Xhani De Biazi nuk do të kthehet si pjesë e stafit teknik të përfaqësueses shqiptare, në rolin e trajnerit apo të një këshilltari. Këtë e bëri të qartë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili theksoi se nuk parashikohej një kthim i tillë edhe aktualisht vijon kërkimi për një teknik që të marrë drejtimin e kuqezinjve.
Por nga ana e tij, edhe De Biazi vazhdon kërkimin për një klub apo kombëtare e cila do ta kthejë atë përsëri në pankinë, me një projekt bindës, ndoshta si ai që i ofroi Shqipëria në vitin 2011 e më pas 2013. Falë sukseseve me Shqipërinë, emri i De Biazit është bërë i njohur në të gjithë botën dhe ofertat për të, apo thjesht interesimi, ka ardhur edhe nga jashtë kontinentit europian.
Fillimisht u përfol për përfaqësuesen e Australisë, ndërsa tani del në skenë edhe një vend tjetër më ekzotik, India. Sipas ESPN, emri i De Biazit është mes kandidaturave që po merren në shqyrtim për të ndërtuar përfaqësuesen e vendit me një popullsi prej 1,3 miliard banorësh, por që nuk gjen aktualisht mes tyre një 11-she për ta bërë faktor në arenën ndërkombëtare.
Emri i trajnerit të ri pritet të zgjidhet brenda muajit maj, por sipas ESPN-së, De Biazi është mes kandidaturave më të njohura për këtë post të rëndësishëm për të përgatitur një një edicion ku do të kërkohet kualifikimi në Botërorin 2022.












