Një baba ka denoncuar mjekët e Spitalit Psikiatrik në Tiranë për vrasje, por drejtësia ka mbyllur çështjen, duke pushuar hetimet. Boldnews.al ka siguruar dosjen e vdekjes së 24-vjeçarit Bledar Ramaj.
Sipas saj, prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr.9901 për ngjarjen e ndodhur më 31 gusht të vitit të kaluar. Mësohet se në këtë datë, policia është njoftuar se në morgun pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore është dërguar një person i cili kishte humbur jetën.
Punonjësit e policisë kanë shkuar në vend dhe kanë identifikuar personin, i cili ishte Bledar Refit Ramaj, dtl. 26.01.1991. Sipas informacioneve ka rezultuar se ky shtetas kishte gjetur vdekjen në urgjencën e QSUT, ku kishte ardhur në gjendje të rënduar nga spitali nr. 5 (shërbimi psikiatrik). Nga punonjësit e policisë është këqyrur vendi i ngjarjes, pikërisht dhoma e izolimit, e cila ndodhet në katin e parë të këtij spitali, ku ka qenë i izoluar Bledari, pasi vuante nga çrregullime mendore.
Nga këqyrja nuk ka rezultuar të kishte njolla gjaku në vendngjarje. Dhoma ishte në gjendje të rregullt me një shtrat dhe një jastëk. Është pyetur infermieri, i cili ka shpjeguar se pacienti i kishte ikur nga duart dhe në prani të disa personave me shpejtësi ishte përplasur tek dera kryesore dhe kishte rënë pa ndjenja.
Në këtë moment kanë njoftuar ambulancën dhe pacientin e kishin dërguar tek urgjenca e QSUT, ku kishte ndërruar jetë. Është pyetur mjekja e shërbimit psikiatrik, e cila ka shpjeguar se pacienti kishte ardhur në gjendje shumë të rënduar një ditë më parë në spital dhe ka pasur qepje në vënde të ndryshme të trupit, si dhe ne vesh. Atij i është hapur kartela përkatëse, e cila i është vënë në dispozicion mjekësisë ligjore.
Nga këqyrja e jashtme nuk janë konstatuar dëmtime në kokë, por në pjesën anësore të gjoksit dhe pjesë të ndryshme të trupit janë konstatuar të gërvishtura dhe të qepura. Është marrë vendim për kryerjen e aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, i cili do të përcaktonte shkakun e vdekjes. Fillimisht, prokuroria konstatoi se kemi të bëjmë me vdekje natyrale, për shkak se viktima është përplasur, është rrëzuar dhe si pasojë ka ardhur kardiomiopathia hypertrofike koncentrike me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit. Më pas është vendosur mosfillimi i procedimit penal.
Duke mos qenë dakord me këtë vendim, babai i të ndjerit Bledar Ramaj, brenda afatit ligjor 5 ditor, i është drejtuar gjykatës duke e kundërshtuar atë. Si në kërkesë, ashtu dhe gjatë gjykimit, kërkuesi dhe mbrojtësja e tij pretenduan se vendimi i mosfillimit i prokurorisë nuk është i drejtë e për pasojë duhet të prishet dhe hetimet të vazhdojnë. Babai i viktimës ka pretenduar se nuk është përcaktuar qartë shkaku i vdekjes së të ndjerit Bledar Ramaj. Sipas familjareve të tij, ai nuk ka vuajtur nga zemra dhe është e çuditshme që një djalë i ri 24 vjeçar, të vdesë nga zemra, pa qenë i sëmurë më parë. Vdekja e Bledarit është e dyshimte, pasi infermieret Skifter Karazi dhe Gëzim Ramadani, në orën 17.00 i kanë injektuar një ampulë promethazine të ndjerit. Ky fakt është pasqyruar në kartelë. Vetëm pas dy orë e gjysëm, konkretisht në orën 19.30-19.45 i kanë bërë serum me antibiotik dhe promethazine muskulare, terapi kjo që nga mjekja është përcaktuar të bëhej në mbrëmje.
Kjo dozë e dyfishtë promethazine muskulare mund të ketë çuar në mospërballimin nga zemra e të ndjerit të kësaj doze ilaçi në një interval kohe prej dy orë e gjysëm. Gjatë këqyrjes së kufomës, janë vërejtur dëmtime në pjesën anësore të gjoksit dhe në pjesë të ndryshme të trupit janë vënë re të gërvishtura dhe të qepura. Ky fakt është pasqyruar edhe në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor. Nga ekzaminimi i kufomës është konstatuar se dëmtimet e jashtme janë shkaktuar me mjet të fortë. Gjithashtu nga deklarimet e infermierit Arben Damjani, pranohet se tek i ndjeri ka vënë re qepje në vende të ndryshme të trupit si edhe në vesh, duke hedhur kështu dyshime të mundshme.
Shkaku i vdekjes se Bledar Ramajt nuk ka qenë përplasja e kokës me derën, por kardiomiopathia hypertrofike koncentrike me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit. Kjo përcaktohet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor, pra nga probleme zemre, të cilat mund të kenë ardhur si pasojë e dhënies së dozës së dyfishtë të promethazines në një interval kohe të shkurtër, duke mos e përballuar dot zemra e tij këtë gjë. Porosia e mjekes ishte që dhënia e promethazines të bëhej në mbrëmje, por infermierët e kanë neglizhuar këtë fakt, duke ia dhënë para kohe me mëndjen e tyre, kur ndërkohë i kishin dhënë edhe një dozë tjetër të tillë ilaçi.
Pra vërehen elementë të moszbatimit me përpikmëri të porosive dhe terapive të mjekut, që kanë çuar në mjekim të pakujdesshëm. Megjithatë, gjykata nuk ka pranuar ankesën e të atit të viktimës, duke pretenduar se prokuroria ka vepruar me të drejtë, duke u bazuar tek akti i ekspertimit. Në fund, gjyqtarit Petrit Çomo vendosi të rrëzojë kërkesën e familjarëve të të ndjerit, duke legjitimuar veprimet e mjekëve, pavarësisht dyshimeve të mëdha.