Nga Boldnews.al
Një bisedë e përgjuar në ambjentet e paraburgimit të Durrësit, ku Astrit Avdyli, i konsideruar si kapo i bandës së Shijakut, i kërkonte mikut të tij, Donald Çullhaj të merrte përsipër faktin që arma e gjetur nga policia në mjetin e me të cilin ata po udhëtonin në janar 2018, nuk gjendet në dosjen që Prokuroria i ka dërguar gjykatës.
Pas publikimit nga “Boldnews.al” të dosjes së plotë që Prokuroria ka dërguar në gjykatë kundër Donald Çullhajit për “armëmbajtje pa leje” dhe kërkesës për pushimin e hetimeve ndaj Astrit Avdylit, një burim konfidencial i grupit hetimor konstatoi se në listën e akteve të hetimit mungonte pikërisht përgjimi ambjental i regjistruar ndërmjet dy të dyshuarve.
Në një kontakt me redaksinë, i njëjti burim deklaroi se ka qenë pjesëmarrës aktiv në regjistrimin e bisedës, në të cilën Astrit Avdyli i kërkonte Donald Çullhajit që të merrte ai përsipër armën dhe më pas, ata do të “rregulloheshin” mes tyre. Ky përgjim, sipas burimit të “BN” është realizuar me urdhër të Prokurorisë së Durrësit.
Por, siç rezulton nga dokumentat zyrtare, akti procedurial i përgjimit ambjental nuk është përfshirë në fashikujt e hetimit, duke krijuar në këtë mënyrë kushtet e nevojshme që Astrit Avdyli të dalë menjëherë nga paraburgimit, ndërkohë që më pas u pushuan edhe hetimet ndaj tij.
“Boldnews.al” e ka ndjekur këtë histori, në të cilën dyshohet se Prokuroria e Durrësit, e drejtuar në atë kohë nga Donika Prela, është “investuar” për t’i dhënë lirinë një prej drejtuesve të bandës së Shijakut, i cili u arrestua disa muaj më vonë, në Tetor 2018, në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”.
Publikimi i dosjes hetimore nga “BN”, duket se ka nxitur edhe vëzhguesin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) që ka ndjekur procesin e Vetingut të Donika Prelës, për të udhëtuar paraditen e së Premtes drejt Prokurorisë së Durrësit.
Është ende e paqartë nëse vëzhguesi i ONM-së ka arritur të ketë marrë aktin e përgjimit ambjental Avdyli-Çulhaj nga dosja hetimore.
“BN” ka raportuar më parë mbi përpjekjet e familjes Avdylaj për të gjetur mënyrën se si të bindnin Donald Çullhajin të merrte përsipër që arma ishte e tij, pavarësisht se ajo u gjend në çantën e dorës së Astrit Avdylit, së bashku me kartën e tij të identitetit. Këto “përpjekje”, të cilat kanë rezultuar të suksesshme, janë përgjuar nga Krimet e Rënda, në kuadër të një hetimi paralel, atë të dosjes “339”.
Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Durrësit ka kryer veprime të dyshimta hetimore, të cilat kanë favorizuar Astrit Avdylin.
– Nga aktet hetimore rezulton se Prokuroria e Durrësit ka ngritur hetimin vetëm mbi bazën e “vetëinkriminimit” të Donald Çullhajit. Prokuroria nuk ka kryer asnjë akt ekspertimi për të gjetur gjurmë gishtash në pistoletë dhe tek plumbat.
– Prokuroria e Durrësit nuk e ka përmendur aspak faktin që pistoleta është gjetur në çantën e dorës së Astrit Avdylit, në të njëjtin vend ku gjendej edhe dokumenti i tij i identifikimit (karta e identitetit)
– Prokuroria e Durrësit, sipas burimit konfidencial të informacionit, nuk ka përfshirë në aktet hetimore përgjimin ambjental ndërmjet Astrit Avdylit dhe Donald Çullhaj, të urdhëruar prej saj, në bazë të të cilit, do të provohej fajësia e anëtarit të bandës së Shijakut.
– Astrit Avdyli është përfaqësuar në seancën për masë sigurimi, nga e cila është liruar menjëherë, nga avokati i caktuar kryesisht nga gjykata, Avenir Stërmasi. Për njerëzit e sistemit të drejtësisë në Durrës, ky avokat është thuajse “anonim” dhe fakti që ai ka qenë mbrojtës ligjor i një prej njerëzve më problematikë në Durrës, krijon dyshime se Stërmasi ishte thjesht “për procedurë”, pasi situata ishte zgjidhur jashtë sallës së gjyqit.