Zoti Pepkolaj jemi kthyer në bisedën tuaj për shumë ngjarje të karrierës suaj të cilat kanë sjellë jo pak probleme. Le t’i rikthehemi nisjes së karrierës suaj në Policinë e Shtetit si ka nisur ajo?
Përshëndetje z. Çollaku. Në lidhje me pyetjen tuaj do thoja që karrierën time e kam filluar në vitin 1992 ku kam mbaruar studimet në Institutin e Policisë dhe më pas në vitin 1996 kam mbaruar studimet në Akademi të Rendit Publik, dhe menjëherë pas kësaj jam emëruar në Kukës tek strukturat e hetimit të krimeve të asaj kohe dhe më pas në vitin 2000 ku jam emëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat…
Gjatë asaj kohe ishte një sfidë e jashtëzakonshme që punonim me strukturat e hetimit ndaj ruaj edhe vlerësime të jashtëzakonshme për bërthamën e hetimit që operonte në atë kohë me sakrifica të jashtëzakonshme. Dhe jo vetëm bërthamën e hetimit, por edhe linjën e drejtimit.
Pastaj keni mbërritur edhe në qarqe të tjera me detyra të ndryshme?
Jam kthyer sërish në Kukës në vitin 2001, në fund të vitit 2002 jam emëruar shef i hetimit të krimeve në komisariatin e Policisë Kukës. Në gjysmën e dytë të vitit 2003 jam emëruar shef i komisariatit të Policisë Has, për t’u larguar më pas nga Hasi dhe në të njëjtën detyrë për të kaluar në komisariatin e Policisë Kukës, ku kam ndenjur për rreth 2 vite në këtë detyrë. Më pas kam mbaruar kualifikimet për drejtues të lartë, sipas Programit të Lidershipit të Akademisë së Ëest Point dhe më pas jam emëruar në detyra të ndryshme kryesisht në Strukturat e Hetimit për Krimet e Rënda. Në vitin 2010 jam emëruar shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarku Kukës, më pas në vitin 2012 ku konkurrova dhe u kualifikova për të qenë pjesë e strukturave të rendit ndërkombëtare, duke iu nënshhtruar një kualifikimi të pandërprerë deri në korrik të vitit 2013, ku edhe jam përfshirë në misione trajnuese në Afganistan, i cili zgjati 6 muaj.
Ju jeni edhe trajner ndërkombëtar, pra u bëtë edhe trajnues ndërkombëtar?
Po, me përfundimin e këtij trajnimi të kombinuar do thoja, mora edhe çertifikimin përkatës, në pozicionin e trajnuesit ndërkombëtar policor.
Pastaj keni shkuar në qarqe të tjera ku jeni emëruar drejtues special?
Në Korrik të vitit 2013, siç shpjegova më sipër kam qenë pjesë e misionit trajnues në Afganistan për një periudhë kohore 6 mujore, pra deri në gjysmën e dytë të muajit janar të vitit 2014. Më pas jam kthyer sërish në Shqipëri dhe jam emëruar zv. drejtor i Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, detyrë të cilën e kam kryer për dy vite me rradhë dhe më pas kam lëvizur po në të njëjtën detyrë në disa qarqe si Elbasani, Korça dhe për t’u kthyer sërish më pas në qarkun e Kukësit në detyrën e zv. drejtorit për hetimin.
Pepkolaj pra një karrierë e gjatë 25 vjeçare, shumë trajnime, shumë kualifikime ICITAP, PAMECA, trajnime ndërkombëtare…
Për një punonjës policie të karrierës trajnimet dhe kualifikimet janë një përpjekje konsistente për të arritur më të mirën e mundshme në drejtim të kompletimit të njohurive sipas standarteve të një policie moderne. Natyrisht, në punën time nuk kanë munguar asnjëherë vlerësimet e larta për shkak të një qasjeje pasionante në raport me punën në tërësi dhe me rezultatet e saj.
Ajo që ju përmendët më herët te çertifikimi si trajner ndërkombëtar. Pas kësaj keni marrë një detyrë të vështirë në Afganistan. Çfarë ishte kjo detyrë, nëpërmjet çfarë skuadre, ekipi?
Përfshirja ime në mision ishte si rrjedhojë e atyre përpjekjeve, kualifikimeve të vazhdueshme me qëllim kompletimin e një portreti ku gjithsesi duhej të ishte sipas një standardi të unifikuar dhe pjesë e ekipit prej 10 punonjësish të Policisë Shqiptare kam qenë edhe unë në detyrën e zv.komandantit të grupit të trajnuesve. Pra grupi shqiptar ishte në përbërje të një grupi ekspertësh të Karabinierisë Italiane e cila natyrshëm kishte edhe komandën e bazës ku ne operonim dhe gjatë gjithë kohës ne kemi përparuar si trajnues në përbërje të këtij ekipi.
… e këtij rajoni ku gjendesh?
Po. Natyrisht detyra e trajnuesit ndërkombëtar ishte komplekse. Duhet thënë që krahas kësaj, krahas përpjekjeve për të dhënë më të mirën, ka qenë njëkohësisht edhe një tendencë për të konkurruar në pjesën e cilësisë së mësimdhënies nga ana e gjithë trupës së ekspertëve të Policisë Shqiptare.
Ju çfarë detyre kishit në ekip?
Unë kam qenë zv.komandant i grupit të trajnuesve, detyrë e cila kishte të bënte edhe me aspektin organizativ, por edhe me aspektin profesional dhe trajnues.
Kjo kërkonte njëfarë sigurie, njëfarë garancie profesionale nga aleanca, se ishit pjesë e shërbimeve në NATO?
Absolutisht po. Të jesh në një pozicion të tillë jo vetëm si trajnues, por edhe me një detyrë të tillë duhet detyrimisht të kalosh disa filtra që kanë të bëjnë me standardin profesional por edhe të garancive morale njëherazi, pasi për hir të së vërtetës që të çertifikohesh duhet të kalosh disa filtra të cilat janë produkt i koordinimit ndërmjet organizatave inteligjente, organizmave inteligjentë, të cilët në fund bëjnë edhe çertifikimin, pasi kanë bërë verifikimet e nevojshme në dërgimet në adresat e duhura institucionale.
Këtë çertifikatë e keni marrë 2 herë, është përsëritur?
Po, çertifikata është marrë 2 herë për shkak edhe të kohëzgjatjes sepse maturimi kohor ishte i tillë që lipsej që brenda një limiti kohor të bëhej riçertifikimi dhe në këtë aspekt jemi çertifikuar në 2 periudha, në 2 etapa.
Ju dhe komandanti ishit dy njerëz me çertifikatë sigurie të Aleancës së NATOS. A kishit akses në informacione konfidenciale sekrete, pra ky dokument çfarë aksesi ju jepte ju?
Përpos kësaj, komandanti dhe zv. komandanti ishin dy hallkat e grupit të cilët kishin akses në informacionin e klasifikuar të NATOS. Në këto rrethana ne ishim në mënyrë të vazhdueshme të update-uar me të gjithë spektrin e të dhënave që qarkullonin në sistemin e të dhënave, në rrjetin e informacioneve.
Dhe vlerësimi ka qenë maksimal, keni marrë një medalje të firmosur nga shefi i NATOS së asaj kohe Rasmusen.
Për hir të së vërtetës ekipi shqiptar ka qenë jashtëzakonisht i azhornuar dhe i përgatitur, i motivuar njëherazi për të përpunuar në mënyrën më të mirë të mundshme, për të bërë më të mirën në aspektin profesional trajnues, sepse për hir të së vërtetës ai e ballafaqoi edhe me struktura homologe dhe duhej detyrismisht të bëjë një ballafaqim dinjitoz i njohurive dhe natyrisht i asaj çka jepej nga ana e specialistëve në terren. Në sajë të punës së bërë nga gjithë ekipi, një pjesë janë dekoruar dhe janë laureuar me urdhra, medalje, pjesë e së cilës kam qenë dhe unë dhe kjo natyrshëm të gëzon pa masë, sidomos kur vjen si rezultat i një angazhimi produktiv dhe koherent.
Pepkolaj, një detyrë e vështirë, e përfunduar me sukses dhe vlerësim maksimal, ktheheni në Shqipëri dhe ju keni qenë në shumë qarqe Kukës, Lezhë, Elbasan, Korçe, Has si drejtues policie. Si ka qenë, si e keni parë përballjen me grupet kriminale?
Nëse më lejoni do doja të fokusohesha pak te pjesa e sodisfaskionit që kemi përjetuar gjatë misionit ose gjatë periudhës përmbyllëse të misionit. Për hir të së vërtetës ka qenë një ballafaqim shumë dinjitoz i specialistëve të grupit shqiptar përballë kolegëve italianë. Kjo duket qartazi edhe nga demonstrimet të cilat shoqëroheshin me ovacione dhe me duartrokitje të jashtëzakonshme, të vazhdueshme nga ana e pjesëmarrësve në trajnimet që shpërndante ekipi shqiptar. Përpos kësaj gjendje optimiste, vinte pastaj përballja me pjesën e drejtimit në policinë e shtetit, e cila nuk gjeti qoftë eshe njëherë të vetme kohën dhe mundësinë për të komunikuar njëherë e efektivin i cili po i zbardhte faqen në misionin e Afganistanit, në misionin trajnues. Kjo është paksa e dhimbshme.
I rikthehemi ngjarjes në raport në përballjen e shtetit dhe policies me krimin
Për t’u kthyer sërish në vendin tonë, ku unë siç thashë më sipër mora detyrën e zv. drejtorit fillimisht në qarkun e Lezhës, një sfidë jashtëzakonisht e vështirë për shkak të terrenit të ngarkuar dhe problemeve të shumëfishta, megjithatë u përpoqëm të bëjmë më të mirën.
Pse ishte kaq i vështirë ky qark, çfarë kishte të veçantë në problematikën me bandat, organizatat e krimit.
Qarku i Lezhës për hir të së vërtetës për shkak të poziocionimit dhe për shkak të disa rretheve problematike të cilat janë në përbërje të këtij qarku, me fokus në çështjet e kriminalitetit përbën një nga qarqet më të vështira në rang kombëtar për të mos thënë që në periudhën kur isha unë ishte më i vështiri, për shkak se qarku i Lezhës kufizohet me qarkun e Durrësit dhe me qarkun e Tiranës të cilët kanë një ngarkesë kriminaliteti të jashtëzkonshme.
A kishte ndërhyrje?
Natyrisht kishte interferenca, lëvizje të grupeve kriminale në mënyrë të dyanshme dhe në rastet kur shoqëroheshin në ngjarje kriminale në qarkun e Tiranës apo të Lezhës rrugëdaljet ishin në pjesën e Mamurrasit apo në pjesën e Laçit apo edhe në pjesën e Lagunës së Fushëkuqes.
Pra ka qenë si një lloj strehe?
Po, ka qenë një strehë për pjesën e autorëve të veprave penale të cilët e shihnin si një mundësi të shkëlqyer për tu fshehur dhe për tiu shmangur kërkimit policor. Për hir të së vërtetës ajo pjesë, flas pjesa e Fushëkuqes po ta krahasosh ishte pak a shumë si trekëndëshi i Bermudës ku gjërat shfaqen dhe zhduken menjëherë.
Paska qenë si një lloj magazine shpëtimi për shumë persona………
Për hir të së vërtetës ishte shumë e vështirë për ta kontrolluar duke e parë edhe në kontekstin e mundësive të kufizuara të Policisë së Shtetit, me logjistikë, me mjete të tjera, me kapacitetet e nevojshme për të krijuar një front rezistence kompleks ndaj veprimeve të grupeve kriminale apo individëve.
Pas dy vitesh në detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë në Lezhë unë kalova pastaj në qarkun e Elbasanit, gjë e cila ishte natyrisht një sfidë më vete.
Në vitet 2015-2016?
Po në këtë periudhë. Kam ndenjur relativisht në periudhë të shkurtër, rreth 7 apo 8 muaj. Një qark le ta quajmë problematik për shkak të lidhjeve të grupeve kriminale atje apo individëve me aktorët politikë apo me individë të cilët ishin të veshur me pushtet dhe që natyrshëm ishin në raporte apo në marrëdhënie të vazhdueshme me njëri-tjetrin.
A kishte vendimarrje të përbashkët mes personave të inkriminuar dhe pushtetarëve? A kishte një lloj harmonie apo dakordësie mes tyre?
Ata persona të cilët ishin shqetësim i vazhdueshëm për shërbimin policor në qarkun e Elbasanit, ata për hir të së vërtetës ishin njerëz të cilët kishin mbështetje politike dhe e konsideronin veten të paprekshëm në këtë pjesë. Shërbimi policor ishte vulnerabël në njëfarë forme përballë kësaj kategorie. Por në një moment të caktuar kjo rehati e tyre, u prish.
Ka ndodhur një ngjarje në të cilën kjo ka sjellë jo pak pasoja për ju
Po. Është e vërtetë.
Ju keni arrestuar një person për padi penale, të quajtur Sokol Sanxhaktari. A mund ta dimë konkretisht si ka ndodhur, çfarë ngjarje ka qenë dhe çfarë ka ardhur më pas?
Ka qenë një ngjarje me background kriminal e cila lidhet pikërisht me këtë emër, me Sokol Sanxhaktarin.
Kishte shumë mbështetje?
Po. Kishte mbështetje sepse ai është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.
Qazim Sejdinit?
Po, zotit Qazim Sejdini.
A kishte mbështetje, a ishte i fortë, a kishte ndikim?
Për hir të së vërtetës, më duhet të jem realist. Kishte shumë mbështetje, ishte shumë influent. Ishte influent edhe në raportet me personat të cilët e mbështesnin por edhe në aktivitetin e tij të paligjshëm dhe kriminal.
A e frenonte policinë ky pushtet që ai kishte?
Absolutisht po! Veprimet e policisë kanë qenë tërësisht të papërfillshme përballë një stature të tillë të këtij personi dhe të këtij suporti që gëzonte ky person. Për të ardhur tek momenti kur shërbimi policor, ose dy-tre veta, u përplasën drejtpërdrejt me Sanxhaktarin.
Si ndodhi?
Në orët e fundit të paradites, flas në kohën e drekës, jepet një informacion nga salla operative ku thuhet që ka të shtëna armësh në vendin e quajtur ‘Skampa’. Ndërkohë unë me shefin e komisariatit dhe me shefin e sektorit të krimeve të rënda ishim bashkë në atë moment. Dha porosinë shefi i komisariatit të shërbimeve për të vajtur menjëherë dhe për të kontrolluar situatën. Në këto rrethana, duke gjykuar edhe natyrën e informacionit, unë i them shefit të komisariatit të shkojmë vetë në vendin e ngjarjes për shkak se një ngjarje në një orë të tillë të ditës, në një vend të tillë tek Skampa…
Kishit informacion për një personazh të tillë?
Në fakt ne nuk e dinim konkretisht sepse informacioni i sallës operative ishte thjesht një përshkrim fizik i persionit i cili kishte hapur zjarr, nuk kishte të dhëna në lidhje me identitetin e këtij personi. Unë bashkë me shefin e komisariatit dhe shefin e sektorit të krimeve të rënda jemi gjetur për më pak se tre minuta në vendin e ngjarjes dhe kemi ndërhyrë tek një njësi shërbimesh aty ku ndodhej edhe trupi i personave. Jemi drejtuar me thirrjen “Shërbimi policor!” për të ushtruar kontroll ndaj tyre. Pjesa më e madhe janë bindur urdhërit të punonjësve të policisë. Ndërsa personi në fjalë i cili në atë moment gjendej i ulur në karrige ka reaguar në mënyrë tejet të dhunshme. Këtij personi iu drejtova unë. Posedonte një çantë dore me vete. Duke shfrytëzuar momentin, ia hoqa nga dora dhe bëra kontrollin e çantës, në të cilën gjendej një armë zjarri, pistoletë, të cilën ia hodha menjëherë shefit të komisariatit bashkë me çantën. Atëherë kam ndërhyrë për ta shoqëruar nga ambientet e brendshme të njësisë me qëllim për ta kaluar pastaj në mjet. Aty jam përballur me një dhunë të jashtëzakonshme, me një reagim të jashtëzakonshëm të këtij personi por ia doëlm, gjithsesi e prangosëm, e neutralizuam dhe e nisëm për në…
A ju erdhën ndihma të shërbimeve policore që ju kishit kërkuar për përforcime në vendngjarje?
Në fakt për hir të së vërtetës, shërbimi policor ishte shumë afër. Nga vendi ku gjendej shërbimi policor deri tek vendi ku kishte ndodhur ngjarja ishte e shumta 200 apo 300 metra. Imagjinoni sa kohë i është dashur shërbimit policor për të ardhur aty. Pastaj ne vajtëm të parët aty.
A mund të kenë hezituar?
Gjithsesi personin e neutralizuam dhe e dërguam në ambientet e shërbimit policor. Atëherë kemi ndjekur proçedurat e dokumentimit të veprës penale dhe në fund pastaj, kalimin e akteve Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor. Dua të theksoj qëndrimin profesional dhe tejet konseguent të prokurores së çështjes Erida Kokonozi. Ajo mbajti një qëndrim jashtëzakonisht parimor, duke i qëndruar fort edhe presionit edhe ndërhyrjeve pasi bëhej fjalë për presion të jashtëzakonshëm.
Ju në njëfarë mënyre keni arrestuar dhëndërin e paprekshëm të Elbasanit dhe të kryebashkiakut Sejdini. A pati reagime ndaj jush?
Reagimi ka qenë tejet agresiv në njëfarë forme, le të shprehemi kështu. Për shkak se unë një periudhë relativisht të shkurtër u transferova nga Elbasani në Qarkun e Korçës. Kjo erdhi pikërisht si rezultat i kësaj.
Keni pasur reagim të kryebashkiakut?
Kryebashkiaku kishte shumë miq e shumë pushtet, të cilin e përdori pikërisht për këtë pjesë.
Nga çfarë ju keni biseduar, ai ka thënë diçka konkretisht për ju?
Për hir të së vërtetës, ai ka thënë shumë gjëra, por mbi të gjitha ato që ka patur i ka thënë aty ku edhe bëhej vendimarrja, pra tek ministri i asaj kohe zoti Tahiri. Ku më pas në një periudhë relativisht të shkurtër unë u transferova.
Pra, erdhi ministri i Brendshëm dhe u takua me kryebashkiakun për arsye pune por edhe ju u bëtë objekt i këtyre takimeve?
Po. Në një moment kur po kthehesha nga shtëpia, u futa në ambientet e drejtorisë dhe aty pashë kryebashkiakun Sejdini bashkë me ministrin e asaj kohe. Nuk është se mora ndonjë përgjigje por përgjigjen e mora pak më vonë.
Përgjigjen e morët me transferim?
Po.
Kryebashkiaku e mbajti fjalën pra duke thënë që nuk do ta ketë të lehtë me mua?
Absolutisht! Për shkak të natyrës së punës, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me burime informacioni, me miq dhe me njerëz të cilët kanë relacionet e tyre dhe një pjesë e mirë e tyre më kishin paralajmëruar duke thënë që ej shiko se ai po përpiqet që ti të largohesh nga ky pozicion. Unë si gjithmonë kam luajtur duke qesëndisur në njëfarë frome por ja që…
Ata e paskan pasur më seriozisht se sa menduat ju?
Akti nuk vonoi dhe u formësua duke më transferuar në Korçë.
Pas largimit tuaj, dosja ktheu anë apo gjërat ndryshuan në favor të të akuzuarit?
Menjëherë pas largimit tim është bërë një seancë e rivlerësimit të masës së sigurisë për këtë person dhe ky person ka dalë me detyrim paraqitje.
Pra e gjetën një zgjidhje?
Natyrisht, zgjidhja gjithmonë është në krahun e tyre.
Pepkolaj, ju u transferuat në Korçë. Nga Korça u rikthyet në Kukës ku sërish u hasët në një ngjarje të rëndë për të cilën kemi biseduar: lirimi i Naser Gashit dhe laboratori i heroinës. Vjen lirimi për ju. Ishte një vazhdim hakmarrjeje?
Të them të drejtën, në Kukës, pavarësisht se u ktheva jo me një ndjenjë optimizmi, gjithsesi ishte një terren të cilin unë e njihja sepse kisha vite që kontribuoja për rendin dhe qetësinë në atë territor. Plus që unë jam vendali dhe njerëzit më njihnin, njohin edhe kontributin tim, njohin edhe aftësitë e mia. Në këto rrethana, të paktën në aspektin e punës, e ndieja veten shumë më komfort. Por nuk ndodhi ashtu. Me ardhjen e stafit të ri drejtues dhe konkretisht në muajin prill u ndërrua linja e drejtimit, u largua zoti Vatoci dhe erdhi Zef Laska. Shef i komisariatit erdhi një person tjetër. Të them të drejtën, ardhja e tyre u shoqërua me një sërë ngjarjesh. Pa vajtur aty dua të them edhe diçka tjetër. Vazhdimisht nga ana ime është insistuar tek linja e re e drejtimit, flas kryesisht tek drejtori i policisë vendore, që të plotësohej detyrimisht organika me specialistë. Ose të paktën ajo pjesë të cilët ishin në vendet jo produktive të kalonin në ato vendet të cilat kërkonin një impenjim më të madh për shkak edhe të detyrimeve, për shkak të asaj çka ishte vendosur në planet strategjike të drejtorisë vendore dhe në këto rrethana unë kam insistuar tek drejtori në mënyrë të vazhdueshme që të plotësohej organika, kryesisht përsa i përket krimit të organizuar. Pra atyre që lidhet me trafikun e narkotikëve dhe trafiqet e qenieve njerëzore. Në asnjë rast unë nuk kam gjetur mirëkuptimin e zotit drejtor. Për këtë unë kam vënë në dijeni edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam vënë në dijeni drejtorin e Departamentit të Hetimit, dhe sërish unë nuk kam gjetur asnjëlloj mbështetje.
Po ministrin e Brendshëm?
Më pas ministrin e Brendshëm.
Pepkolaj, kemi biseduar në detaje për ngjarjen e Kukësit, por më pas vjen lirimi juaj. A jeni kërcënuar ju dhe familja juaj? Ka pasur diçka nga ajo çfarë kemi folur, një letër në mjetin tuaj. çfarë ishte kjo?
Le të vijmë edhe tek kjo pjesë, ndonëse përsa i përket çështjes që lidhet me hetimet për laboratorin e drogës atje, ka patur një moment që ka ngelur në ndërgjegjen time si diçka në formë meraku. Për shkak se komunikova, në momentin kur ne po merreshim me dokumentimin ligjor të ngjarjes, me drejtorin duke i thënë që “personat të cilët gjenden në automjetin pranë lokalit të Kullës së Lumës duhet të shoqërohen në ambientet e drejtorisë për të vijuar me procedurat pastaj me këta persona. Prandaj duhet të dërgojë shërbimet e komisariatit të Kukëst” sepse ai për hir të së vërtetës ishte në territorin që mbulon komisati i rrethit Kukës, dhe në këto rrethana, shefi i komisariatit bashkë me një grup personash ka vajtur atje, siç ma shpjegoi drejtori dhe personat nuk i kanë shoqëruar me justifikimin se këta persona ndiqeshin nga një strukturë operacionale e Shërbimit Informativ të Shtetit. çka më pas nuk rezultoi kështu, pasi ne u detyruam më pas të shpallim në kërkim ata persona sepse u larguan dhe aty ngeli vetëm mjeti, i cili më pas u shoqërua.
Ishte i personave të grupit?
Natyrisht. Kjo jo vetëm që vë pika të forta dyshimi mbi ecurinë e hetimeve por edhe përsa i përket integritetit të dy drejtuesve të cilët i përmenda më sipër.
Kjo në njëfarë mënyre është edhe një akuzë ndaj eprorëve të drejtorisë vendore që ju i keni iformuar në raport me këtë ngjarje të rëndë?
Unë po flas vetëm me fakte, po iu referohem fakteve.
A është ky njëlloj mosveprimi që ka sjellë pasoja?
Absolutisht po. Pasojat janë evidente pasi kanë vendosur dritëhije përsa i përket zhvillimit të hetimeve. Për të ardhur pastaj në të njëjtën ditë kur është shoqëruar nga shërbimet e policisë kufitare, personi tjetër i kërkuar, me kartelë të kuqe, i kërkuar në rang ndërkombëtar, Naser Gashi, i cili është bllokuar në pikën e kontrollit të kalimit të kufirit në Morinë dhe është shoqëruar nga shërbimi policor i kufirit në ambientet e Policisë Kukës për të vijuar me proçedurat e verifikimit të këtij personi pasi ky person në momentin e kapjes ishte me një dokument të tjetërsuar. Pra posedonte një dokument të një personi tjetër me gjeneralitete të tjera, Samir Bulaj.
E kemi diskutuar këtë. Lirohet Naser Gashi, por lirohet edhe Shkëlqim Pepkolaj nga detyra. Dhe pas lirimit ju keni qenë në gjendje trysnie dhe presioni. Ne kemi publikuar një letër për kanosjen që ju është bërë.
Për hir të së vërtetës, pas lirimit tim nga detyra, një ditë kur unë parkova mjetin në afërsi të banesës sime, veprim të cilin e kam kryer në mënyrë të vazhdueshme, në pjesën e xhamit gjej një copë letër me dy rreshta ku shkruhej “është vetëm nisja, do të paguani të gjithë juve dhe famija juaj”.
Ishte shkruar me shkrim dore Pepkolaj. Nuk e dërguat tek përgjegjësit e hetimit, tek Prokuroria, të bëhej akti i ekspertimit, të identifikohej personi, pra të bëhej pjesë e atij kallëzimi që keni bërë tek Krimet e Rënda? Apo nuk kishit besim?
Të jem i qartë. Kujt do t’i drejtohesha? Do t’i drejtohesha Policisë së Kukësit ku drejton zef Laska dhe Agim Basha? Do t’i drejtohesha Prokurorisë së Kukësit ku drejton Rita Gjati me të tjerë? Kujt t’i drejtohesha? Sandër Lleshit? Kujt t’i drejtohesh? Aida Hajnajt? Ard Veliut? Eduard Merkajt?
Këto janë strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit zoti Pepkolaj, tek të cilat ju keni bërë edhe kallëzime të tjera dhe nuk kanë gjetur shteg.
Pikërisht tek kjo pjesë desha të dal. Unë i jam drejtuar për gjera akoma më të rënda këtyre hallkave dhe unë nuk kam gjetur asnjëherë jo vetëm mbështetje por kjo sturkturë duhej të tregonte se është në ato pozicione të cilat ata i mbulojnë për shkak të aftësive të tyre dhe jo se janë vendosur aty nga dikush. Duhet që në një moment të caktuar të tregojnë se janë profesionistë. Por kjo s’ka ndodhur asnjëherë dhe zhgënjimi në këtë rast është i dukshëm, të paktën për mua. Zhgënjim i jashtëzakonshëm.
U gjet kohë që ndaj jush të kishte një kallëzim penal. Pra, a ka një ndjekje penale për ju?
Po, drejtori i Policisë së Kukësit i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës bashkë me atë shefin e Komisariatit, ku kanë bërë një kallëzim se unë paskam shpifur për ta tek ministri i Brendshëm. Unë tek ministri i Brendshëm kam fol me figurë, me zë edhe me shkresa konkrete. Këto gjëra që unë ia kam thënë ministrit të Brendshëm apo këshilltarit të ministrit të Brendshëm, unë ia kam thënë edhe zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit. Ia kam thënë drejtorit të Policisë së Shtetit dy tre herë përpara sesa të shkonin gjërat deri këtu. I kam kërkuar drejtorit të Policisë së Shtetit të dërgojë grup pune në Kukës për të verifikuar situatën dhe këto sinjalizime që i jap unë dhe në asnjë rast…
Prokuroria nuk ju ka thirrur asnjëherë për kallëzimin e bërë në 8 dhjetor?
Jo në fakt për kallëzimin që kanë bërë drejtuesit e policisë së Qarkut Kukës më kanë thirrur menjëherë. Më ka thirrur menjëherë Prokuroria e Kukësit për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, ndërkohë që unë kam refuzuar të jap shpjegime për shkak të një konflikti të hapur interesi të prokurores e cila më thirri, pra Rita Gjati, të cilin unë ia kam bërë prezent që në momentin që jam paraqiutur përpara saj. Zonja është personi që ka firmosur urdhërin për lirimin e të shumëkërkuarit në shkallë ndërkombëtare Naser Gashi. Ndërsa për kallëzimin që kam bërë unë, nuk jam thirrur ndonjëherë nga institucioni.
Prokuroria ka qenë indiferente. Ju jeni kërcënuar, keni marrë masa personalisht për të mbrojtur veten dhe familjen?
Le të themi kështu. Në këto rrethana, asnjëherë nuk ke kam ndjerë veten më të papërkrahur nga shteti të cilit unë i shërbeva 25 vite. Jo vetëm i shërbeva por edhe u sakrifikova në maksimum. Të paktën kështu mendoj unë. Duke e ndierë se diçka po përpiqej të ndërmerrej ndaj persionit tim, hipotetikisht sepse për hir të së vërtetës duke i marrë parasysh këto gjëra, letra dhe disa elementë të tjerë, më rezulton si një tendencë konstante për ta tërhequr Shkëlqimin në një kurth. Në këto rrethana, unë u detyrova që të largohem nga Shqipëria bashkë me familjen.
Jeni në një vend të Bashkimit Evropian ku ligji sundon.
Për momentin po.
A do të kërkoni që drejtësia t’i shkojë deri në fund asaj që ju keni kallëzuar?
Unë në asnjë rast nuk kam hequr dorë dhe nuk do të heq dorë. Unë u jam drejtuar organeve të drejtësisë edhe përsa i përket çështjeve që lidhen me largimin tim nga detyra. Sikundër u jam drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda me kallëzimin tim lidhur me ngjarjen.
Autoritetet e vendit ku jeni, a e kanë parë me shqetësim ngjarjen tuaj?
Unë besoj që ata do të dinë ta çmojnë, do të dinë edhe ta lexojnë realitetin duke vendosur pikat mbi i. Pra duke i dhënë çezarit atë që i takon çezarit dhe Zotit atë që i takon Zotit.
Zoti Pepkolaj unë ju falenderoj për këtë rrëfim.
Faleminderit ju.