Ministria e Arsimit dhe Sportit reagoi sot me një deklaratë për shtyp ndaj pamjeve filmike të transmetuara të hënën ku tregohej ushtrimi i dhunës ndaj një fëmije në një kopësht privat në Tiranë.
“Nisur nga transmetimi i pamjeve filmike të datës 20 qershor 2016 në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan, ku shihen pamjet e një administratoreje kopshti duke ushtruar dhunë ndaj një fëmije të mitur, ministria e Arsimit dhe Sportit dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj një fëmije të pambrojtur. Ky rast i paprecedentë dhe i urryer duhet të trajtohet me seriozitet maksimal nga të gjitha autoritetet shtetërore, nga shoqëria shqiptare, nga të gjithë ne, i madh e i vogël, me qëllim refuzimin e çdo precedence të tillë çnjerëzore, e cila, para së gjithash, nuk ka vend në strehën e edukimit”, thuhet në deklaratë.
“Menjëherë pas transmetimit të videos, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka kërkuar nisjen me urgjencë të procedurave të inspektimit për zbardhjen e ngjarjes. Nga inspektimi rezulton se kopshti “Diren”, me të ashtuquajturën administratore Anjeza Shabani, nuk është licencuar nga MAS-i dhe vepron në kushtet e informalitetit dhe krimit ekonomik”, thekson MAS.
“MAS ndien gjithë peshën e përgjegjësisë për të dhënë kambanën e alarmit për më shumë bashkëpunim mes qytetarëve, medias dhe institucioneve të shtetit shqiptar, në një aleancë të përbashkët për luftë pa kompromis ndaj informalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve shqiptarë”, thekson MAS.
“Nga inspektimet më të fundit, zhvilluar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, janë gjobitur dhe mbyllur 20 kopshte private. Në ditët në vijim, ministria e Arsimit dhe Sportit do të rinisë një inspektim kombëtar të të gjitha kopshteve private. Rezultatet e këtij inspektimi do të publikohen në faqen zyrtare të ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, vijon MAS.
“Ftojmë të gjithë prindërit që kanë fëmijët në kopshte private, të bëjnë verifikimin e statusit të institucionit parashkollor në: www.arsimi.gov.al. Ky verifikim do të jetë përgjigjja jonë e parë ndaj sigurisë së fëmijëve. MAS do të përforcojë kriteret për licencim, duke kërkuar vendosjen e kamerave të sigurisë në kopshtet private. Ftojmë të gjithë qytetarët të mos hezitojnë të denoncojnë çdo rast dhune fizike apo verbale në institucione publike, private apo jashtë tyre. Në kopshtet dhe në shkollat tona nuk do të ketë vend askush që guxon të ushtrojë dhunë mbi fëmijët. Falënderojmë gazetarët investigativë të emisionit “Stop” për zbulimin e këtij rasti skandaloz dhe të papranueshëm për askënd, rast për të cilin ligji do të veprojë me rreptës”, perfundon deklarata e MAS.