Më 5 shkurt 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konfirmoi në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, me votim unanim të gjykuesve Valbona Sanxhaktari, Olsi Komiçi dhe Roland Ilia.
Deri tani ky është vendimi më i debatueshëm i KPK-së, edhe pse ky institucion ka marrë shumë vendime të dyshimta. Donika Prela ka kryer, më shumë gjasa, evazion fiskal duke mos paguar taksa për të ardhurat, ka kryer transaksione të dyshimta, me gjasa të paligjshme financiare, duke marrë disa herë hua pa kontratë, me para në dorë dhe nga njerëz që nuk i justifikojnë paratë, ka blerë dy apartamente nën çmimin e tregut dhe i ka shitur më fitim, për të cilin nuk ka paguar asnjëherë taksa.
Kaq duhet të kishte mjaftuar, minimalisht, për ta pezulluar Zonjën Prela nga detyra, dhe për të filluar menjëherë hetime për evazion fiskal, korrupsion, dhe pastrim parash.
Por KPK ka zgjedhur të konfirmojë Prelën duke shkelur Kushtetutën, ligjet e vendit, dhe standardet dhe qëllimin e vetingut. Në mënyrë ironike kjo prokurore, me gjasa e korruptuar, sot shërben si kryeprokurorja antikorrupsion e Shqipërisë.
Në mënyrë kompromentuse, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk ka lëshuar rekomandim për vlerësimin e Zonjës Prela, edhe pse monitoruesi Theo Jacobs u shpreh në seancën dëgjimore të saj se “deklarimet e saj të pasurisë i linin një shije të hidhur”. Madje ONM nuk ka kërkuar as apelimin e vendimit të KPK-së.
Në mënyrë skandaloze, Komisoneri Publik duket se ka vendosur të mos apelojë vendimin për konfirmin e Zonjës Prela, duke shkelur jo vetëm ligjin dhe interesin publik që ai ka për detyrë të mbrojë, por duke shtuar dyshimet se vendimi për Zonjën Prela është vendim politikë, nga Kryeministri Rama i cili kontrollon krejtësisht procesin e vtingut.
Më poshtë Exit.al analizon në detaje shkeljet kushtetuese, ligjore dhe të standardeve të KPK-së për të konfirmuar Zonjën Prela. Në analizën e mëposhtme Exit.al ka përdorur vetëm faktet dhe gjetjet e bëra nga vetë KPK, të cilat mund të verifikohen nga çdo kush, në bazë të referencës për pikën e vendimit të KPK që lidhet me çdo konstatim tonin.
1. Pranimi si të ligjshme i të ardhurave që Kushtetuta i përcakton të paligjshme
KPK ka pranuar si të ardhura të ligjshme pagesa të pretenduara rroge të bashkëshortit së Zonjës Donika Prela, për të cilat nuk janë paguar detyrimet tatimore, sigurimet shoqërore, dhe sigurimet shëndetësore. (Shih Pikën 21 të Vendimit të KPK-së)
Në periudhën 2003-2016 bashkëshorti i Zonjës Prela ka deklaruar të ardhura nga rroga dhe shpërblime në punë të ndryshme rreth 7,5 milionë lekë (rreth 60 mijë euro), nga të cilat nuk është paguar tatimi mbi të ardhurat personale, detyrimi i sigurimeve shoqërore dhe detyrimi i sigurimeve shëndetësore për një shumë rreth 2,6 milionë lekë (rreth 21 mijë euro), pra për më shumë se një të tretën e të ardhurave totale të tij, të krijuara në periudhën 2006-2008 dhe 2010-2011 (Shih Pikën 37 dhe 38 të vendimit të KPK-së).
Pika 3 e Nenit D të Kushtetutës, e cila vendos për vlerësimin e figurës së magjistratëve (vetingun) përcakton se:
“pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.”
Përcaktimi kushtetues është i qartë, i drejtpërdrejtë dhe nuk lë vend për përjashtime apo interpretime.
Në bazë të këtij përcaktimi kushtetues, KPK duhet ta deklaronte shumën prej 2,6 milionë lekësh, për të cilat nuk është paguar asnjë detyrim tatimor, të ardhur të paligjshme për efekt të vlerësimit të pasurisë.
Por, KPK i ka pranuar si të ligjshme të ardhurat nga rroga e Zotit Prela për të cilat nuk janë paguar detyrimet tatimore, duke dhënë një justifikim antikushtetues:
“Në përfundim, trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për mospagesat e detyrimeve përkatëse, dhe si rezultat, të ardhurat nga paga të marra ndër vite, do të merren në konsideratë në përllogaritjen e mjeteve financiare të disponueshme në familjen e tij.” (Pika 41)
Në përpjekjen për të justifikuar të ardhurat e Zotit Prela, KPK ka bërë një sërë shkelje të tjera ligjore dhe ka justifikuar të tjera veprime antiligjore të çiftit Prela, përfshi këto të mëposhtmet.
Zoti Prela ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për mospagimin e detyrimeve tatimore dhe të sigurimeve nga rroga, duke pretenduar se këtë gjë e ka marrë vesh vetëm në vitin 2018 dhe e ka hedhur menjëherë në gjyq kompaninë. Por kjo gjë ka pak gjasa të jetë e vërtetë.
Së pari, është e pakuptueshme se si bashkëshorti i kryeprokurores antikorrupsion të Shqipërisë nuk ka bërë padi penale ndaj firmës për evasion fiskal por ëshë mjaftuar me një padi civile, për të marrë dëmshpërblim.
Së dyti, që nga viti 2007, është e detyrueshme kryerja e pagesave të rrogave me transferta bankare, për t’u njohur si shpenzim, dhe të gjitha transfertat bankare raportohen në administratën tatimore. Për Zotin Prela nuk janë paguar plotësisht detyrimet që do të thotë se Zoti Prela ka pranuar të marrë të paktën një pjesë të rrogës si para në dorë. Duke lejuar këtë lloj pagese në mënyrë informale ai është bashkëpërgjegjës për evazionin fiskal të kryer nga punëdhënësi i tij. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin pse çifti Prela nuk ka bërë padi ndaj firmës edhe pse e kanë detyrim ligjor në momentin që kanë dijeni për kryerjen e një krimi.
KPK ka kryer edhe një shkelje tjetër: është e qartë që kompania ka përdorur dy listë pagesa, një informale që e ka mbajtur për vete me rrogat e sakta, dhe një formale që e ka dorëzuar në administratën tatimore. Por për të justifikuar rrogën e Zotit Prela, KPK ka pranuar si provë listëpagesën informale dhe jo atë formale të dorëzuar në administratën tatimore. Kjo do të thotë se KPK ka pranuar për prove të ligjshme një dokument që duhet të hetohet si provë evazioni fiskal.
Pra, KPK ka njohur si të ligjshme të ardhura për të cilat nuk janë paguar detyrimet tatimore, nuk janë kryer me bankë, dhe për të cilat nuk ka asnjë dokument formal që kanë ndodhur sipas pretendimit të Zotit Prela—Kushtetuta ndalon qartë dhe kategorikisht konsiderimin e tyre të ligjshme.
2. Blerje apartamenti nën çmimin e tregut
Zonja Donika Prela ka porositur në vitin 2007 (dhe ka blerë me kontratë në nëntor 2012), një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 95,6 m2 me çmim 300 euro/m2 dhe vlerë totale 32 100 euro të paguara para në dorë në arkën e kompanisë, vetëm me mandat arkëtimi, pa faturë. Çmimi i blerjes është më i ulët se çmimi zyrtar i referencës qeveritare që në 2007 ka qenë rreth 450 euro/m2 dhe në vitin 2012 afërsisht 600 euro/m2. Në fakt, çifti Prela e ka rivlerësuar apartamentin 7 muaj pas blerjes formale, në korrik 2015, për rreth 9 milionë lekë ose afërsisht 64 mijë euro. (Pika 43 dhe 44).
Zonja Prela e ka justifikuar çmimin e ulët me faktin se bashkëshorti ka qenë i punësuar në firmën ndërtimore. KPK ka pranuar se çmimi ka qenë favorizues, por ka marrë për të mirëqenë justifikimin e dhënë nga çifti Prela.
KPK ka anashkaluar një pasojë të blerjes së apartamentit me çmim nën referencë: kompania ka qenë e detyruar të paguajë tatimin prej 10 për qind mbi vlerën e apartamentit llogaritur me bazë çmimin e referencës, prej mbi 600 euro/m2 dhe jo atë të shijes së pretenduar prej 300 euro/m2. Kjo do të thotë se firma ndërtimore ka paguar afërsisht rreth 2900 euro si tatim për të ardhur që ajo nuk e ka marrë. Madje këtë pagesë firma e ka bërë në vitin 2012, kur Zoti Prela nuk punonte më pranë saj‑ndërkohë Zonja Prela ishte shefe e task-forcës se krimit ekonomik në Durrës.
Për KPK nuk ka ngjallur dyshim fakti se e njejta firmë që vetë KPK ka vertetuar se ka kryer evazion fiskal për të mos paguar tatimin mbi të ardhurat e Zotit Prela (shpjeguar më sipër), pranon të paguajë taksë për një të ardhur të pakrijuar vetëm për t’i shitur Zotit Prela nën kosot.
KPK ka injoruar realitetin e kudondodhur të informalitetit në tregun e ndërtimeve: shitjen e apartamenteve me çmim formal më të ulët se ai i paguar realisht, me qëllim uljen e fitimit të deklaruar, duke kryer evazion fiskal. Të gjitha shenjat e këtij rasti, të bëjnë të dyshosh se ky është një rast i tillë.
3. Burime të pajustifikuara për blerje apartamenti
Hua e dyshimtë nga një kushëri
Për blerjen e apartamentit të mësipërm, çifti Prela ka deklaruar se ka marrë, në vitin 2007 dhe ka shkyer brenda vitit 2009, një hua prej 15 mijë euro, nga GJ. P. djali i xhaxhait i bashkëshortit të Zonjës Prela. (Pika 50)Huaja është marrë pa deklaratë noteriale apo kontratë, dhe të gjitha pagesat në lidhje me huanë janë bërë jashtë banke dhe pa asnjë dokument formal. Vetëm në vitin 2016, 9 vjet pas marrjes së huasë, GJ. P. ka nënshkruar një deklaratë noteriale ku pohon se i ka dhënë në vitin 2007 Zonjës Prela €15 mijë euro hua, të cilat i janë shlyer brenda vitit 2009.
Zonja Prela ka pohuar se kushëri i burrit i “ka siguruar të ardhurat nga puna në emigracion në Greqi nga viti 1992 e në vazhdim, dhe pasuri të tjera të ligjshme të tij”.
Gj. P. ka pohuar se ka emigruar 10 vjet në Greqi, nga viti 1993, por në pasaportën e tij, të administruar nga KPK, ka vetëm dy viza, një vizë një vjeçare dhe një vizë 90 ditore. Kjo do të thotë se nëse është e vërtetë se ka qendruar 10 vjet në Greqi, ai ka qenë emigrant i paligjshëm pasi nuk ka patur as vizë dhe as leje qendrimi për të mbuluar 10 vjet qendrim. (Pika 55)
KPK shprehet se ka marrë vertetim lëshuar nga dega e Mesologjisë e IKA-s, institucionit grek te sigurimeve, mbi njohjen Gj. P.-së të ditëve të siguruara për disa periudha, por KPK nuk jep asnjë informacion se për cilat periudha, sa ka përfituar huadhënësi. Mbi të gjitha nuk shpjegon se në ç’rrethana një person që ka udhëtuar në Greqi me vizë turistike ka punuar në mënyrë të ligjshme dhe është pajisur me numër të sigurimeve shoqërore greke. (Pika 55)
Deklaratat financiare të GJ. P. të dorëzuara në KPK tregojnë pamundësi financiare për të dhënë hua. Sipas deklaratave bankare, në fund të vitit 1997, GJ. P. ka patur rreth 2,5 milionë lekë kursime bankare. Ai nuk ka paraqitur asnjë të dhënë për të ardhrua në periudhën 1998-2002. Në vitin 2003, e vetmja e ardhur e deklaruar është 1 milionë lekë nga shitja e një cope toke, ndërsa për periudhën 2004- 2007 GJ.P. ka deklaruar rreth 1,3 milionë lekë të ardhura nga punësimi në Portin e Durrësit. (Pika 56)
Pra, në total, nga viti 1993 deri në vitin 2007, kur ka dhënë huanë për Zonjën Prela, GJ. P. ka të vsetëm rreth 4,8 milionë lekë (rreth 38 mijë euro) të ardhura. Nga këto të ardhura ai pretendon se i ka dhënë 15 000 mijë euro Zonjës Prela në vitin 2007. Kjo do të thotë se nga të ardhurat e dokumentuara, kushëririt i kanë mbetur të harxhojë mesatarisht vetëm rreth 1 500 euro në vit, ose rreth 125 në muaj, për një periudhë 14 vjeçare. (Nuk është e qartë gjendja familjare e GJ.P. nëse ai ka përballaur me këtë shumë edhe jetesën e familjes).
Si duket për të justifikuar huamarrjen, KPK bën një tjetër shkelje: deklaron në mënyrë qesharake se huadhënësi ka 5 mijë metra katrore tokë bujqësore ku ka mbjellë perime dhe i ka shitur me familjen—a është e vërtetë kjo nuk dihet, por edhe sikur të jetë e vërtetë kjo është e ardhur pa paguar detyrimet ligjore dhe nuk mund të shërbejë si burim i ligjshëm. (Pika 56)
Pra, KPK i ka njohur si të ardhur të ligjshme Zonjës Prela një hua të marrë pa kontratë, të dhënë me para në dorë, nga një person që praktikisht deklaron të ardhura në kufirin e varfërisë, dhe pa patur asnjë dokument apo provë për të vertetuar se huaja është marrë vërtetë.
Të ardhura të pamjaftueshme vetjake për blerjen e apartamentit
Krahas huasë prej 15 mijë euro, çifti Prela pretendon se ka paguar edhe rreth 17 200 euro nga të ardhurat e veta për blerjen e apartamentit të mësipërm. Sipas deklarimit këto kursime janë krijuar në vitin 2006, 1 milionë lekë kursime, dhe 1,1 milionë lekë nga të ardhurat e vitit 2007. (Pika 49)
Është e paqartë se si Zonja Prela ka krijuar 1 milionë lekë kursime në vitin 2006, nga afërsisht rreth 1,4 milionë lekë të ardhura që ka patur—i bie që Zonja Prela, i shoqi dhe një vajzë e mitur kanë jetuar me 400 mijë lekë gjithë vitin, ose me afërsisht 33 mijë lekë në muaj. E njejta gjë është e vërtetë edhe për vitin 2007, kur çifti Prela ka siguruar afërsisht të njejtat të ardhura, prej 1,4 milionë lekë, dhe sërish pretendon se ka jetuar me rreth 300 mijë lekë gjatë gjithë vitit 2007, ose me afërsisht me 25 mijë lekë në muaj.
KPK konfirmon të ardhura të ligjshme më të ulta për çiftin, respektivisht 1 milionë lekë në vitin 2006 dhe 1,2 milionë lekë në vitin 2007, pra për dy vjet të ardhurat në total të tyre janë 2,2 milionë lekë. (Pika 38)
Çifti Prela pretendon se nga këto të ardhura prej 2,2 milionë lekë, ka paguar 2,1 milionë lekë për apartamentin (17 200 euro). Kjo do të thotë se çifti Prela së bashku me një vajzë të mitur kanë jetuar me vetëm 100 mijë lekë (700 euro) në total për dy vite, ose me rreth 29 euro në muaj.
Se si KPK ka pranuar si të rregullta deklarimet e Zonjës Prela është e pamundur të arsyetohet, por ajo ka arritur në përfundimin:
“[Nga] dokumentacioni i administruar… subjekti ka patur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë apartamentin në vitin 2007. Të gjitha këto veprime rezultuan në përputhje me deklarimet e subjektit të rivlerësimit në deklaratat periodike të viteve 2006, 2007 dhe 2008”.
3. Mos pagesë tatimesh mbi të ardhurat
Praktika e mospagimit të të ardhurave nuk ka qenë e kufizuar vetëm tek të ardhurat e pagës së Zotit Prela, por edhe të paktën në një rast tjetërt.
Në prill 2018, Zonja Prela shiti për 80 mijë euro apartamentin e diskutuar më sipër, të blerë më 2007 për 32 100 euro dhe të vlerësuar në 64 mijë euro (9 milionë lekë) në vitin 2012. Transaksioni është kryer në zyrë noteriale dhe paratë kanë kaluar nga llogaria e noterit në llogari të çiftit Prela.
Duket se Zonja Prela nuk ka paguar tatimin mbi të ardhurat nga kjo shitje, prej 15 përqind të diferencës midis vlerës së shitjes dhe të blerjes (në këtë rast të rivlerësimit). Shuma që ajo duhet të paguante është 15 për qind e diferencës prej 16 mijë euro, pra, afërsisht 2400 euro.
Mospagimi vertetohet nga fakti se Zonja Prela ka deklaruar se ka përdorur 80 mijë euro nga shitja e apatamentit për blerjen e një apartamenti tjetër më vonë. Pra, ajo pretendon se po të kishte paguar taksat ajo do të kishte deklaruar vetëm 77 600 euro në zotërim të saj dhe jo 80 000 euro. (Pika 64 dhe 66).
4. Blerje apartamenti nën çmimin e tregut dhe shitje e menjëhershme me fitim të madh
Sipas deklarimit të pasurisë, në shkurt 2014, Zonja Donika Prela bleu një apartament në plazhin e Durrësit, me sipërfaqe 59.2 m2 dhe çmim 1,4 milionë lekë (10 mijë euro), pra rreth 169 euro për metër katror. Çmimi i blerjes është disa herë më i ulët se sa çmimi i tregut në atë zonë. (Pika 81)
Akoma më e rëndësishme, çmimi është edhe disa herë më i ulët se sa çmimi për të njejtin lloj apartament–të shitur në të njejtin moment–nga i njëjti ndërtues për qytetarë të tjerë. Vetë KPK ka pranuar se apartamentet me të njejtën sipërfaqe në të njejtin pallat janë shitur nga ndërtuesi për rreth 4,4 milionë lekë. (Pika 80)
Pagesa për blerjen e apartamentit është kryer nga bashkëshortët Prela tek shitësi, jashtë zyrës noteriale, dhe qysh përpara hartimit të kontratës së shit-blerjes.
KPK edhe për këtë rast ka pranuar justifikimin se bashkëshorti i saj punonte për kompaninë ndërtuese ndaj ai ka përfituar një çmim shumë më të ulët se tregu për blerjen. Bëhet fjala, sërish, për të njejtën kompani që KPK ka vertetuar se ka kryer evazion fiskal me detyrimet tatimore të rrogës së Zotit Prela, por kjo nuk ka ngjallur dyshime për KPK.
Për KPK nuk ka ngjallur dyshim as fakti se apartamenti është blerë dhe pastaj shitur brenda 6 muajsh, me çmim thuajse tre herë më shtrenjë se çmimi i blerjes, duke siguruar kështu një transaksion shumë fitimprurës prej rreth 18 mijë eurosh brenda pak muajsh.
5.Hua dhënie e dyshimtë me interes
Dhënie para me fajde në rrethana të dyshimta
Në vitin 2011, Bashkëshorti i Zonjës Prela ka dhënë hua me interes në shumën 25 mijë euro, e cila i është kthyer në vitin 2014 së bashku me interesat. Si dhënia e huasë edhe kthimi i saj nuk janë përfshirë në deklarimet vjetore të Zonjës Prela në ILDKP, çfarë përbën shkelje ligjore. (Pika 93)
Në fakt është e paqartë sa është shuma totale që është dhënë më interes nga Zotit Prela, sepse ka dy deklarata noteriale për dhënie huaje, një më datën 20.09.2011 për shumën 10 mijë euro dhe një tjetër më 22.09.2011 për shumën 25 mijë euro, dhe të gjitha veprimet janë kryer me para në dorë, jashtë zyrës noteriale. KPK ka pranuar sqarimin e bashkëshortit të Zonjës Prela se pavarësisht dy kontratave, për një total 35 mijë euro, në fakt janë dhënë vetëm 25 mijë euro hua, një herë 10 mijë euro dhe një herë 15 mijë euro. (Pika 94)
Zoti Prela pretendon se këtë hua ia ka dhënë administratorit të firmës ku punonte vetë, R. N. në emër të një kushëriri të tij, A. P. Po në emër të kushëririt, Zoti Prela ka marrë mbrapsht huanë dhe interesat. Zotit Prela ka deklaruar se ka patur prokurë të posaçme nga kushëriri për këto veprime, duke qenë se ai nuk ishte në Shqipëri. (Pika 95)
KPK nuk ka patur asnjë provë që të vërtetojë se ka qenë vërtet kushëriru burimi i parasë. Ajo nuk ka hetuar nëse kushëriri ka qenë vërtet jashtë shtetit, dhe nuk ka hetuar në çfarë forme dhe mbi çfarë i ka marrë paratë nga kushëriri Zoti Prela.
KPK nuk ka hetuar, siç e kërkon ligji burimin e të ardhurave të kushëririt, duke pranuar, pa dhënë asnjë provë dhe dokument se kushëriri ka patur mundësi të japë.
KPK ka pranuar shpjegimin e dhënë nga Zonja Prela për mosdeklarimin e huasë në ILDKP se nuk ishte deklaruar ngaqë të ardhurat kanë qenë të kushëririt. Por KPK nuk ka asnjë provë që të vertetojë se të ardhurat kanë qenë vërtet të kushëririt. (Shiko 97)
KPK-në nuk ka krijuar dyshim nga fakti se huaja e pretenduar nga kushëriri i Zotit Prela, i është dhënë administratorit të firmës ku punonte Zoti Prela—pikërisht, e njejta firmë nga e cila Zoti Prela kishte përfituar dy apartamente nën çmimin e referencës, dhe e cila ka kryer evazion fiskal duke mos paguar tatimin mbi rrogën e Zotit Prela.
Mbi të gjitha, KPK ka shpërfillur faktin se përfshirja në dhënie huash me interes është në këtë rast, të paktën e dyshimtë, sepse dhënia e parasë me interes pa liçensim është vepër penale e ndaluar me ligj—Neni 170/c dhe 170/ç i Kodit Penal.
Nga ana tjetër, KPK nuk ka hetuar faktin nëse janë paguar detyrimet tatimore nga fitimi i krijuar nga interesat e huasë. Nëse tatimet nuk janë paguar, vertetohen këto shkelje të mundshme ligjore, atëhere Zoti Prela do të ishte bashkëfajtor.
6. Huamarrje të tjera të dyshimtë dhe e padeklaruar
Çifti Prela duket se e ka patur praktikë të përvitshme huamarrjen dhe huadhënien. Përveç dy rasteve tejet të dyshimta përshkruar më sipër, janë edhe dy të tjera të dyshimta.
Në qershor 2010, Zoti Prela ka marr një hua tjetër prej 1 milionë lekë (rreth 8 mijë euro) po nga djali i xhaxhait të tij Gj.P., me qëllim për të patur depozitë bankare të mjaftueshme për të justifikuar aplikimin për vizë amerikane. Edhe kjo hua është marrë në para në dorë, pa asnjë kontratë apo deklaratë noteriale dhe është depozituar në bankë nga Zoti Prela në emër të tij. Shuma është tërhequr në dy këste nga banka brenda një jave nga depozitimi, dhe pretendohet se i është kthyer kushëririt në dorë.
Huaja nuk është raportuar nga Zonja Prela në asnjë nga deklarimet vjetore të pasurisë në ILDKP, çfarë përbën shkelje ligjore. Justifikimi që është pranuar nga KPK është se duke qenë se huaja është marrë dhe shlyer brenda vitit, në fund të vitit nuk ka patur detyrim të pashlyer, çfarë përbën të vetmin detyrim për raportim.
Ne një rast tjetër huadhënie, në vitin 2016, Zonja Prela ka deklaruar se ka marrë këstin e dytë dhe të fundit prej 300 mijë lekë të kthimit të një huaje që i ka dhënë një vit më parë një qytetareje me emrin Afroditi Mamoli. Por kjo hua nuk është raportuar prej saj në deklarimin në ILDKP për vitin 2015 . /Exit.al/