Humbja me Kukësin në Kupë nuk ishte rezultati që të gjithë e prisnin në Korçë. Në një ndeshje të tillë për një kompeticion si Kupa, goli i shënuar nga Dejvi Bregu duket se i ka qetësuar të gjithë. Një gol në fushën kundërshtare është një pikënisje e mirë për ndeshjen e kthimit. I këtij mendimi është edhe Kuasi Sibo, i cili sheh të mundshëm kualifikimin në Kupë, ndërsa tani kërkon përqendrim maksimal në kampionat. Në prononcimin e dhënë për gazetën “Panorama Sport”, Sibo është shprehur besimplotë se goli i shënuar do të ndihmojë ekipin në ndeshjen e kthimit. Dhe sipas tij, që këtu Skënderbeu duhet të gjejë pikën e kthesës për ndeshjen e dytë.
“Kupa është një objektiv për ne dhe normalisht që do të bëjmë çmos për të arritur finalen e madhe të sezonit. Është një trofe dhe si i tillë duam që ta fitojmë. Shorti për ne ka qenë jo shumë i favorshëm, pasi kemi gjetur ekipin më të fortë në këtë fazë dhe normalisht që ndeshjet do të jenë të forta. Humbja e takimit të parë nuk na demoralizon, pasi mbahemi tek ai gol i shënuar në fushën kundërshtare. Është një gol që na jep shpresë për ndeshjen e radhës. Duhet të mbahemi fort te ky gol dhe të mendojmë ndeshjen e kthimit, duke e nisur nga atje. Goli në fushën kundërshtare është një plus për ne dhe jemi të bindur se do të jemi ne që do të shkojmë më tej. Luajmë në fushën tonë përballë tifozëve tanë, ky është një stimul i madh”, theksoi fillimisht Sibo.
FLAMURTARI – Më tej Sibo ka folur edhe për sfidën e radhës që është ajo në kampionat përballë Flamurtarit. Për afrikanin, pavarësisht se titulli është i paarritshëm, Europa është ende në garë dhe përballë rivalit për vendin e tretë, Skënderbeu duhet të tregojë forcën e tij. “Tani jemi duke u përqendruar te ndeshja për kampionat dhe është e rëndësishme që të flasim vetëm për këtë takim. Për Kupën do të mendojmë kur t’i vijë koha. Kemi një përballje të vështirë ndaj Flamurtarit që është rivali ynë për Europën. Ata janë në vendin e tretë dhe vetëm ky fakt shërben për të na motivuar. Është një nga ato ndeshje që duhet të tregojmë se jemi ne që e meritojmë më shumë se ata këtë pozicion. Kampionati është ende i gjatë. Pavarësisht se titulli është thuajse i pamundur, në garë është Europa dhe si e tillë ne do të provojmë ta arrijmë edhe përmes kampionatit”, tha afrikani.
E ARDHMJA – Çdo ditë që kalon, e bën të ambientohet më shumë me këtë ekip. Kështu e ka nisur Sibo përgjigjen e pyetjes se si ndihet në Korçë. “Çdo ditë që kalon më bën të ambientohem më shumë me këtë ekip. Jam si në familje këtu dhe për fat të mirë po gjej hapësira në ekip. Pas një periudhe të gjatë në kampionate të tjera dhe në Angli, besoj se kjo është eksperienca më e mirë për mua. Do të isha i lumtur nëse ekipin në fund të sezonit do ta çonim në Europë. Ky është objektivi im. Më pas për të ardhmen janë klubet që vendosin. Nëse Skënderbeu do të më mbajë, unë nuk jam kundra. Por duhet të gjej gjuhën me klubin që ka kartonin tim”, mbylli Sibo prononcimin e tij.//PanoramaSport