një nga alternativat që u janë shtruar sipërmarrësve është edhe përfundimi i ndërtimit të hidrocentralit të Devollit, Poçemit dhe Katundit të Ri.
Dalja -afatet
Të gjithë konsumatorët që furnizohen në linjën 35 kv duhet të dalin nga tregu që nga data 1 korrik 2016 dhe kështu me radhë ata që furnizohen në 20 kv, më 1 janar 2017. Në 2017-n duhet të dalin nga furnizimi që u bën OSHEE të gjithë konsumatorët e linjës për tensionin e mesëm.
Plani i investimeve në rrjet
17 milionë dollarë do të investohen nga Banka Botërore dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë në sistemin e matjes dhe rrjetin e shpërndarjes. Me këto para do të bëhen ndërtime të reja, rikonstruksione nënstacionesh dhe linjash, në mënyrë që të lehtësohet aksesi i biznesit dhe ulja e kostove. Për matjen do të zbatohet një projekt i Bankës Botërore, përmes të cilit do të realizohet instalimi i një sistemi matjeje të tensionit të mesëm për të gjithë klientët që dalin nga tregu. Ky sistem do të shërbejë për të matur saktë energjinë që konsumohet. Të dhënat që do të dalin, do të shkojnë në Qendrën e Menaxhimit të Energjisë pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Vetëm për matjen do të jepen 14 milionë dollarë.
Krijimi i bursës së energjisë
Është dëgjuar shpesh, por në fakt duket shumë larg realizimit krijimi i bursës së energjisë. Biznesi kërkon me ngulm që, nëse dalin në treg të lirë, duhet gjetur mënyra për krijimin e kësaj burse. “Roli i Entit Rregullator të Energjisë është i rëndësishëm për përcaktimin e vlerës së tarifave të linjave dhe krijimin e Bursës Kombëtare të Energjisë për liberalizimin real të tregut me numër sa më të madh operatorësh për shmangien e rrezikut të kalimit nga monopol publik në monopol privat të furnizimit me energji elektrike”, ka sqaruar Konfindustria. Shqetësimi i sipërmarrësve është i saktë, pasi shumë operatorë që ofrojnë energjinë në Shqipëri kanë pasur tarifa thuajse të njëjta në tenderët që ka organizuar vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, gjë që më pas ka hapur dyshime për Autoritetin e Konkurrencës për njehsim të qëllimshëm të këtyre çmimeve për të rritur fitimet e privatëve.
Ministria e Energjisë ka filluar punën për të bërë një model të ri tregu të energjisë elektrike Day Ahead Market. Këtu parashikohet ngritja e një Power Exchange, i cili synon të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë bizneset, për të blerë energjinë elektrike në mënyrë transparente dhe të qëndrueshme. Ky lloj modeli do të quhet bursë e energjisë, e cila do të bashkëpunojë kryesisht me tregun e energjisë së Kosovës dhe Malit të Zi.
Përveç përmbushjes së angazhimeve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, po punohet për një ligj të ri për energjinë e rinovueshme, i cili do të krijojë skemë të re në mënyrën se si do të ndihmohen prodhuesit e rinj të energjisë dhe do të ndryshojë formulën për ata aktualë.
OST-ja merr funksionet e bursës së energjisë
Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë (OST) me modelin e ri të tregut të energjisë do të marrë atributet e një bursë energjie.
Enti Rregullator i Energjisë është në prag të miratimit të rregullave të reja të tregut të energjisë dhe në ketë kuadër OST-ja ka marrë lejen si operator tregu.
Sipas rregullave të reja Operatori i Tregut OT si pjese e (OST) është struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut të energjisë elektrike dhe përgatitjen e pasqyrave financiare, për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella, për pjesëmarrësit e tregut, pa përfshirë blerjen apo shitjen e energjisë elektrike.
OST –ja do të jetë përgjegjës për organizimin dhe administrimin e likujdimeve dhe pagesave të energjisë elektrike mes pjesëmarrësve të tregut për tregun balancues dhe do të organizojë një proces që gjithë palët të përmbushin Rregullat e Tregut.
OST do të mbajë llogaritë në emër të palëve tregtare për energjinë balancuese dhe shërbimet e siguruara nga OST-ja dhe do të menaxhojë procesin e deklarimit të likuidimeve dhe do të sigurojë informacion tregu Rregullave të Tregut.
OST do të kryejë gjithë funksionet e tjera që i caktohen nga Rregullat e Tregut ose me miratimin e ERE-s dhe do t’u japë ose do të marrë para nga palët që kanë siguruar energji balancuese të blerë nga OST-ja.
Furnizuesi Publik me Shumicë, OSSH dhe sipas rastit, Furnizuesi i Kualifikuar (në emër të Klientëve të Kualifikuar) do t’i sigurojnë OST-së parashikimin e ngarkesës për javën në avancë për klientët e tyre në bazë orare. Ky parashikim ngarkese do të përditësohet në bazë të ditës në avancë para mbylljes së portës.
Gjithashtu Furnizuesi Publik me Shumicë do t’i sigurojë OST-së parashikimin për reduktimin e ngarkesës së javës në avancë në bazë orare. Ky parashikim i reduktimit të ngarkesës do të përditësohet bazuar në ditën në avancë para mbylljes së portës.
Në fakt këto funksione ishin projektuar të kryheshin nga Bursa e Energjisë sipas projektmodelit të tregut të energjisë nga qeveria shqiptare. Mirëpo krijimi i një bursë të posaçme për energjinë kërkon angazhim ekstra dhe këto funksione do të kryejë OST-ja pasi shumë shpjet 85 konsumatorë të konsumit 35 kilovolt do të do të furnizohen në mënyrë të pavarur në tregun e energjisë.
Modeli i tregut Day-Ahead është arena kryesore në rajonin nordik dhe baltik për tregtimin e energjisë. Në këtë model tregu, kontratat bëhen ndërmjet shitësit dhe blerësit për dorëzimin e mallit një ditë para.
Me këtë model, një blerës duhet të vlerësojë se sa energji do t’i duhet për të përmbushur kërkesat të nesërmen dhe sa është i gatshëm të paguajë për këtë vëllim, orë pas ore. Shitësi, për shembull, pronari i një hidrocentrali, duhet të vendosë se çfarë sasie mund të dorëzojë dhe me çfarë çmimi, orë pas ore. Këto nevoja pasqyrohen përmes urdhrave nga blerësit dhe shitësit në sistemin e tregtimit Elspot në Bursën e Energjisë.
Çmimet e çdo ore janë shpallur në mënyrë tipike në treg në 12:42 ose më vonë. Pasi çmimet e tregut janë llogaritur, nga ora 00:00 të nesërmen, kontratat e energjisë janë dorëzuar fizikisht (që do të thotë se malli është siguruar për blerësit) orë për orë sipas kontratave të rëna dakord.
Ja oraret e tregtimit nga Operatori i Tregut, degë e OST:
-Në orën 10:00 në ditën në avancë, OST-ja publikon parashikimin e kërkesës së ditës në avancë për çdo periudhë likudimi. Kjo do të jetë në formën e nivelit të kërkesës së agreguar në MË si dhe të kufirit të kërkuar të rezervës në MË.
-Në orën 11:00 Furnizuesit e Kualifikuar dhe Tregtarët i dorëzojnë Operatorit të Tregut OST nominimin e tyre fillestar të fluksit të interkoneksionit.
-Në orën 11:30 Operatori i Tregut OST njofton Furnizuesit e Kualifikuar dhe Tregtarët për statusin e nominimeve të fluksit të interkoneksionit te tyre lidhur me fakti nëse ka kapacitet të tepërt të interkoneksionit ose mungese te kapacitet të interkoneksionit;
-Në orën 12:00 është afati kohor për pranimin e nominimeve të korrigjuara të fluksit të interkoneksionit.
-Në orën 12:30 bëhet konfirmimi i nominimeve te interkoneksionit nga Operatori i Tregut OST si nominime fizike të interkoneksionit dhe u njoftohen Furnizuesve qe nuk përfiton nga shërbimi universal i furnizimit dhe Tregtarëve të prekur.
-Në orën 13:00 do të bëhet paraqitja e gjithë nominimeve të tjera fizike tek Operatori i Tregut OST;
-Në orën 13:30 bëhet paraqitja e kërkesave dhe ofertave tek Operatori i Tregut OST;
Nga ora 14:00 në ditën në avancë deri në [24:00] në ditën Operatori i Tregut OST pranon kërkesat dhe ofertat për të balancuar sistemin në varësi të disbalancimeve të njoftuara që rezultojnë nga të dhënat e nominimit fizik dhe nga ndryshimet e njoftuara në parametrat e të dhënave dinamike.