Nga Boldnews.al
Policia, së bashku me propagandën, përbëjnë thelbin e pushtetit të Rilindjes së Edi Ramës në 6 vitet e fundit.
Ndërkohë që për propagandën, Rama mendon në vetë të parë, kollonën e dytë të pushtetit të tij, Policinë, ua ka dorëzuar njerëzve të tij më të ngushtë ose “ushtarëve”. Këta të fundit kishin për detyrë që, nën komandën e Edi Ramës, të angazhonin policinë për të ruajtur pushtetin e tij.
Qëllimi duhej arritur me çdo mjet. Rëndësi kishte dhe ka qenë ministrat e tij të Brendshëm, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj dhe Sandër Lleshaj të përdorin çdo mekanizëm për të ruajtur pushtetin e Edi Ramës.
Saimir Tahiri ishte i pari që shijoi firmën e kryeministrit Rama mbi emrin e tij në postin e Ministrit të Brendshëm. Tahiri, djalosh i hedhur, e kishte parë Policinë e Shtetit ose duke u përballur me ta në protesta, ose nëpër filma të Hollivudit.
Pikërisht nga këto filma hollivudianë, ai synoi të ndërtonte modelin e tij dhe të Policisë. Por, si një regjisor i nivelit mediokër, ai dështoi në mënyrë spektakolare.
Ai, së bashku me Drejtorin e Policisë, Artan Didi, një ish-drejtues i lartë policie që kishte përfunduar numërues votash për Partinë Socialiste, morën poza triumfatori kur goditën Lazaratin, fshatin simbol të kultivimit të hashashit.
Por, pas kësaj goditjeje, për të cilën fitoi edhe një shtrëngim duarsh me Barak Obamën, Saimir Tahiri u shndërrua në simbolin e “lazaratizimit” të Shqipërisë. Tahiri, pak kohë pasi kthehet me aureolën e fitimtarit nga Uashingtoni, shkarkon drejtorin Didi.
Artan Didi nuk e ndriti në krye të Policisë. Por ai u shkarkua për të shpëtuar lëkurën e Tahirit, pas skandalit të fshehjes me urdhër politik kërkesës së autoriteteve belge për arrestimin e aleatit të tyre politik, Mark Frroku.
Tahiri emëron në krye të Policisë, ish-drejtuesin e Policisë së Gjirokastrës, Haki Çako. Në këtë periudhë, drejtorët dhe zyrtarët e lartë policorë u bën palë me kultivuesit e trafikantët e drogës, nga Jugu në Veri të Shqipërisë.
Përfshirja e drejtuesve policorë në tregun e drogës, fillimisht u shpërnda si “bisedë konfidenciale” mes trafikantëve. Por më pas informacionet dolën hapur, shefa komisariati e drejtues të tjerë lokalë përfunduan në pranga për bashkëpunim me anëtarët e organizatave kriminale.
Kulmi arriti me inkriminimin e vetë Saimir Tahirit dhe disa drejtuesve të lartë policorë, të cilët aktualisht akuzohen si bashkëpunëtorë të narko-trafikantëve Habilaj.
Por, para se të ngriheshin akuza zyrtare ndaj Tahirit e shokëve të tij, Edi Rama e kishte nuhatur më parë se kjo historia e “lazaratizimit” do të shkonte për dreq. Ndaj, në Mars 2017, ai vendosi të largojë Tahirin.
Pa dëshirë, por i nxitur nga çifti ambasadorial Lu-Vlahutin, të cilët e kishin me merak të madh të mos prishej imazhi i Edi Ramës, kryeministri emëron Fatmir Xhafajn, si pasues të Saimir Tahirit.
Miliardat e fituara nga operacioni “bravo çuna” i Saimir Tahirit i mjaftonin Edi Ramës për të blerë zgjedhjet e radhës e për të vijuar qëndrimin në pushtet.
Ndaj, Tahiri nuk i interesonte më. Fatmir Xhafaj, politikan pedant dhe i pompuar si “babai i Reformës në Drejtësi”, ishte një zgjidhje e mirë për momentin e vështirë politik të Rilindjes.
Xhafaj, një ish-hetues i periudhës së komunizmit, i akuzuar publikisht nga njerëz të gjallë për torturat ç’njerëzore që kanë vuajtur prej tij, u soll në qeveri si njeriu që do të vendoste rendin në sistemin demokratik.
Detyra më emergjente e Fatmir Xhafës në krye të ministrisë së Brendshme ishte “shkatërrimi i klanit Tahiri”. Me një të rënë të lapsit, të gjithë drejtuesit e lartë të Policisë u larguan nga funksionet e tyre, me firmën e Haki Çakos, nën urdhërin e Fatmir Xhafaj.
Pasi mbaroi operacioni “fshesa”, Fatmir Xhafaj largoi edhe vetë Hakiun, duke e zëvendësuar me Ardi Veliun.
Xhafaj ndërmori disa operacione anti-drogë, për të krijuar idenë se qeveria, e cila vetë e “legalizoi”, tashmë ishte e vendosur që të ç’rrënjoste fenomenin. Por, nën këtë publicitet, Xhafaj, i cili si “babai i Reformës”, kishte nën kontroll edhe sistemin e drejtësisë, po punonte për të forcuar pushtetin e tij politik.
Synimi final i tij ishte përvetësimi i pushtetit të Edi Ramës. Xhafaj punoi dalëngadalë, për muaj të tërë, që të shkatërronte nga brenda forcën e pushtetit të Ramës. E, në fakt, thuajse ia doli. Me manovrat e tij, tipike të stilit të vjetër diktatorial, në të cilën ai ishte rritur e brumosur, i krijoi shumë probleme shefit të tij.
Xhafaj nisi të aplikonte metodat e diktaturë, një sistem, drejtuesin e të cilit, Enver Hoxhën, e kishte idhull. Fotot kur ai pozonte i lumtur në rininë e tij krah diktatorit komunist, bën xhiron e medias shqiptare, por jo vetëm.
Gjithësesi, si një kopje surrogato e Enver Hoxhës, Xhafaj nuk lëvizi nga qëllimi tij-marrja e pushtetit.
Pika kulminante arriti kur, me një guxim të tepruar, kërcënoi Edi Ramën se mund t’i arrestonte miqtë e tij, ndër të cilët kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Kjo lëvizje e Xhafajt ishte një goditje shumë e rëndë për kryeministrin, i cili, në një lëvizje të çartur, e shkarkon me një mesazh-cicërimë.
Fatmir Xhafaj, me shumë mundësi, do të jetë komunisti i fundit që merr post qeveritar.
Pasi dështoi me dy figura politike në krye të Ministrisë së Brendshme, Rama zgjodhi në Tetor 2018 gjeneralin Sandër Lleshaj për të drejtuar dikasterin më të rëndësishëm. Lleshaj, nga ana e tij, hoqi dorë nga grada “gjeneral” për t’u shndërruar në ushtarin e Edi Ramës.
Sandër Lleshaj, si një ushtar i betuar, prej muajsh ka vetëm një mision-të përplaset me opozitën. Nuk ka më luftë kundër kriminalitetit, kundër korrupsionit jo e jo. Detyra e tij e vetme është që të shpërndajë protestat e opozitës dhe qytetarëve me forcë, dhunë e gaz lot-sjellës.
Lleshaj, i cili ka marrë pozat e ministrit të Brendshëm të Ramiz Alisë, Hekuran Isait, po mundohet me mish e me shpirt që të ruajë pushtetin në zgrip të Edi Ramës. Atë pushtet, të cilin ia shkatërruan fillimisht “lazaratizimi” i Saimir Tahirit e më pas “lufta për pushtet” e Fatmir Xhafaj, vëllait të narko-trafikantit Agron (Geron) Xhafaj.
Me Lleshajn në krah, Edi Rama po mundohet, në mënyrë “don-kishoteske”, të frenojë revoltën popullore ndaj keq-qeverisjes së Rilindjes.