Skënderbeu duket i ringritur moralisht pas barazimit në Durrës dhe tashmë është gati për ndeshjen e radhës ndaj Kukësit në shtëpi.
Ambicia e korçarëve në këtë takim është e madhe, pasi kërkojnë të vendosin në vend peshën e fanellës, e cila duket se ka pësuar goditje nga gjithë këto rezultate negative radhazi. Në kushte të tilla ekipi kërkon reagimin e vazhdueshëm.
I këtij mendimi është edhe 18-vjeçari Jorgo Pëllumbi, që po kthehet në një pikë të rëndësishme te Skënderbeu. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Pëllumbi tregon ambiciet personale në këtë sezon ku ka lënë shenjën e vet, si dhe komenton rezultatet e fundit të Skënderbeut.
Pëllumbi, pas debutimit tuaj e deri më tani jeni pjesë e rëndësishme në formacion. Ju ka gëzuar kjo ecuri?
Po, pa dyshim, ishte momenti që e prisja prej kohësh dhe falënderoj trajnerin Shehi që më besoi diçka të tillë. Një moment si ky e kam pritur pa fund shumë, madje duke kërkuar gjithnjë maksimumin nga vetja. Jam i lumtur për këtë periudhë të mirë që po kaloj, por gjithmonë duhet të jem me kokën ulur duke punuar, për këtë jam i vetëdijshëm.
Si ka qenë për ju të luani me këtë ekip, për më tepër duke mbajtur peshën e mbrojtjes në momente të caktuara?
Fillimisht emocionet duket se kanë bërë të vetën, pasi nuk është gjë që të ndodh çdo ditë. Më pas jam qetësuar dhe gjithmonë mendoj për të bërë më të mirën dhe më të thjeshtën e mundshme në fushë, pasi futbolli luhet thjesht. Hera e parë gjithmonë është e vështirë, por me mbështetjen e ekipit dhe trajnerit ia kam dalë deri diku mirë.
Luani në një pozicion jo natyral, a jua bën kjo më të vështirë punën?
Jo, madje jam përshtatur mjaft mirë. Më pëlqen si pozicion në fushë megjithëse nuk është roli im natyral. Çdo pozicion ka vështirësinë e vet dhe duhet gjithmonë të jesh i përqendruar. Unë këtë mundohem të bëj. Plus, që edhe këshillat më kanë vlejtur shumë.
Kush ju këshillon më shumë?
Radas dhe Vangjeli, janë dy lojtarët që më bëjnë të ndihem më mirë në fushë dhe më i qetë. Më motivojnë gjithmonë dhe më japin besim. Them se më kanë vlejtur shumë dhe mundohem që të “vjedh” sa më shumë të jetë e mundur nga ata.
Keni barazuar në fund ndaj Teutës. Është momenti që karakteri i ekipit të ndryshojë rrjedhën e rezultateve?
Po, është e vërtetë, ka qenë një pikë e marrë përmes karakterit dhe dëshirës së ekipit për të reaguar. Trajneri na ka thënë që duhet të na shërbejë si pikënisje për kthesën dhe mendoj se kështu duhet të bëjmë. Duhet të nisemi që këtu.
Këtë javë me Kukësin prisni një ndeshje të fortë?
Pa dyshim që do të jetë një ndeshje e fortë. Luajmë në shtëpinë tonë dhe do të kërkojmë të dalim me fitore. Përballë kemi një kundërshtar të mirë që lufton për titullin kampion dhe nuk është aspak i lehtë. Plus kësaj, në këtë pikë të sezonit nuk ka ndeshje të lehta. Është momenti kur ne duhet të tregojmë karakterin siç bëmë në Durrës dhe të vijojmë me rezultatet pozitive.
A ju vjen keq që keni debutuar në këtë vit të vështirë për korçarët?
Jo, aspak, përkundrazi ndihem mirë që jam tani. Ky është një vit kalimtar dhe gjërat do të ndryshojnë për mirë sezonin e ardhshëm. Unë kam provuar të luaj edhe me ekipin e një sezoni më parë, prandaj nuk është se ndiej keqardhje. Ky Skënderbe për mua vlen shumë edhe tani që nuk është në majë./PanoramaSport