Namik Dokle, një prej emrave të njohur dhe ish-drejtues i PS-së, ndër vite ishte ndër të paktët që iu përgjigj ftesës së Kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në Kongresin elektoral të PS-së. Bashkë me Doklen, ishte edhe Servet Pëllumbi, i njohur si “profesori” i socialistëve, ndërsa pas tërheqjes së këtij të fundit nga politika aktive, duket se vendin e deputetit ia trashëgoi djalit, Arben Pëllumbit.
Nga fotot që ka publikuar Rama në rrjetin social, është edhe ajo kur kryeministri shtrëngon duart me Namik Doklen, të cilin e la jashtë listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, bashkë me shumë emra të tjerë socialistësh.
Në rastin më të mirë ata u zëvendësuan nga Mjaftistë dhe G 99, të mbështetur nga Kryebashkiaku Erjon Veliaj, dhe në rastin më të keq nga individë që janë akuzuar për vepra penale.
Por duket se Dokle ka “gëlltitur” lënien jashtë listave dhe qoftë edhe për kortezi, apo për të rregulluar disi imazhin e partisë që ka qenë pjesë dhe ka drejtuar për vite me rradhë.
Po çfarë shkruante Dokle dy vjet më parë, kohë kur Edi Rama e la jashtë listave të kandidatëve për deputet?
“27 VJET…
Pas 27 vjetëve, pas 8 legjislaturave të pandërprera në Kuvendin e Shqipërisë, në vendin tim do të ulet një deputet i ri. E uroj përzemërsisht, cilido qoftë! (Vetëm “aman” hajdut pulash të mos jetë!) Pas 27 vjetëve, nga zemra më buron…
MIRENJOHJE për ata mijëra socialistë dhe njerëz të mirë pa dokumente partiake, që më kanë pritur zemërhapur, kanë ecur e punuar bashkë me mua dhe, në disa raste, kanë vënë edhe jetën e tyre në rrezik për të më mbrojtur nga falanga idiote politike.
ADMIRIM për deputetët e Grupit Socialist të viteve 1992-1997, të papërsëritshëm në përkushtim dhe idealizëm, me të cilët sollëm për herë të parë Partinë Socialiste në pushtet.
NDJESE për gjithë ata njerëz me halle e vështirësi në jetë, të cilët nuk munda, apo nuk dita, apo edhe nuk më lanë t’i ndihmoja, kur kishin nevojë.
PERULJE dhe pendesë për ata pak individë që rrallë… shumë, shumë rrallë mund t’i kem lënduar.
FALJE për ata pak individë që më kanë lënduar, edhe pse lëndimi “nuk harrohet kurrë”!
Dhe… përqafime për ju miqtë e fejsbukut!”, shkruante Dokle.