Ndonëse gazrat mund të jenë të parehatshme dhe të sikletshme, prania e tyre nuk është jetë-kërcënuese. Trajtimi i tyre bëhet duke kuptuar mirë shkaqet që kanë ndikuar në shfaqjen e tyre. Mënyra e pakësimit dhe trajtimi mund t’ju ndihmojë të gjeni sado pak qetësim. Dieta ushqimore është ndër faktorët më të shpeshtë që çon në formimin e gazrave. Kjo pasi në shumë raste organizmi shfaq vështirësi të shumta në shpërbërjen normale të ushqimeve.
“Trupi ynë nuk tret dhe përthith disa karbohidrate (sheqerin, niseshtenë dhe fibrat që gjenden në disa ushqime) në zorrët e holla për shkak të pamjaftueshmërisë apo mungesës së disa enzimave. Këto ushqime të patretshme kalojnë nga zorrët e holla në atë të trashen, ku flora bakteriale normale i shpërbën ato duke prodhuar hidrogjen, dyoksid karboni dhe në 1/3 e personave metan. Përfundimisht gazrat e prodhuara çlirohen nga rektumi (zorra e trashë). Njerëzit që prodhojnë metan nuk është e thëne të kenë shume gazra apo shenja të veçanta. Këto njerëz mund të kenë feçe (mbeturina ushqimore), të cilat notojnë në ujë. Kërkimet nuk kanë treguar pse disa njerëz prodhojnë metan dhe disa jo”, bën të ditur mjeku Cekodhima.
Sipas tij, ushqimet që prodhojnë gazra në një person, mund të mos prodhojnë tek një individ tjetër që konsumon po këto ushqime. Disa bakterie normale të zorrës së trashë mund të shkatërrojnë hidrogjenin që disa baktere të tjera e prodhojnë. Balancimi i dy llojeve të baktereve mund të shpjegojë më së miri se pse disa njerëz kanë më shumë gazra se të tjerët. Në shumë raste një ndër format më të mira për trajtimin e gazrave në aparatin tretës ka të bëjë me kujdesin që ne tregojmë gjatë përzgjedhjes së ushqimeve dhe produkteve të ndryshme që konsumojmë gjatë përditshmërisë.
Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të klasifikuar disa nga llojet e ushqimeve që i konsumojmë shpesh, por që kanë potencial të lartë në favorizimin e gazrave në aparatin tretës. Përgjithësisht janë produktet ushqimore të pasura me karbohidrate ato që shkaktojnë më shpesh gazra. Ndërsa proteinat dhe yndyrat mund të ndikojnë, por në nivele më të ulëta se sa ndodh në rastin e karbohidrateve.
Ushqimet që shkaktojnë gazra
Shumica e ushqimeve që përmbajnë karbohidrate mund të shkaktojnë gazra.
Në kontrast yndyrat dhe proteinat shkaktojnë më pak gazra.
Sheqernat që shkaktojnë gazra janë :
Trisaharidet.
Këto janë kompleks sheqernash dhe gjenden tek fasulet në sasi të mëdha. Në sasi më të vogla gjenden tek: lakrat, lakëra e Brukselit, brokoli, asparagu, perimet dhe te të gjithë llojet e drithërave.
Laktoza
Laktoza është sheqeri normal i qumështit. Gjithashtu gjendet te produktet e qumështit siç janë: të gjithë llojet e djathërave, akulloret, në të gjithë ushqimet e përpunuara siç janë : buka, çerealet dhe salcat që përdoren për sallatat. Disa njerëz, për shembull afrikanët, amerikanët dhe aziatikët kanë vlera më të ulëta se normalja të enzimës që tret laktozin gjatë fëmijërisë së tyre, e cila rritet më vonë për tu ulur përsëri në moshën madhore (pleqëri). Si rezultat këta njerëz kanë sasi të shtuar gazrash pasi kanë konsumuar ushqime që përmbajnë laktozë.
Fruktoza
Fruktoza gjendet tek qepët, dardha dhe gruri. Ajo gjithashtu përdoret si ëmbëltues në aperitiv dhe lëngje frutash.
Sorbitoli
Sorbitoli normalisht gjendet tek frutat ku përfshihen, mollët, dardhat, pjeshkat dhe kumbullat e freskëta dhe të thata. Gjithashtu përdoret si ëmbëltues artificial në disa ushqime dietike, ëmbëlsira pa sheqer dhe në çamçakëz.
Niseshteja
Është një ndër elementët që çon në formimin e gazrave, ndërkohë që gjendet me shumicë në tryezën tonë të përditshme. Niseshteja gjendet me shumicë tek patatet, misri, gruri dhe makaronat të cilat prodhojnë gazra pasi shpërbehen nga flora bakteriale normale e zorrës së trashë.
Fibrat
Disa ushqime përmbajnë fibra të tretshme dhe të patretshme. Fibrat e tretshme shpërbëhen lehtësisht në ujë duke u kthyer në masë të rrëshqitshme, si xhel në zorrë. Gjenden në krundet e tërshërës, fasulet, bizelet, në shumicën e frutave. Këto lloje fibrash nuk shpërbehen pa arritur në zorrën e trashë, kështu që ndikojnë në prodhimin e gazrave. Fibrat e patretshme nga ana tjetër kalojnë të pandryshuara në zorrë dhe prodhojnë sasi të vogël gazi. Krundet e grurit dhe disa perime, përmbajnë ketë lloje fibrash.
Lëngjet e gazuara
Konsumimi i lëngjeve të gazuara mund të shtoje gazra dhe gjendjen e parehatisë.
Çamçakëzi favorizon shtimin e gazrave
Përtypja e çamçakëzëve dhe ngrënia në mënyra të shpejta mund të bëjë të mundur gëlltitje të ajrit, i cili çon në shtim të gazrave.
Veprimi i antiacideve
Antiaciditet luajnë një rol të rëndësishëm në trajtimin e tyre. Prania e antiacideve ndihmon, pasi duke u bashkuar me flluskat e gazrave krijon kushte më të lehta për tu gromësirë, e në këtë formë ndihmon nxjerrjen jashtë edhe të gazrave. Gjithsesi këto medikamente nuk kanë efekt në gazrat që ndodhen në zorrë. Doza e antiacideve është në varësi të medikamentit që përdoret dhe moshës së pacientit që manifeston praninë e shtuar të gazrave në stomak. Ilaçet që përshkruhen nga mjeku mund të ndihmojnë në pakësimin e shenjave në personat që vuajnë nga çrregullime të traktit tretës siç është sindromi i zorrës se irrituar. Përshkrimi i recetave për përdorimin e tyre bëhet vetëm pasi mjeku të ketë bërë verifikimet përkatëse në lidhje me ecurinë e sëmundjes.
Pakësimi i gëlltitjes se ajrit
Pakësimi i ajrit të gëlltitur është një tjetër këshillë që mjekët rekomandojnë kundrejt uljes së sasisë së gazrave në traktin tretës. Konkretisht për ata që kanë gromësira të shpeshta doktori mund t’u sugjerojë të pakësojnë sasinë e ajrit që gëlltisin. Rekomandimet janë: shmangia e çamçakëzëve, ngrënia shpejt, ngrënia e ëmbëlsirave të renda, pirja ujë me shishe dhe jo me gotë. Ngrënia e copave të vogla dhe përtypja ngadalë e ushqimeve tek personat që kanë proteza dentare të lirshme dhe të konsultohen me dentistin për vendosjen protezave fikse të palëvizshme.
Dhimbje barku dhe jorehati
Disa njerëz kanë dhimbje kur gazi është prezent në zorrë. Kur dhimbja është në anën e majtë të zorrës së trashë mund të ngatërrohet me sëmundje të zemrës. Kur dhimbja është në anën e djathte të zorrës së trashë mund të imitoje dhimbjet nga gurët në fshikëzën e tëmthit apo të apendicitit.